Shpëtim Nazarko: Përse shkoi Rama në Turqi e tani, në Greqi?

Nga Shpëtim Nazarko –

Megjithëse vizita e Ramës në Turqi, u sfumua nga ngjarjet e ngatërruara në Amerikë, për këtë vizitë do të flitet dhe besoj jo pak, në ditët e ardhshme. Pavarësisht se të vërtetën do ta mësojmë kur të hapen dikur, letrat e rezervuara që mbajnë kancelaritë. Shtypi shqiptar dhe një pjesë e analistëve të tij dhe veçanërisht ata kundër Ramës, nxituan të vënë edhe njëherë në pah rrezikun që vjen nga këto marrdhënie e veçanërisht në këto kohë kur në Turqi drejton një njeri që për shumicën e saj, por edhe në Europë konsiderohet autokrat i dorës së parë. Pastaj zu dhe u pyet, se cfarë kompesimesh duhet të bëjmë për dhuratat e bëra nga Turqia. Ca të tjerë, folën po ashpër, për zgjedhjen e forcimin e një miqësie, që nuk ka dhe nuk duhet të ketë vlerën e asaj me fqinjin tjetër, ku punojnë e jetojnë shumë bashkatdhetarë, pra Greqisë etj., etj.

Natyrisht, kur nuk ke informacione të dorës së parë, të tëra hidhen në fushën e hipotezave. Dhe është shumë e vështirë, të diskutosh mbi çështje ku detajet mungojnë. Mund të përgjigjesh a të përpiqesh të ndërtosh një lloj tabloje, megjithatë nisur nga detaje të shpërndara andej-këtej.

Në dy javët e fundit, Shqipëria dhe Greqia kanë rifilluar të diskutojnë për punët e detit. Megjithëse çështja ka shkuar, po t’i besojmë segmenteve qeverisëse apo shtypit, në Gjykatën ndërkombëtare. Dhe dukej çudi që Rama, të ngacmonte pa shkak, deklaratën e Greqisë për punën e 12 miljeve, bërë ca ditë më parë. Mund të heshtte e të bënte sikur nuk dëgjonte, sesa t’i hynte sherreve që këtu janë të pafundme dhe fusin menjëherë në lojë turmat e analistëve gjithfarësh. Këtë duhesh sikur duhet të bënte. Kjo edhe sepse do të duhet kohë e gjatë, për të mos thënë shumë e gjatë, për të ridalë si çështje në faqet e shtypit. Rama ka pasur gjë tjetër në vizierë dhe nisur dhe nga eksperienca e gjatë, futet me qejf në shakara të këtij lloji, duke bërë që kundërshtarët t’i ngrenë topin si në atë lojën e volejbollit. Ku ai, pastaj, gjuan edhe njëherë, më fort se herën e parë.

Po le të rihymë në çështjen që po diskutojmë. Nëse për Shqipërinë, çështja do kohë të rihapet, të njëjtën gjë nuk mund ta thuash për Greqinë dhe Turqinë, që kanë një problem analog mes tyre.

A duhet kërkuar këtu, një nga arsyet e vizitës së Ramës në Turqi? Akoma më shumë, se ajo vjen menjëherë pas vizitës së tij në Greqi. Ç’do të thotë kjo?

Elementi i drejpërdrejtë i dukshëm lidhet me bisedën telefonike të ministrit të Jashtëm grek me Ramën, një ditë para vizitës së këtij të fundit, në Turqi. Për se u fol? A ka të bëjë kjo, me çështjen e detit?

Vetë, besoj se është kjo. Dhe meqë Greqia, për këtë problem me Shqipërinë ka kohë për të diskutuar, pra, deri sa të vejë puna në Gjykatën ndërkombëtare, mbetet të themi, se diskutimi telefonik lidhet me çështjet e detit Greqi-Turqi dhe merakun e palës greke. E cila është po në të njëjtin hall si dhe Turqia, në këtë histori. Ku palët janë brenda asaj historisë që tregon Kadareja, në novelën e tij geniale “Viti i mbrapshtë”. Ku personazhit kryesor i këndohet kënga “Do sulmosh Trebinjën, po b… s’ta mban… Lule o Shestan”

Palët kanë ngrehur armët, po zënë pastaj e shikojnë të menduar anash…

Thënë thjesht, a po luan rolin e ndërmjetësit Rama, midis dy sherrxhinjve?

Të jetë e vërtetë kjo hipotezë, do të thotë t’i japësh atij shumë pikë. Në historinë e vendit, vetëm njëherë ka ndodhur kjo, në kohën e Vezirit të Janinës që mbahet një nga realizuesit e paqes anglo-ruso-turke, në vitet 1803-1804. Nuk e di a jemi në një rast të dytë, apo analogun e tij.

Mundet të jetë edhe kështu. Europa do të ndjehesh e lehtësuar, apo do ta pranonte me qejf, këtë përpjekje. Rama do të dilte akoma më i fortë, në lojën e tij në politikën e Jashtme. Vetë, nuk e quaj çudi, që të bëjë ndërmjetësin.

E kam shkruar këtë edhe dhjetë ditë më parë, në një editorial te Konica, si hipotezë. Kuajt e karvanit pritës për Ramën, vizita e papritur në dy vendet njëherësh dhe vlera e vogël ekonomike e marrëveshjes së nënshkruar, që duket se vetëm mbulojnë qëllimet reale të vizitës, e forcojnë këtë bindje.

Mbetet të shohim. Nëse është kështu, do të ishte gjë e mirë. Po jo, më e mira. Gjithnjë, besoj se gjeopolitika e vendit, duhet të jetë e përcaktuar njëherë e mirë nga institutet strategjike dhe jo nga individët, sado të mirë e të zgjuar të jenë ata. Ata quhen të saktë e të mençur, vetëm nëse para se të bëjnë një gjë, të venë më parë, atje ku janë shkruar parimet apo Gjeopolitika e vendit. Në të cilën, mbeten vetëm zbatues, si ata nxënësit e zellshëm. Në të kundërtën shijojnë çastin, që siç thoshte Plaku Dritëro, ka kushëri vetëm turmën.(konica.al)

SHKARKO APP