Shkodra-politikës: Nga këtu kanë nisur dhe do nisin gjithë përmbysjet

Nga Herion Mesi

Duhet të flasësh kur nuk hesht dot më, dhe të flasësh vetëm për atë që nuk është kapërcyer, gjithë sa mbeten janë fjalë, mungesë disipline në rrëfim. Shkodra si qark është në ujë dhe në rrezik. Opozita prej ditësh deklaron se kryeministri Edi Rama duhet të shpallë gjendjen e emergjencës rajonale për Shkodrën, kurse kryeministri ka vendosur t’u përgjigjet me disa foto për të hedhur poshtë sulmet e opozitës dhe për të treguar përgjegjësinë e menaxhimit të situatës së krijuar. Por për të demonstruar këtë vendosmëri, Rama duket se ka zgjedhur ditën e gabuar, pasi ai vetë që prej nisjes së përmbytjes së zonës së Nën Shkodrës, nuk ka qenë asnjë ditë në terren, dhe vetëm dy ditë më parë ai detyroi zëdhënësen e tij shkodrane, Senida Mesi, për të thirrur në takim në Kryeministri për të marrë disa informacione paraprake mbi situatën në terren.

Dhe sërish, Rama nuk e zgjodhi sot si duhet ditën për të treguar gadishmërinë e qeverisë, pasi ai vetë kur vendosi të shpërndante foto nga ndihma e qeverisë për banorët e pushtuar nga uji, ishte në Stamboll, në një darkë të pa lajmëruar në pallatin Presidencial ku ai së bashku me bashkëshorten e tij u prit nga çifti presidencial Erdogan. Kryeministri Rama ndodhet mbrëmjen e sotme në Stamboll në takim me Presidentin turk Erdogan,e pikërisht nga pallati Presidencial i Stambollit ai postoi disa foto për situatën në Shkodër, në një kohë që uji në qarkun e Shkodrës po bën kërdinë, duke rrezikuar njerëz, shtëpi dhe bagëtinë e tyre.

E në vijim të kaosit qeveritar të krijuar nga vërshimi i Drinit, dhe jo vetëm, në të katër anët e Shkodrës, deputeti-ministër i këtij qarku, Ditmir Bushati kërkon takim me strukturat e Partisë Socialiste në Shkodër për të nisur punën për zgjedhjet e ardhshme, por kanë qenë vetë socialistët shkodranë që në përgjigje të ftesës në fjalës, i thanë Bushatit: “Hajde takohena në Krye-Bushat! Merr një sule (varkë) me vedi dhe e bajmë mbledhjen e partisë në rrjedh t’Drinit, e derisa t’ shkojm në grykëderdhjen e Bun’s, n’ Velipojë, do i kena shpërnda dhe detyrat për gjithsecilin”.

Por ajo që është më tragjike në pamjet që vijnë nga Shkodra është mungesa e opozitës në atë vend. Përveç deputetit Bardh Spahia, askush nga deputetët e tjerë të opozitës nuk ka lëvizur nga vendi. Edhe vetë Lulzim Basha, nuk po i vesh çizmet për t’i takuar ata njerëz të cilët prej dy javësh kanë nisur të konkurrojnë me peshqit në ujin e gjithpushtetshëm. Ashtu kot të dilte, të bënte gjoja sikur do trishtohej nga halli i shkodranëve. Akoma nuk dihet kush është arsyeja se pse “liderët” e kanë braktisur Shkodrën, mbase sepse ajo në zgjedhjet e fundit dha shembullin se si duhet të votojnë shqiptarët kur janë të zhgënjyer nga “të besuarit” e tyre në politikë dhe në krye të shtetit. Shkodra dhe shkodranët do ta kalojnë dhe këtë fatkeqësi njerëzore: njerëzore, jo vetëm të atyre që menaxhojnë ujërat e kaskadës, por edhe të politikanëve që janë përgjegjësit kryesorë për keqmenaxhimin e situatës së krijuar prej afro 10 vitesh.

Por leksioni që sërish vjen nga Shkodra është një apel për të gjithë shqiptarët: Shqiptari i sotëm duket se është shumë i pasur dhe i zoti në gjetjen e efekteve që veshit antik i tingëllojnë si paradokse ritmike dhe sakrilegje. Por nga ana tjetër ai i trembet ngurosjes, kristalizimit, shndërrimit, dhe prandaj i kundërvë ritmit prej dy kohësh një ritëm trikohësh dhe jo rrallë edhe më shumë. Një popull i frustruar dhe i lodhur nga shpresat e shumta tashmë duhet të fitojë dinjitetin e tij. Sepse në pamje të jashtme duket sikur shqiptarët e dëshirojnë me zjarr lirinë, por në të vërtetë e shtyjnë atë gjithmonë e më larg vetes dhe i kërkojnë shtetit që të farkëtojë zinxhirin për ta. Ata u binden verbërisht sektarëve më të errët dhe despotëve më të ngushtë. Oratorët pompozë, që besojnë se i udhëheqin masat, por që më shpesh i ndjekin ato, konfondojnë padurimin dhe nervozitetin, duke i bërë vazhdimisht këta si zotër, në vend të shpirtit të vërtetë të pavarësisë, e duke mos lejuar asnjë zot. Shqiptarët nuk po qeverisen dhe askush nuk po mban përgjegjësi, ndaj i duhet dhënë fund debilizmit shtetëror!

SHKARKO APP