Shoqëristët që mërdhijnë

Në intervistën e fundit pamë një kryeministër nervoz që u kërlesh me Fevziun, thua se gazetari ishte votuar për të përfaqësuar opozitën dhe atë e kishte zgjedhur populli për të bërë gërrnjarin në studio. Në mes shumë “të fortave”, hakërrimeve, akuzave, gjuhës së trupit, Edi Rama gjeti pak dekika për ta futur shoqërinë civile në arkëmort”

Nga Enkel Demi

Si gjithë qeveritarët e këtij vendi, Edi Rama nuk i shpëton dot tundimit për ta mikluar arrogancën me thënie të kripura, që çunat e Tiranës i thonë “të forta”, ndërsa latinët “batuta”. Në intervistën e fundit pamë një kryeministër nervoz që u kërlesh me Fevziun, thua se gazetari ishte votuar për të përfaqësuar opozitën dhe atë e kishte zgjedhur populli për të bërë gërrnjarin në studio. Në mes shumë “të fortave”, hakërrimeve, akuzave, gjuhës së trupit, Edi Rama gjeti pak dekika për ta futur shoqërinë civile në arkëmort.

Me thënë të drejtën mendova që fill pas kësaj shpallje vdekje, shoqëristët civilë do të shkonin dhe do i zinin derën me protesta kryeministrit qysh në Klan, por atë natë binte shi i madh dhe frynte erë, kështu që demonstruesit do e kenë lënë këtë punë për më vonë. Kanë dëgjuar si ninullë “Bandiera rossa” dhe ia kanë këputur gjumit. Tek e fundit, ditë e re, nafakë e re. Të gdhinte e nesërmja, shpresova, dhe ka për ta parë ky arrogant që lëshon “të forta”! Edhe të nesërmen ishte mot i lig, madje edhe të shtunën e këndit të lojërave të liqenit. Pikërisht të shtunën dikush e pyeti kryetarin e Bashkisë a pati protesta tek liqeni dhe ai i tha serbes se ka patur shi, ndaj ka vetëm punime për këndin e lojërave, se protestuesit nuk duan të lagen. E premtja dhe e shtuna pastaj shkuan me Zylien që dha emrin e Xhevries, me Salianjin që nxitoi në Mazrek. Me një fjalë e vetmja shoqëriste civile që prodhoi fundjava ishte ajo zonja e moshuar nga katundet e Tiranës që shet labot tek dera e shkallës së pallatit.

Të djelën, moti ishte pak më bujar. Çoku dilte ndonjë arnë diell, ndaj shoqëristët u ngjeshën dhe u mbathën e i lëshuan kryeministrit një copë gur në derë. “Është guri i vorrit i Rilindjes”, thanë ata.

Këtë vaki në fakt e kanë bërë shumë të tjerë më parë, tani mund të ishin të dyzetat apo gjashtë muajt a viti, por meqë kryeministri tha për ta ca “të forta” dhe ata u munduan ta sfidojnë kryerilindasin me “të forta”. Problemi është se doli një fije plagjaturë. Morti ishte shpallur që të enjten dhe të djelën robi nuk ka pse grindet për kufomën.

Protesta, demonstrata, them se përfaqëson nivelin e zhvillimit të një shoqërie. Kur ajo jepet me zemër e shpirt pas një çështje, nuk ka si stepet, se bën kohë e mirë a e keqe. Ata qytetarë që dolën në shesh në Budapest në -10 gradë me logjikën e shoqëristëve tanë duhet të bënin protestë pas dritareve të odave, se jashtë ishte acar. Braktisja në këtë mënyrë e meidanit rrëfen mungesën e kauzës, vullnetit, dëshirës dhe pa dyshim një shoqëri ende të rëndomtë që merr flakë si kashta. Histerikë për ca ditë, grindavecë me sho-shoqin për ca të tjera dhe gjumashë për çka tepron gjatë vitit.

Ndaj, në 1 qershor Erjoni i pret t’i tundë tek lisharset e reja tek liqeni.

27.al

SHKARKO APP