Shkarkimet në administratë si luftë klasash në komunizëm

– Nga Sokol Paja –

Shkarkimet e disa drejtorëve dhe punonjësve në administratën publike ditët e fundit janë shfaqje tipike si e luftës së klasave në komunizëm. Dje u shpall armik i popullit një drejtor në Elbasan, para disa ditësh një tjetër drejtor i rëndësishëm iku në Berat. Ministrja në konferencë për mediat njoftoi për një thertore masive në Hipoteka. Politizimi i tejskajshëm i institucioneve publike, vendimmarrjes dhe qasjes në shërbimin publik, tregon krizën, dështimin dhe kolapsin e sistemit. Kur diktatura zien përbrenda, shpik armiq. I demaskon dhe i fajëson për dështimet e saj. Këta “zullumqarë” shpallen sabotatorët të çelikosjes parti-popull dhe të triumfit të revolucionit “rilindas”. Shkarkimet propagandistike në media nuk janë asgjë tjetër, veçse një propagandë e dështuar politike e një sistemi në krizë. Shkarkimet live në të ashtuquajturat llogaridhënie publike janë dëshmi e shkeljes së pastër të të drejtave të njeriut, e emërimeve politike në admnistratën publike, e kontrollit politik të institucioneve ku deputeti i zonës shkarkon live në media drejtorë institucionesh, e shantazhimit, frikës e panikut për tërë administratën publike. “Rilindasit” ashtu si në komunizëm po i ndajnë njerëzit në klasa: Ju jeni borgjezia dhe ne proletariati. Shteti shtyp live, dhunon live, frikëson live qytetarët. Lufta e regjimit “rilindas”  kundër punonjësve që vetë ka emëruar në kundërshtim me ligjin nëpërmjet konkurseve fiktive, në mediat e kontrolluara nga pushteti, fton qytetarët që tregojnë pjekuri, vigjilencë, partishmëri të lartë dhe bindje ndaj udhëheqësve të saj. Në mediat e kontrolluara nga pushteti  propagandohet se “rilindasit” janë super heronjtë e vetëm në këtë botë dhe në botën tjetër që duke mbrojtur vijën e Partisë, mbrojnë interesat e popullit dhe të atdheut. Forumet partiake politike që ndajnë tortën e pushtetit ngjasojnë me Organizatat e Partisë, të Frontit, të Rinisë, të Gruas ku vihen në krye të aksioni kombëtar për të integruar vendin në BE përmes pasurimit personal, familjar e partiak politik. Për të mbuluar zhgënjimin para qytetarëve dhe për të marrë pak oksigjen në grahmat e fundit, njerëzit e saj, partia sot, ashtu si në komunizëm i shpall agjentë, kuislingë, tradhtarë dhe armiq të popullit. Për dështimet masive të makinerisë gjigande të abuzimit dhe paligjshmërisë, fajësohet qytetari i thjeshtë i partisë, militanti i emëruar si pjesë e ingranazhit politik. Punonjësit e administratës sa herë ndërrohen pushtetet përjetojnë një makth pa fund. Etiketimi i propagandës politike për punonjësit e administratës si të paaftë, të padenjë për të merituar një karrige “rilindase”, ngjasojnë me etikëtimin komunist si borgjezë, imperialistë, revizionitë etj. Sot ligji është hije e partisë-shtet. Partia të emëron, partia të shkarkon, partia të shpall armik të brendshëm apo të jashtëm, madje edhe të kërcënon me burg tipike kjo e regjimieve diktatoriale. Partia vendos për fatin e qytetarëve. Nuk ka institucione të pavarura që kontrollojnë, është partia që vendos për gjithë sistemin jetësor në vend. Diktaturat në konsumim e sipër kur nuk kanë çfarë ofrojnë më për pulikun, shpikin, përhapin panik, ndjellin rrezik, sajojnë armiq, fitojnë beteja imagjinare, të cilat për të mbuluar dështimet dhe krizën shiten në publik si suksese.

SHKARKO APP