Shënime rozë për Nexhin
Nga Enkel Demi
E takova Bleonën para disa kohësh në kafen e Hotel Sheratonit. Më tregoi për suksesin e saj në Shtetet e Bashkuara, për miqësinë me Steven Segal. Ky i fundit e mori në telefon tek bisedonim bashkë; më rrëfeu ekranin e telefonit që të bindesha. Por nuk ia çeli telefonin, sepse po bisedonte me mua. Më rrëfeu për manjatët rusë dhe tregun e atjeshëm, për koncertet në jahte, për marrëdhëniet miqësore me Ganiun, për fqinjësinë me Rihanën.
I thotë gjërat e saj me një rrjedhshmëri të habitshme, ndërsa e përdor mrekullisht body language-in, gjë që herë-herë ta shkëput përqendrimin nga biseda. Eshtë bujare jo vetëm në forma, por dhe në ngjarje, në ndodhira që zhvillohen jashtë realitetit të Tiranës. Ngjarje në Sunset Boulevard, mbrëmje gala ku ndahen çmime muzikore, kinemaje, netë ku ka tapetë të kuq.
Eshtë e mahnitshme, është një personazh romanesh; nuk e di përse e gjej në romaninHollywood, Hollywood! të Charles Bukowski-t, të cilin ajo me siguri e njeh. Pastaj nis beteja e saj ndaj gazetarëve, medias, të pabesëve në art, dyshuesve të sharmit të saj. Bën intelektualen tek Fevziu, lacen tek Çani. Në fakt, duhet pranuar kështu siç është, pa shumë koment, njësoj siç pranohen përqasjet konspirative të Kastriot Islamit, reality show-t e Kardashian-it, apo që para një jave pati eklips të hënës.
Janë disa njerëz të cilët nuk duhen marrë vesh, nuk duhen futur në sinoret e botëkuptimit, moralit të sotëm, pasi mund të jenë të së ardhmes, ose të së shkuarës në të njëjtën kohë. Ashtu si Bleona, që ka një mikrobotë të sajën, ku hynë e dalin njerëz, por asnjëherë nuk qëndrojnë gjatë, mund të pranohet dhe varianti i saj më i moshuar, Nexhmija.
Edhe ajo ka rrëfyer gjithë jetën. Në të ritë e saj ka qenë si çikat e sotme, e bukur, e shkolluar në kolegjin e Mbretit, me kordele të kuqe. Bashkëkohësit flasin për një zonjushë që i pëlqenin shëtitjet, librat e shkrimtarëve frëngj, që rridhnin erotizëm nëpër faqe, por ajo vetë thoshte që luftoi, rrezikoi kokën, pastaj bëri ndere të mëdha për këtë Shqipëri. Ka ajo një meritë të madhe në iluminimin e Kombit; si një nënë mëshirëmadhe na shkolloi, na solli elektrifikimin, na kaliti, na këndoi ninulla në mbrëmjet e gjata të dimrit, na zbukuroi. Prandaj sot shqiptarët janë kaq të mirë, të ëmbël, të paqtë, prodhues, ndërtimtarë.
Ndaj, si mund të mos e pranosh që Nexhmija është si Nënë Tereza dhe vuan nga araknofobia (frika nga merimangat).
Kështu, sa herë Nexhmija, ose nëna Nexhi, siç i thërret një gazetare që e interviston dy herë në vit, duhet pranuar ashtu si është, megjithëse unë për vete e gjej Bleonën më afër show biz-it të ditës. Ndoshta ngaqë Nexhi është vejushë e zezë, pra, në zi, se i ka vdekur burri, kurse Bleonës i dalin dhëndurët në Top Channel.
Tesheshi.com