Shpresa vdiq e para…bashkë me të vdiqën dhe shpresat e një familjeje!

Nga Alma Nikolli

Shpresa ia vunë emrin. Projektuan në emrin e saj ditë më të mira, dritë, pozitivizëm e jetëgjatësi.

Por Shpresa nuk vdiq e fundit, vdiq sot, në mesin e jetës së saj.

Shpresa vdiq duke vdekur shpresat e familjes së saj të pashpresë!

Shpresa Rami, as nuk humbi jetën e as nuk u shua, po vdiq sot në minierën e Bulqizës. Atje në nëntokë vdesin njerëz shpesh.

Ata vetë janë të mësuar disi me vdekjen, janë larg ajrit e zogjve dhe afër dheut e krimbave.

Shpresa, ndoshta kishte shpresë se në “mbitokë”, duke seleksionuar kromin oksigjeni nuk do t’i mungonte edhe për disa vite të tjera, por jo, miniera e vdekjes nuk kursen.

Ajo vdiq në sheshin e grumbullimit të mineralit, u shtyp nga një fadromë. Do të diskutohet pak më shumë se vdekjet e shpeshta që ndodhin në këtë minierë për faktin se ishte grua.

Ndoshta feministe e jo feministe do të flasin për të drejtat e një gruaje të fortë që punonte për të jetuar, ama për vdekjet e përditshme do të heshtet shpejt.

Në fund të fundit jemi mësuar, do të ishte e habitshme nëse dikush nuk do të vdiste në Bulqizë…nëse atje ka vdekje do të thotë që po punohet…

Minatorët i kemi çuar atje në nëntokë, midis dy botëve. Problem nuk përbëjnë as kur vdesin, e as kur jetojnë!

SHKARKO APP