Shën Valentini i borxhliut
Edi Ramës këto dy ditë i kanë shkruar deklarata të pafundme dashurie. Ai fitoi, është fitore personale, donacionet ishin meritë e tij, etj. Velinat mediatike që janë shfaqur të entuziazmuara këto dy ditë kanë shndërruar mundësinë e një diskutimi financiar në një moment lajmesh rozë. Rama është ai që ka blerë makinën e tipit të fundit dhe në radhë janë vënë bythëkërcyerat që shohin me buzë. Pak a shumë kështu po duket kjo paradë lëvdatash.
Përtej faktit se Konferenca e Donatorëve çliroi një shumë përtej pritmërive, duhet thënë se pjesa më e madhe janë kredi. Dhe kreditë janë borxh i shtuar për Shqipërinë, që paraqiti një faturë të cilën nuk nuk e dimë sesi u hartua. Të thuash këtë nuk do të thotë se mallkon paratë që kanë ardhur në emër të Shqipërisë.
Shqipërisë i dhanë një borxh dhe i falën një pjesë parash për rindërtimin, duke theksuar kontrollin e shpenzimeve të tyre. Dhe janë një pjesë e tyre ndihmë që vjen me një alibi të mirë ndërkohë që qeveria vetë, në emër të projekteve të veta dhe zhvillimit nuk arriti të thithte në këto vite asnjë investim serioz. Në shtatë vjet pamë vetëm kreditë e kushtëzuara të FMN-së. ASGJË TJETËR. Si vallë na qenka fitore e Edi Ramës donacioni dhe huatë për rindërtimin?
Kushdo është i lirë të masturbojë me imazhin që do në mendje. Por përralla të tilla vështirë se hahen dhe mund të merren në konsideratë, pasi një qeveri ka një bilanc dhe ky bilanc nuk flet në favor të asgjëje entuziaste. Vetë kryeministri nisi projektin 1 miliardë për rindërtim dhe përfundoi që as e zë më në gojë. As bankat, as sektori privat nuk shprehu interes serioz për projektet publike.
Ne kemi një përvojë të qartë sesi p.sh taksa e qarkullimit vilet për një qëllim dhe shpenzohet për të tjera. Edhe paratë merren për rindërtimin…por nesër…
Është e lehtë të hedhësh para shqiptarëve një kockë e pastaj të shohësh si shqyhen. Fundja çdo debat në këtë vend kalon në koordinatat e histerisë. Vetë kryeministri nuk duroi, por e shpalli atë që ndodhi fitore të vetën. Cilën fitore? Çfarë arriti ky njeri? Atë që bëri fatkeqësia e natyrës po kërkon ta administrojë si aftësi të vetën, si e si për të gënjyer me një sukses që nuk ka të bëjë me të.
Vetë shqiptarët nuk i dhuruan qeverisë së zotërisë, por më shumë fondacioneve private. Por meqë edhe kjo ngjarje po ndahet në dy palë, ca që kanë patur sukses dhe të tjerët, atëherë le ta gëzojnë këtë moment të shkurtër. Kur vjen puna te paratë kjo qeveri ka dëshmuar se nuk ka asnjë seriozitet dhe asnjë punë pa njollë dyshimi sipër. Do të mbetet për t’u parë sesi do të shkojë ky proces, por vënia në dukje e kostove që shtohen me këtë rast duhet pësëritur përherë. Dalldia vjen dhe ikën shpejt, ajo edhe kësaj radhe na provoi frustrimin e enturazhit të pushtetit që ka humbur betejat publike me kauza të tjera. Ndaj edhe shpalli dashurinë e vet për Liderin e Ballkanit. Ndoshta i vetmi që ka frikë nga një shumë e tillë është ai që u mburr në vetë të parë, por që nuk e thotë dot.