Shqipëri-Serbi, a vepruam mirë diplomatikisht?!

 

Nga Ben Andoni/

 Ka mjaftuar vetëm një gur, hedhur nga një katërmbëdhjetëvjeçar i papërgjegjshëm, që më shumë ka dëmtuar shoferin shqiptar sesa sigurinë absolute të lojtarëve të përfaqësueses serbe në Tiranë, që ambasadori ynë fuqiplotë në Beograd Ilir Boçka të marrë një karton të verdhë diplomati, që do të thotë se për gjashtë muajt e ardhshëm nuk do ketë kontakte me autoritetet e shtetit serb.

Në dukje nuk është asgjë, por në thelb ka treguar sërish brishtësinë dhe mungesën e taktit diplomatik të dyanshëm, ku paradoksalisht më shumë pesha bie mbi palën shqiptare. Në këtë rast, ambasadori shqiptar nuk mund ta refuzonte notën e protestës, sepse realisht Shqipëria nuk ka pse të shqetësohet.

Ambasada shqiptare edhe nëse do kishte pasur paqartësi apo mundësi ta merrte si dokument, do t’i mjaftonte një telefonatë me Tiranën zyrtare të hidhte dritë mbi situatën dhe t’ia kthente palës serbe mu direkt në zyrën e tyre notën, duke i bërë të qartë dhe fryrjen e panevojshme, por brenda etikës diplomatike.

Më tutje, shqetësimi tjetër ka qenë reagimi i zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme shqiptare, ku binte në sy mosprofesionalizmi: “Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomatëve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara”. Për hir të së vërtetës, përgjigja duhej t’i takonte thelbit të procedurës diplomatike dhe jo komenteve.

Shqipëria në orët e fundit ka treguar një kujdes të jashtëzakonshëm për të gjithë mbarëvajtjen e ndeshjes, ndërsa vetë kryeministri i vendit ka dhënë mesazhe të qarta pajtimi dhe sigurie.

Tashmë u takon të gjithë strukturave të ndjekin logjikën e tij. Që do të thotë se Ministria e Jashtme, përmes diplomatit të saj, jo vetëm duhej të priste notën, por shumë mirë mund t’ia kthente përballë, duke dhënë dhe versionin e saj, që i qëndron dhe e provoi realitetin ose me një kundër-notë mund t’ia përcillte ambasadorit serb në Tiranë, pa krijuar këtë tollovi.

Në rastin e Serbisë, protokolli diplomatik dhe respekti ndaj procedurës lyp të jetë i maturuar, sepse është shteti që gjithnjë e ka vënë në mëdyshje shpesh aftësinë shtetformuese të shqiptarëve. Në një akt të tillë u kemi dhënë një dorë që të përsëritin gjëra që nuk kemi qejf dhe na kanë mërzitur për anakronizmin e tyre.

Për këtë duhej të kujdesej diplomati ynë, sepse është dita reale e tagrit të tij dhe po aq edhe e zyrtarëve të Ministrisë së Jashtme, që lëshuan thjesht një koment të dobët diplomatik dhe sqarimin patetik.

Shqipëria është në të drejtën e saj dhe në këtë rast edhe me të gjithë tagrin moral, mbas zbardhjes së incidentit, që brenda protokolleve t’u tregojmë serbëve se kemi të drejtë dhe jo vetëm kaq por se jemi një shtet i maturuar edhe nga ana diplomatike, që nuk na tundin jo guriçkat por edhe insinuatat dhe penalitetet e çfarëdolloji, që në fakt se tregojnë shumë serioze vetë Serbinë. (Javanews.al)

SHKARKO APP