Sherrnajë tradhtarësh

Nga Ilir Levonja

1)Kur shikonim ''sakrificat''. Luftën legjendare. Subjektin e armës me gjalm, torbën me bukë, ku kishte një copë misërnike, pak djath dhe një kokë të madhe qepe. Po qepë të thatë. Kur shikonim ''tradhtarët'' që na ''sabotonin''. Ashtu si terroistët sot. Ashtu si ''urithët'' apo zagarët e natës. Apo buqet në kohën e ndërzimit. Pra qentë, që sot i quajmë delikatesa e divanit. Kur shikonim vetmohimin në emër të partisë. Me sado varfëri, e mizerje. Me sa do sakrificë prej njerëzish lëkurërreshkur. Pëtballë ''tradhëtarëve'' me syza të rrumbullakta. Faqe të pastër. Ca prej tyre rrasëzinj. Ose tyrbe të bardhë etj. Kur shikonim një grusht vigan krahas një karabine. Një sy të rreptë vëzhgues. Kur ndjenim se si e kuqja i përkiste vetëm qafës. Se si dashuritë vetëm sojit. Klasave. Dhe jo zemrave. Normale që do ishim më shumë se normalja të karikuar. Madje të rreptë edhe të vendosur. Për të ''demaskuar'' shokun. Në emër të ''frymëzimit'' qoftë edhe për një shaka bajate. Normale që do ta vrisnim atë. Në emër të idealit. Kështu dy të rinj, njomzakë. Shokë të mi. Atëhere. Kur loja jonë më e preferuar ishte loja me luftë. Partizanë dhe tradhtarë. Jo fashistë, jo nazistë. Jo anglezë, jo amerikanë. Por shqiptarë. Ne shokët…., vinim lojës edhe kriterin e varjes në litra. Kështu njëri nga ne, ''i bindur'' që fitoi luftën. Bëri gati rripin e pantallonave të babait. E lidhi tek teli i dritës së prodhuar në Vlorë. I bëri lakun. Dhe ''i munduri'', u ngjit në karrike. Futi lakun në qafë. Të vdiste i lumtur, pasi u mund dhe u shpall ''tradhtar'' i popullit të tij. Fatmirësisht, cilësisë së dobët të punës vullnetare. Që teli i llampës të shkulej vendit. Dhe i munduri nuk vdiq dot. Sot shokët jetojnë. Janë baballarë. Dhe ndoshta me siguri qeshin kur të lexojnë këto radhë.

Kjo ndodhte kur baballarët e tyre punonin nga ora 6 e mëngjesit deri në katër pasdite. Dhe sigurisht ishin të ''prapambetur''. Ishin të ''pazotë''. Ishin ''humbamenë''.

2)Sot në gjithë Shqipërinë ka një zjarr debati për çështjen e atyre dy vajzave që kanë ikur nga shtëpia. Që akuzojnë prindërit. Ata që botën fëmijëve ua tregojnë përmes televizorëve të blerë me para Greqie, Italie etj. Ose me praktikat tona të faljes, të këstit. Përmes kabllorëve televizivë. Përmes telenovelave. Përmes sherrnajës politikës dhe bigbrother-it. Përmes tradhtarëve të kombit. Përmes forcës së partisë dhe fushatave me zjarr. Ka një zjarr debatesh dhe më entuziastja anë e tyre. Eshtë kur ''intelektualë'' që nuk janë prindër. Akuzojnë këta prindër ''humbamenë''. Kur ata që janë striktë në planifikimet familjare akuzojnë për pjellshmmëri të pa planifukurit e këtyre programeve. Këta ''injorantë'' provincash që pjellin me shumicë. Edhe pse i ka mbytur skamja, tradita e sëmurë e provincialit. Apo mëndje e mbetur mbrapa.

Ka një zjarr debatesh për fëmijët e lajthitur. Që u është bërë mendja ujë. Që mësojnë të drejtat e tyre së prapthi. Përmes televizorit, internetit. Apo telfonëve celurarë të markave më të fundit. Që përdorin me shumicë pudrat, kremrat, bojrat. Apo piskatoret. Tatuazhet në vendet delikate. Që grisin pantallonat.  Që i quajnë prindërit injorantë. Humbamenë. Që nuk dinë ta fitojnë lekun. Që i shtyjnë. Që i akuzojnë publikisht. Dhe kërkojnë garanci nga televizorët. Përmes audiencës. Që njerëzit të preken nga këta prindër ''kafshë''. Sidomos kur e thonë psikologët jo prindër. Psikologët me anëtarësi njëzetëepesëvjeçare blu, vishnje, mavi, apo të kuqe.

Ka një zjarr debatesh studiosh për atë fatkeqsi gjenetike. Që kam unë të drejtë apo ke ti? Pak rëndësi ka problemi. Dhe që nuk ka asnjë grimë shprese që po e zvogëlojmë. Përkundrazi. Po e betonojmë. Prindër ''hajvanë''. Fëmijë që duan dru. Druri ka dalë nga xheneti. Prindër komunistë. Fëmijë liberalë. Fëmijë partish. Fëmijë ekstravagandë.

3)Me që e nisëm me një varje në litar. Varje shokësh të bindur në luftën e tyre me armë nofullash nga kockat e qenve. Me karroca kushinetash. Me llastiqe. Me shallin e kuq të supermenit etj. Jemi pikërisht tek vetmohimi. Vetdenigrimi, shkatërrimi. Si e si në të drejtën e triumfatorit absolutë. Dhe tradhtarit gjithmonë prezent në jetën tonë.

Nga ana tjetër, shqiptarët nuk duan të kuptojnë asnjëherë se, pa përjashtim ne jemi të gjithë nga pak tradhtarë. Tradhtarë ndaj vendit, shoqërisë apo prespektivës kombëtare.

Një politikan shqiptar sapo vjen në pushtet. Qoftë ky kryeministër, kryetar bashkie…, kryetar lagjeje. Një drejtues administrate, institucioni…, rajoni etj. Gjeja e parë, vendimarrja e parë. Eshte shpallja tradhtarë e paraardhësit. Rrënimi me ditë të tëra skutave shkresore dhe demaskimi bosh. Duke tundur letra popullit entuziast. Për shpërdorues, tradhtarë, ordinerë etj. Dhe të kënaqur, pasi e dinë edhe vet që gjithçka është demagogji. Korrupsioni nuk bëhet me letra por me gojë. (E kemi stërthënë). Duke kryer publikisht tradhtinë e parë. Dhe ne duke e pranuar po publikisht tradhtinë e dytë, tonën.

Dhe duke gjuajtur rrugicave, hyrjeve të pallateve, apo tokave arë, gardhet, akoma më shumë tradhtarë. Jemi përjetësisht një makinë sherri.

Kështu që nuk kemi përse habitemi, kur gjejmë fëmijë depresivë. Të varur në litar. Fëmijë që na i prostituojnë. Fëmijë që na akuzojnë. Për humbamenë, për të pa aftë. Si prindër injorantë. Kështu që nuk kemi pse habitemi që, ata që nuk janë prindër na akuzojnë si prindër budallenj. Na nxjerrin në dukje pa aftësinë tuaj, timen, tonën për të çuar fëmijët me pushime. Në Vlorë a gjetkë. Kështu që nuk kemi përse të habitemi që shohim prindër që flasin për fëmijë shejtanër. Që duan dru, që duan zhdëpur. Që duan mbyllur brenda etj.

4)Përse është sherrnajë? Në njëzet e pesë vite demokraci, shqiptarët vetëm kanë akuzuar njëri-tjetrin. Krim ekonomik, krim shtetëror, krim kombëtar, krim njerëzor…, si pjesëmarrje në banda të armatosura.  Kanë demaskuar njëri-tjetrin. Për përdorues droge, narkotizëm profesionist, për marrëveshje të paligjshme, për afera korruptive, për blerje dhe shitje vote, për shkelje flagrante të ligjit etj. Kanë fëlliqur njëri-tjetrin deri me libër shtëpie, për imoral, marrëdhënie brenda sojit, për nepotizëm, për sekserë kurvash, deri robtë e gjakut. Kanë masturbuar masat për shkatërrim të mjedisit, për dëme ekologjike, arkitektonike, kulturore, të traditës. Pa kamera, me kamera të fshehta. Kanë rrëzuar qeveritë. Kanë djegur veten. Janë vrarë. Janë në hasmëri me njëri-tjetrin. Pse ti je demokrat dhe ti socialist etj. Megjithatë, askush, asnjëherë nuk pa një të dënuar para ligjit. Të gjithë sherrxhinj, të gjithë tradhtarë.

SHKARKO APP