SHBA, BE, OSBE, unionet e gazetarëve botërorë dhe vendas kundër ligjit të Ramës
Një prej drejtuesve kryesorë në Ambasadën Amerikane, Daniel Koski, u shpreh kështu për ligjin anti-shpifje të Ramës.
“Përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes është kundër arsyetimi racional, është të shprehurit më shumë, jo më pak – zgjidhja ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, jo goma”, deklaroi Koski para pak kohësh.
Edhe Zëri i Amerikës, pas kthimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, raportoi se nuk e kupton nxitimin e socialistëve për të rrëzuar dekretin por është një mundësi për ta rishikuar.
OSBE, si edhe Unionet dhe Organizatat më në zë në botë dolën kundër përpjekjeve të Ramës për censurimin e fjalës së lirë. “Reporterët pa Kufij” “Freedom House”, “Misioni për lirinë e medias” e kanë vlerësuar negativisht lirinë e medias në vend dhe paketën anti-shpifje të Ramës, pas së cilës fshihet qëllimi për të kapur plotësisht median dhe kontrolluar fjalën e lirë.
BE i bëri thirrje hapur qeverisë Rama ta rishikonte ligjin, dhe në një akt të paprecedent, ishte vetë Këshilli i Europës, përmes Komiteti Monitorues i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i ishte drejtuar një trupe që është pjesë e KiE, për të vlerësuar nëse ligjet e Edi Ramës shkelin të drejtat e njeriut dhe bien në kundërshtim me parimet dhe idealet që mbron kjo organizatë, duke e çuar kështu çështjen për shqyrtim në Komisionin e Venecias.
Ky akt, si edhe të gjitha këto mesazhe dhe sinjale janë jo vetëm të paprecedenta por edhe një shembull i një diktature dhe kontrolli të fjalës së lirë.
Diktatura nuk vjen brenda ditës, por ajo vjen me hapa të koordinuara për të zaptuar çdo mekanizëm për të kontrolluar lirinë e fjalës dhe mendimit. Dhe ajo nuk i përket vetëm historisë, por ndodh edhe në kohët moderne, siç ndodhi në Turqi, kur Erdogani bllokoi përdorimin e YouTube dhe Wikipedia.
Sado absurde duket kjo në ditët e sotme, kjo është mëse reale dhe e rrezikshme. Ndaj vendi ynë gjendet në një rrezik të madh ndaj një diktature, e cila ashtu siç shqiptarët e njohin fare mirë, ka si mision të saj ndaljen e fjalës së lirë dhe censurën.
Por ajo që e nxjerr më shumë në pah një diktaturë është rezistenca e fortë që i bën institucioneve perëndimore dhe organizatave mbrojtëse të fjalës së lirë, demokracisë, dhe drejtave të njeriut. Ndaj vendosmëria e qeverisë për ta miratuar ligjin në kundërshtim me SHBA, BE, OSBE, VOA, dhe organizatat ndërkombëtare dhe kombëtare të medias, është një shenjë e dukshme e instalimit të një diktature dhe aspak e denjë për një vend i cili aspiron të integrohet në BE.