Sherri me qeder është qarri i Mullixhiut
Në Tiranë mbeten edhe dy javë deri në fund të kësaj fushate tërësisht atipike. Eshtë thjesht e pamundur të dallohet se kush është miku i kujt dhe kush është armiku i kujt. Eshtë e vështirë të parashikohet nëse vota e hedhur për PS-në nuk prodhon edhe ministra të PD-së, nëse vota për PD-në nuk krijon identikitin e ministrave të LSI-së apo nëse vota për LSI-në nuk emëron edhe ministra të PS-së….
Nga Lorenc Vangjeli
Republika e Kosovës është shteti më i ri evropian. Ka vetëm dhjetë vjet pavarësi, mbas dhjetra vjetëve mungesë lirie dhe kalimit nga një pushtues nën një tjetër të tillë. Në dekadën e fundit në Kosovë janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të përgjithshme dhe lokale. Zgjedhjet kanë bërë të mundur disa rotacione mbresëlënëse pushteti apo dhe kanë krijuar bashkëqeverisje që në hapësirën shqiptare apo për mendësinë shqiptare, ngjajnë të pamundura. Duke nisur që me qeverisjen e Hashim Thaçit në krye të herës dhe me president Ibrahim Rugovën e deri në aleancën e gjerë mes PDK-së dhe LDK-së deri në këtë moment.
Zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit fotografuan humorin e zgjedhësve kosovarë në një mënyrë edhe befasuese, por edhe të pritshme e të parashikueshme. Asnjë forcë politike apo koalicion parazgjedhor nuk ka mundur të marrë gjysmën e vendeve në parlament. As PDK, AAK dhe Nisma, as Vetëvendosja dhe as LDK, AKR e Alternativa, nuk ka mundur të fitojë bindshëm mbi kundërshtarët reciprokë dhe nuk ka fituar shumicën absolute të votave që do ta lejonte të formonte qeverinë. Në të gjitha rastet dhe në të gjitha rrethanat, kandidatët e mundshëm për kryeministër do të duhet të tejkalojnë shumëçka nga e shkuara në momentin kur do t’u duhet të bëjnë llogari për të ardhmen.
Për një koincidencë, sprova zgjedhore në Kosovë ndodhi vetëm dy javë përpara apelit elektoral në Shqipëri. Dy proceset elektorale në dy shtetet shqiptare, njëri me dhjetë dekada e kusur pavarësi dhe tjetri vetëm me një të tillë, kanë të përbashkëtat e të veçantat mes tyre. Një nga to është dhe raporti shumë i ndërlikuar midis Haradinajt, Kurtit e Hotit, tre kandidatët potencialë për kryeministra në Prishtinë. Në Tiranë është e njëjta histori. Mes Ramës, Vasilit dhe Bashës ka një histori sherresh të vjetra dhe bashkëpunimesh të reja. Po kështu, edhe në Tiranë, njëlloj si në Prishtinë, ka më shumë shanse të gjenden pinguinë që pijnë çaj tek Biblioteka Kombëtare, pranë sheshit Skënderbej, sesa ndonjëra nga forcat politike të marrë 71 vota e të qeverisë e vetme. Në një rast të tillë, të gjitha kombinimet e votave mund të krijojnë për secilin nga kandidatët për kryeministra ekstreme të fatit politik: ose në majë, ose të papunë. Ose kryeministër, ose vetëm një numër në kuvend.
Në Tiranë mbeten edhe dy javë deri në fund të kësaj fushate tërësisht atipike. Eshtë thjesht e pamundur të dallohet se kush është miku i kujt dhe kush është armiku i kujt. Eshtë e vështirë të parashikohet nëse vota e hedhur për PS-në nuk prodhon edhe ministra të PD-së, nëse vota për PD-në nuk krijon identikitin e ministrave të LSI-së apo nëse vota për LSI-në nuk emëron edhe ministra të PS-së.
Për momentin ngjan se ka një luftë të shpallur mes PS-së dhe LSI-së. Bashkëpunimi i gjatë dhe bashkëjetesa nën të njëjtin front “ideologjik” ka bërë që vendin e mirënjohjes për rikthimin në pushtet në 2013-ën ta zerë kujtimi i lënies në opozitë në 2009-ën. Një shkelje syri, një dolli pa raki nga larg dhe dy gishta me trëndafil, sot nuk ngjajnë as tabu dhe as herezi në PS. Madje edhe janë pranuar si të tilla dhe për realistët, edhe si e vetmja formulë aritmetike që siguron një mandat të dytë për PS-në. Shembulli kosovar i qeverisë së fundit në Prishtinë apo sidomos, shembulli gjerman i lexuar vetëm në sipërfaqe, është shpjegimi dhe arsyetimi, ankthi dhe shpresa e asaj që do të mund të ndodhë pas dy javësh. Por qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë, ka një proverb të vjetër që këshillon kontrollin e inatit në llogari me takatin dhe me pasojën që sjell inati.
Sherri është gjithmonë qarr i mullixhiut! Kushedi çfarë proverbi kanë gjermanët në një rast të tillë, por dikur, një gjerman i urryer thoshte se miku i armikut tim, është armiku im. Me këtë parrullë ai i vuri zjarrin botës, ndërkohë që në këtë botën e vogël shqiptare, inati dhe armiqësia mes miqsh të shpikur dhe armiqsh të rigjetur, mund t’i verë zjarrin shtëpisë për nja dy vjet të gjatë. Atëherë kur me siguri Shqipëria, si Kosova kësaj here, do të bëjë zgjedhje të parakohshme, por me një ndryshim thelbësor: mullixhiu do të kërkojë më shumë, nusja do të jetë më e përdorur dhe vjehrra më e pjekur. (Javanews.al)