Shkrimtari francez dhe Presidenti Macron

Nga ROLAND QAFOKU 

Valery Larbaud është një nga shkrimtarët dhe poetët më të njohur francezë. I lindur më 1881-shin dhe i ndarë nga jeta në 1957-ën, për nder të tij, në Francë, që nga viti 1967, u shpall një çmim për Letërsinë. Një udhëtar i përhershëm nëpër rruzull, për Shqipërinë është fat që ai ka qenë disa herë këtu. Tejet i famshëm është ditari i tij i udhëtimeve me prej 1600 faqe, ku përshkruan gjithë qytetet e botës. Për ne është interesante pjesa shqiptare e këtij megaditari. I befasuar deri në habi, ai ka përshkruar në ditar detaje nga vizita në Tiranën e vitit 1932. Natyrisht, kryeqyteti i ri shqiptar nuk ishte Parisi i tij, por shkrimtari ka mbetur i surprizuar nga zhvillimi që kishte marrë Tirana dhe jeta që bëhej aty. Pjesa më ekzotike e përshkrimit është vizita në muzetë dhe bibliotekat me objekte dhe libra në frëngjisht. Qershia mbi tortë e ditëve të tij shqiptare ishte vizita në klubin e tenisit. Mes atyre që frekuentonin këtë klub, Larbaud ka shquar një grua, profesoreshë e Liceut të vajzave, të cilin e mori për franceze. E tillë ishte Tirana që ai pa.

Qeveria shqiptare ka pjesën e vet të përgjegjësisë dhe të fajit, kjo nuk vihet në diskutim. Mjafton të kujtojmë se premtimi më i rëndësishëm që Kryeministri Rama bëri, kur mori detyrën në shtator 2013, ishte se do ta bënte Shqipërinë anëtare të BE-së brenda 10 viteve. Arsyetime të tipit “fajin e ka opozita” si dhe “Berisha që falënderon Macron” janë qesharake. Por, përtej këtij diskutimi, përjashtimi që Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, na bëri dje me vendimin për të mos çelur negociatat për anëtarësim, është një zhgënjim për popullin dhe kombin tonë. Arsyetimi i tij se nuk mund t’ia shpjegonte dot popullit francez një vendimin për “po”, ishte edhe ofendim gjithashtu. Për të mos shkuar ende tek arsyetime të tjera që e mendojnë por nuk e thonë, që arsyeja kryesore është se BE-ja është një klub i krishterë dhe ne shqiptarët po penalizohemi meqë jemi me shumicë popullsie myslimane. Shqipëria ka qenë në Europë shpirtërisht që nga koha e Skënderbeut, me digën që ai u ngriti osmanëve për të mbrojtur krishterimin e Europës, duke përfshirë edhe Francën. Ky europianizim e ka ndjekur Shqipërinë edhe në momentet e saj më të vështira. Edhe në Luftën e Parë Botërore, kur francezët luajtën jo pak rol deri në Korçën tonë. Edhe në Konferencën e Paqes në Paris, më 1919, kur Franca mund të na kishte zhdukur fare nga harta me aleancat e saj me Serbinë, nëse nuk do kishte vënë veton Presidenti amerikan Thomas WoodroW Wilson. As edhe në vitin e largët 1932, kur në Tiranën që kishte vetëm 12 vjet kryeqytet, kishte muze, biblioteka e deri klub tenisi ku luanin edhe gratë, një prej të cilave Labraud e mori për franceze. Ja pasazhi që francezi i famshëm Valery Larbaud përshkruan Tiranën afro 9 dekada më parë, publikuar në librin: “Java jonë shqiptare”, botuar nga “Dituria” në Tiranë, faqe 54-56.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Para se të shkonim me veturë në klubin e tenist, ne vizituam edhe muzeun dhe bibliotekën. Biblioteka ka dy salla të mbushura me libra. Drejtori i bibliotekës na tregoi botimi e vitit 1632 të përkthimit të librit të njohur të Kalkondilit nga Blaise De Vigenere. Kjo gjë ishte për mua një lidhje e papritur ndërmjet Shqipërisë dhe Burbonesë, ndërmjet Tiranës dhe Sent Pursen syr Siul…

Swiss Digital Mobile Reklama

Bëmë një ndalesë te libraria “Argus”, më e madhja e dy librarive që ka Tirana, përveç një librarie tjetër të vogël ku shiten edhe gazetat. Aty pashë libra shqiptarë, francezë, italianë si dhe disa gazeta e revista gjermane.

Klubi i tenisit të jep përshtypjen e një vendi elegant që të kënaq dhe ka mjaft hije. Aty luhet deri natën vonë. Në klubin e tenisit ishin mbledhur mjaft diplomatë me gratë e tyre. Gruaja e ministrit serb është romane. Në klub flitej qoftë italisht, qoftë frëngjisht dhe herë – herë anglisht dhe gjermanisht. Por, frëngjishtja dhe italishtja janë gjuhët më të zakonshme që fliten më shpesh aty. Aty ndodhej edhe një grua e re shqiptare, profesoreshë në Liceun e Vajzave, e cila i ka kryer studimet në Vjenë. Kush do ta besonte se ishte shqiptare? Asaj i ka mbetur diçka nga natyra e studentes të universiteteve gjermane. Në fillim unë mendova se ajo ishte franceze, sepse flet një frëngjishte tepër idiomatike…”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?