SHËNIM/ Intriga e Ramës&Co për të hedhur në erë marrëveshjen Nuland-Hahn
Ka filluar përsëri presioni mbi deputetët për të miratuar 7 ligjet osë së paku ligjin për vetingun.
Ambasadori amerikan Lu dhe përfaqësuesja e Komisionit Europian në Tiranë, Vllahutin kanë përcjellë në publik insistimin e tyre për të votuar 7 ligjet në gusht. Argumenti i tyre më i “fortë” është se nëse këto ligje nuk miratohen në gusht, mund të humbisni fondet për implementimin e tyre; argumente pak të besueshëm?! Por mesa duket, shqetësimi i madh është gjetiu…
Rama ka provokuar duke hedhur në treg “helmin” e vjetër, se opozita dhe LSI do të nxjerrin yckla për të mos i votuar këto ligje; “helm” që me sa duket ja ka hedhur në kafetë e përbashkëta edhe dy ambasadorëve Lu e Vllahutin, të cilët, ndonëse e njohin shumë mirë stilin tipik mashtrues të Ramës, kanë pranuar ta rrufisin sepse kjo shkon në drejtim të interesave të tyre. Aq më tepër që Vllahutin nuk lë rast pa u angazhuar vetëm e vetëm që ti shërbejë interesave politike e elektorale të Ramës.
Meta, nga Zëri i Amerikës në Uashington, i është përgjigjur provokimit të Ramës me një antiprovokim, duke kërkuar që seanca për miratimin e 7 ligjeve të zhvillohet në datën 27 korrik 2016, ndonëse vetë është ende në Uashington dhe komisioni nuk është mbledhur. Ndërkohë që ka lënë të kuptohet përmes zëdhënësit të tij se ka marrë vesh intrigat e Ramës dhe ka nxituar të kthehet në Tiranë pa e përfunduar vizitën.
Basha ende nuk është prononcuar dhe PD, në pritje, i ka dëgjuar me vëmendje provokimin e Ramës dhe antiprovokimin e Metës, duke analizuar me kujdes se ku “fle lepuri”… Natyrisht i ka cilësuar ashtu sic janë këto deklarime dhe është përgatitur për të përballuar ashtu si edhe me ndryshimet kushtetuese kurthin që po tenton të ngrejë përsëri Rama & Co…
PD dhe opozita kishin kërkuar me insistim të paketa e 7 ligjeve dhe ndryshimet kushtetuese të ishin të gatshme njëkohësisht dhe të miratoheshin me konsnesus të plotë fillimisht 7 ligjet dhe më tej ndryshimet kushtetuese; dhe besohet që i qëndrojnë këtij qëndrimi ndonëse me vetëm miratimin e ndryshimeve kushtetuese kjo skemë është hedhur në erë.
Pyetjet që shtrohen në këtë rast janë disa:
Pyetja 1: Përse nxitohen realisht Lu dhe Vllahutin?
Pyetja 2: Përse Rama bën sikur i qan zemra për të miratuar 7 ligjet në gusht?
Pyetja 3: Çfarë ndryshimesh ka miratuar në mënyrë të njëanshme Xhafa me kolegët e tij socialistë në 7 ligjet dhe a pasqyrohen në këto 7 ligje të gjithë dakordësitë mes palëve që miratuan me 140 vota ndryshimet kushtetuese? A pasqyrohet në këto 7 ligje të miratuara nga Xhafa &Co konsensusi Nuland-Hahn në natën e 21 korrikut 2016 duke gdhirë 22 korrik?
Pyetja 4: A ka ndonjë “intrigë” nga Rama në bashkëpunim me të njëjtët “bashkëpunëtorë” për të hedhur në erë konsensusin? Për të provokuar opozitën? Për të provokuar LSI? Dhe akoma më keq për të shfrytëzuar ardhjen jo të plotë të deputetëve për një mocion besimi dhe shkuar në zgjedhje të parakohshme, me argumentin se opozita dhe LSI treguan se janë kundër reformës në drejtësi?
Arsyeja e vërtetë duket është e lidhur me ndryshimet e mundshme brenda maxhorancës në vjeshtë dhe kjo i ka shqetësuar ambasadorin Lu dhe veçanërisht kroaten Vllahutin. Ata kanë merak se kështu 7 ligjet mund të vonoheshin për tu miratuar por edhe janë të merakosur siç duket edhe për fatin e Ramës. Një arsye tjetër është se mesa duket Rama i ka mashtruar me intrigën e tij të vjetër se Meta dhe Berisha do të bëjnë gjithçka të bllokojnë miratimin e 7 ligjeve për të penguar zbatimin e reformës, gjë që naivisht e ka artikuluar në faqen e tij te Facebook. Dhe me këtë intrigë duket se janë rreshtuar edhe dy ambasadorët. Kjo do të ishte shumë e rëndë…
Provokimin e tij Rama, ndaj opozitës por eventualisht edhe ndaj Metës, do ta bëjë prezent kur Xhafa do të insistojë të miratohen të 7 ligjet ashtu siç i ka tashmë miratuar, pa lejuar asnjë përshtatje të tyre me kompromiset e arritura për amendamentet kushtetuese, sidomos ato të fundit për vetingun apo me dakordësitë mes maxhorancës dhe opozitës. Ka shumë gjasa që edhe Lu e Vllahutin të mbështesin këtë intrigë/provokim të Ramës për tju kthyer ëndrrës së vjetër të natës së 21 korrikut 2016 kur situate u zhbllokua nga marrëveshja Nuland-Hahn. PD gjendet eventualisht përballë një kurthi të ri të ngjashëm, për të mos thënë të njëjtin, me atë të natës së 21 korrikut 2016. Kurth që këtë rradhë nuk kursen as Metën. Duket se opozita por edhe Meta e kanë kuptuar këtë intrigë dhe po marrin masa për ta demaskuar dhe asgjësuar.
Nëse opozita dhe Meta bien në këtë kurth, merr përgjigje edhe pyetja e katërt. Rama do të ishte i prirur të kërkonte në momentin kur opozita dhe LSI do të ndriçonin intrigën e Ramës &Co të aplikonte mocionit e besimit dhe idenë për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditëve duke qëndruar vetë si kryeministër…Mbetet për të ndjekur në orët e ditët në vijim dinamikën e ngjarjeve që duket se po precipitojnë me shpejtësi të madhe.
“Ilaçi” i demaskimit është vetëm një: miratimi në gusht dhe çdo kohë tjetër i 7 ligjeve duke respektuar në frymë dhe në germë marrëveshjen Nuland-Hahn dhe me konsensusin e plotë të 140 deputetëve. Nëse kjo gjë nuk arrihet opozita duhet të demaskojë publikisht intrigën/kurthin e Ramës & Co. Një intrigë e bërë nga Rama vetëm për interesat e tij personale, politike dhe jo politike, por edhe për shkak të presionit nga jashtë që po rritet nga “pengmarrja” në dy çështje shumë pikante, veçanërisht ajo lidhur me dhunimin e ligjit federal në tetor 2012. Si dhe nga frika e një mocioni mosbesimi që do të çonte në largimin e tij nga posti i Kryeministrit.(syri.net)