Shaban Murati: Asimetria fyese greko-shqiptare, si e pranon Kryeministri këtë disnivel?
Asimetria fyese greko-shqiptare, si e pranon Kryeministri këtë disnivel?
Nga Shaban Murati –
Agjencia greke e lajmeve ANA njofton në 8 janar se ministri i jashtëm grek Nikos Dendias zhvilloi bisedime me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama për marrëdhëniet dypalëshe, për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe për zhvillimet e fundit në rajon. Një protokoll absurd dhe një sjellje diplomatike asimetrike fyese.
Ç’punë ka kryeministri shqiptar të shkojë në Ministrinë e Jashtme Greke dhe të zhvillojë atje bisedime dypalëshe me ministrin e jashtëm grek, kur homologu i tij në bisedimet duhet të jetë kryeministri grek?
Si guxon ministri i jashtëm grek Nikos Dendias, që kërkon dhe zhvillon bisedime telefonike për marrëdhëniet dypalëshe me kryeministrin shqiptar në 5 janar 2021 dhe ky pranon të bisedojë, në një kohë që qysh nga 31 dhjetori i vitit 2020 homologe e Dendiasit dhe ministre e jashtme e Shqipërisë është Olta Xhaçka?
Si pranon kryeministri shqiptar këtë disnivel bisedimesh dhe asimetri fyese nga shteti fqinjë?
Kryeministri shqiptar mund të pranojë të zhvillojë bisedime me sekretarin amerikan të shtetit Pompeo ose me ministrin e jashtëm rus Lavrov, por kurrsesi të ulë nivelin e postit kryeministror me ministrin e jashtëm grek. Asimetria e nivelit të bisedimeve tregon se si do t’i nënvleftësojë Greqia çeshtjet e hapura me Shqipërinë.
Me sa duket kryeministri shqiptar e kishte harruar dinjitetin në Vlorë.