Sherefedini mori vota pothuaj sa Shukriu, por…

Eduard Zaloshnja

Në një artikull mbi zgjedhjet Dibrës (botuar në gazetën Panorama), Preç Zogaj e kishte bazuar analizën e tij politike të këtyre zgjedhjeve në faktin se Sherefedin Shehu i PD-së mori pothuaj aq vota sa kishte marrë para një viti Shukri Xhelili i PS-së, por Muharrem Rama i PS-së mori 4 mijë vota më shumë se sa paraardhësi i tij.

Ky fakt është i saktë, por nuk përbën një premisë të mirë për një analizë politike të zgjedhjeve të së djelës në Dibër. Sepse si nga pjesmarrja në fushatë e politikanëve të Tiranës, ashtu edhe nga pjesmarrja e zgjedhwsve në votim, ato ngjanin si një provë paraprake e zgjedhjeve politike të qershorit 2017.

Për t’i analizuar politikisht zgjedhjet e së djelës në Dibër, krahasimet nuk duhen bërë me rezultatet e zgjedhjeve lokale të vjeshme, por me ato të zgjedhjeve politike të 2013-ës.

Nga pikpamja e pjesëmarrjes, zgjedhjet e së djelës ishte pothuaj identike me zgjedhjet politike të 2013-ës (në lokalet e 2015-ës, morën pjesë në zgjedhje rreth 2 mijë dibranë më pak se sa të djelën).

Ndërsa nga pikpamja e shpërndarjes së votave, rezultatet e së djelës ndryshojnë nga ato të zgjedhjeve politike të 2013-ës.

Kështu, Sherefedin Shehu mori 2 mijë vota më pak se sa kishin marrë më 2013 partitë që e përkrahën atë, ndërsa Muarrem Rama mori 2 mijë vota më shumë se sa kishin marrë partitë përkrahëse të tij (votat e 2013-ës ishin ndarë 50%-50%). Pra bëhet fjalë për rreth 2 mijë dibranë që e kanë ndërruar votën nga “djathtas”, në “majtas” – duke i siguruar kështu Muharrem Ramës një epërsi prej 4 mijë votash.

Përtej reputacionit më të mirë që mund të ketë Muharremi, në krahsim me Shukriun, dy televizionet më të mëdha në vend kanë transmetuar video ku tregohej sesi blihej vota për të parin, ndërkohë që opozita ka denoncuar raste kërcënimesh/blerjesh/abuzimesh në ditët para zgjedhjeve të së djelës. Sidoqoftë, lëvizja “majtas-djathtas” e një pjese të vogël të elektroatit dibran nuk është një fenomen i ri.

Më 2005, kur PS-ja ishte në pushtet, kandidatët e majtë për deputetë morën 54% të votave në territorin aktual të bashkisë Dibër. Por më 2009, kur PD-ja ishte në pushtet, dy koalicionet e majta morën vetëm 40% të votave. Më 2013 situata u barazua, dhe të djelën, “e majta” u rikthye në nivelin 56%.

Me pak fjalë, një pjesë e vogël e elektoratit dibran shkon nga të fryjë era e pushtetit…

SHKARKO APP