Shitën gomerët dhe blenë makina
“Dikur i moçmi thoshte: “Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit.” I moçmi quhet Mit’hat Frashëri, të cilit me siguri i ka pëlqyer shumë më tepër të vdesë në shtrat se sa buzë rruge si këlysh qeni. Ndaj jepi gaz!”…
Nga Enkel Demi
Para disa ditësh një vozitës nga Kukësi tregonte matësin e shpjetësisë, tek futej në tunelin e Kalimashit. Matësi shënonte 316 kilometra në orë. Me siguri zotëria do të ketë marrë një lumë lëvdatash nga komuniteti: “Je i modh plako!”.
Uroj me gjithë zemër që kjo foto të ketë qenë kallpe dhe thjesht një montazh i të riut, sepse me siguri në shtëpinë e tij do kenë bërë hallvë, meqë dali u ka shpëtuar gjallë, thua se është pilot i Formula 1 në cirkuidin e Kalimashit.
Të gjithë ata që janë entuziazmuar nga ky aksion debil ndoshta nuk shohin më shumë se hunda e tyre, sepse larg qoftë ngjan diçka brenda në tunel, çfarë taksirati kanë të tjerët që janë pas duke ecur aq sa duhet e që mund të kenë brenda në mjetet e tyre fëmijët a familjet?
Megjithatë policia u ftillua dhe vendosi radarë. Kjo është zgjidhja? Pa dyshim që jo, sepse do të ketë musketierë të tjerë, të cilët do i hyjnë sfidës. Tek e fundit, shqiptari për pak adrenalinë e djeg tunelin.
Pasditen e së djelës dy makina u përplasën kokë më kokë në dalje apo hyrje (varet nga e ke drejtimin) të autostradës së Elbasanit, në Mullet. Njerëzit kalonin, shihnin pamjet e tmerrshme dhe pyesnin a janë gjallë autorët. Këto skena tashmë janë të zakonshme për udhëtarët. Më e lehta në raste të këtilla është të bësh fajtor shtetin. Asnjë rrugë e Shqipërisë nuk është e mbaruar krejt, shenjat, kushtet lënë për të dëshiruar, por ky është një realitet që nuk të çon në fatalitet, nëse nuk e ke këmbën gozhdë tek gazi dhe rripin nuk e vë, sepse je lac. Kush e vë rripin është si punë pederi. Shqipot nuk janë pedera dhe nuk e vënë rripin, ndaj i kanë mbushur anët e rrugëve me lapidarë.
Nëse në fundjavë kthehesh nga Durrësi drejt Tiranës, pjesa më e madhe e makinave të parakalojnë në kahun e mëngjër. Të gjithë kanë më nxitim se ty dhe ti pyet veten: “Po ku mutin shkojnë që e ngrahin kaq fort?”. Askund nuk shkojnë, thjesht nuk kanë durim. Shqipëria është vendi ku ka më shumë policë rrugorë për kilometër dhe prapë këta i japin si të lojtur, ndaj them që shteti nuk është dorëjashtë, por më së shumti vrasim veten. Për pak më shpejt, për pak më shumë sfidë, për t’ia menderosur atij që ke përpara që po i jep sipas rregullave, pra si breshkë, tjetri niset drejt vdekjes, madje mund të marrë në atë botë edhe këtë që respekton tabelat, sepse rruga një është, kurse morti nuk e njeh përzgjedhjen.
Dikur i moçmi thoshte: “Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit.” I moçmi quhet Mit’hat Frashëri, të cilit me siguri i ka pëlqyer shumë më tepër të vdesë në shtrat se sa buzë rruge si këlysh qeni. Ndaj jepi gaz!