Shakaxhinjtë e klasës së Ballkanit
Nga Ilir Levonja
Të rejat nga Europa? Në kufirin austriak, nga ana e Hungarisë, Westebanhof rail. Stacion i vjetër treni. Refugjatët me qindra. Ndërrojnë trenat. Vendet më të lakmuara?! Së pari Gjermania. Edhe Austria. Asesi Greqia, Italia apo Spanja. Janë vende të zhytura në krizë ekonomike. Preferohet edhe ishulli britanik. Por Franca ka dyfishuar kontrollet që lidhin Anglinë me pjesën tjetër të kontinentit. Hungaria akuzon Gjermaninë. Populli gjerman ka hapur dyert. Kjo e tundon Hungarinë që hodhi miliona rrota telash me gjemba. Gjermanët kanë hapur dyert në fakt, më shumë të ngacmuar nga mirësia për popujt që kanë seriozisht probleme të azilantit politik. Dhe luftës civile në Siri. Të kërcënuarve nga ISIS. Nga ana tjetër edhe Austria akuzon, Hungarinë. Trafikantë rumunë, bullgarë…, gjithfarësoj. Të çojnë ku të duash me ca mijë euro.
Mëngjes gushti data 28. Gjendet në Burgenland një kamion që tashmë quhet i vdekjes. Ose makina e turpit. Jo pak por 71 njerëz. Njëzet e katër orë më pas. Në periferi të Vjenës. Fund gushti, fund fare. Kapet një kamion që e drejtonte një 29 vjeçar nga Rumania. 26 persona gati të mbaruar. Shto edhe tre të vdekur, fëmijë, dy binjake vajza nga pesë vjeç. Dhe një djalë 6 vjeçar. Akoma turp. Kështu ndihen gjermanët dhe austriakët. Vendet që po përpiqen të përballojnë peshën e fluksit. Të tjera nga Europa. Hungaria. Stacionet, policët u bërtasin turmave. Ata nuk janë qytetarë vendas. Por refugjatë. Rrugët nga Turqia, Maqedoni apo Greqia janë kthyer në lumenj. Kalendari i ditës së fundit, i kufirit të Austrisë shënon shifrën 107 000. Angela Merkel, e ashtuquajtura gruaja e hekurt. Ose liderja e Europës, kërkon një tjetër samit më 14 shtator. Duke se marrëveshjes së Shengenit po i vjen fundi. Fluksi vazhdon dhe i gjalli nuk e ka problem të udhëtojë me të vdekurin. Madje të gëzohet se do shtrijë pak më tutje këmbët.
Sa të reja të tjera? Hungaria vazhdon të akuzojë Gjermaninë. Rikthimin e pyetësorit të Shengenit për emigrantët. Për të ndarë njëfarësoj ata hallexhinjtë nga lindja e mesme. Me hallexhinjtë e lindjes së afërt. Pasi për vendet e komunitetit, lindja e Europës gjithmonë pohon se i ka plotësuar kushtet. Ka rritur mirëqenien. Ka siguruar që lëvizja e lirë të mbetet e tillë dhe jo të transformohet në fluks refugjatësh. Dhe Merkel i përgjigjet qetë. Thjesht se është krenare për ata qytetarë gjermanë që kanë hapur dyert. Dhe shton se, sa kohë që nuk respektohen marrëveshjet, sigurisht që do u kujtojmë Shengenin. Duket sikur gjithçka është jashtë kontrollit. Çuditërisht shenja është Gjermania. Vendi që edhe sot e kësaj dite akuzohet dhe i kërkohen reparacionet e luftës së dytë botërore. Nga ana tjetër blloku i lindjes që e mbajti të ndarë këtë vend deri në vjeshtën e vitit 1989. Vazhdon përjetësisht me akuza. Ose me ankesa. Pa e kuptuar akoma se përse sot, vendi i Hitlerit, i luftës apo i kampeve të shfarosjes. Është aty ku ata duan të jenë. Ku duan dhe mbetën historikisht duke i premtuar popujve të tyre, se do i bëjnë pjesë të komunitetit prej 27 vendesh, atij europian. Akoma nuk duan ta kuptojnë se si një gjerman punon deri në 67 vjeç dhe bejlerët e lindjes flasin për repacione etj. Akoma nuk duan të kuptojnë se midis asaj që thuhet dhe që bëhet është në mes një det i tërë. Kohët mund të kapen shumë shpejt. Pavarësisht nga memoria që mbush rafte bibliotekash. Nganjëherë mjafton pak vështrim. Mbi atë që di, mbi atë që ka ikur. Mbi çfarë është thënë. Dhe çfarë po ndodh. E gjitha është një ironi. Megjithatë djemtë e bllokut të lindjes e akuzojnë Gjermaninë se i po i lë jashtë ata. Po ndan Europën. Kjo është padrejtësi. Dhe informalitet.
Djemtë e lindjes, vrapojnë të vendosin intervista nëpër muret e FB dhe Twitter. Me gishtin kërcënues. Madje e akuzojnë për turp. E akuzojnë për padrejtësi. Dhe kënaqen me brohorimat e ndjekësve duke numëruar numrin e shikuesve. Madje duke paguar edhe ndoca dhjetëra vetë që të shkruajnë për bravon që u tha në sy europianëve. Ndërsa po kështu edhe analistë politikë pranë tyre, tjerrin ditën me parashikime dhe mëkatin e Gjermanisë me refuzimin e vazhdueshëm për mos bërjen e detyrave të shtëpisë. Për një ndarje të qëllimtë të Europës, derisa lindja është pjesë e saj. Nga ana tjetër…, Gjermania e nazizmit i kërkoi ndjesë njerëzimit, i pagoi reparacionet. Dhe sot po përpiqet deri në pamundësi. Të mbulojë turpe si ai i kamionëve të vdekjes që vinë nga Hungaria dhe Rumania. Njohu krimet brenda vetes dhe demonstroi vullnet civil në dënimin e tyre. Në mbajtjen larg të personave të inkriminuar me reformat. Ndërtimin e një ekonomie formale dhe jo informale. Dhe lufton pa kompromis korrupsionin etj.
Nga ana tjetër janë vendet e lindjes, akuzatorët, ata që kanë për arritje këto. Nuk kanë kërkuar akoma falje për luftën e klasave. Që ishte më e ashpër dhe brutale se ajo e Hitlerit. Nuk kanë paguar asnjë dëm reparacioni. Madje i kanë shtatëherë pronësuar, ripronësuar. Dhe kanë bërë reforma agrare të diktaturës, në emër të reformave të demokracisë. Ka shpikur dhe shpikin përditë investitorë partish, nga fondet borxhe. Dhe kanë aktualisht persona fiktivë të liçensuar gati mbi 60% të popujve nga vinë. Janë kthyer në kantiere të hashashit, marihuanës dhe trafikut të qënieve njerëzore. Kanë temperaturën politike antinjerëzore, prej 80 gradësh, sa nuk e kanë për gjë të vriten në emër kryetarit të partisë. Kanë nxjerrë diplomantë më shumicë malesh zhavori, me vrullin e reformave të denigrimit. Gjen kaq shumë juristë, sa kur i pyet se për çfarë kanë mbaruar të thonë, korrespodencë në vend të jurispudencës. Mburren për treg të përbashkët energjitik, kur disa prodhojnë energji akoma me praktikën e diktaturës. Që vazhdon të mundësojë ngrohjen globale. Përshembull Serbia, apo Greqia me qymyr dhe gaz. Apo Shqipëria jonë që pretendon se mundëson plotësisht vendin e saj përmes digave të hidroncetraleve. Në fakt prodhon dhe mbulon 70% nëse do i shfrytëzojë plotësisht. Kur faktikisht operon një treg deri në 40% të vlerës reale. Për shkak të vjedhjes, korrupsionit dhe çmimit të lartë. Ndërsa në kohë fatkeqësish natyrore, si përmbytjet, i shkaktojnë vendit dëme të atilla që e shumzon me zore atë 40% kryeneç. Pra ato që të jep për tre vjet, kjo energjia e ujit, t'i merr për tre orë shi. Çfarë reformash të tjera? Kanë krijuar shtete të fortë, por që i mbron Nato. Kanë makineri shërbimi për emergjenca civile aq sa i fikin zjarret masive me forca vullnetare. Kanë krijuar një klasë nxënësish hokatarë, ku Orban, Rama apo Aleksandri i Serbisë, ngrenë zërin. Tallen, qeshin. Po qeshin ama. Aq sa i shkulën zorrët e barkut shokëve popull. Tallen me mësuesen Merkel. Po, ia thanë në sy ama. Turp të kesh që nuk na pranon në klasë. Turp!Të ashtuquajtur reformatorë të përjetshëm, Bashkimi Europian nuk është paraqitja gjeografike e Europës. Por thjesht një marrëveshje shtetesh me një listë kriteresh. Askush nuk u ka lënë përjashta.