Shqipëria 2015 sipas “Zeri i Amerikes”
Nga zgjedhjet për pushtetin vendor, te dekriminalizimi, ashpërsimi i luftës politike dhe reforma në Drejtësi. Ekonomia sërish në vështirësi. Ndërsa kombëtarja e futbollit bën historinë duke u kualifikuar për në finalet e Europianit Francë 2016
Më shumë se zhvillimet politike të ngarkuara si zakonisht me zhurmë, përplasje e ndarje , viti 2015, do të mbahet mend ndoshta më tepër për një ngjarje të vecantë, që bashkoi të gjithë shqiptarët duke u bërë ata krenar si komb. Për herë të parë në histori, Shqipëria u kualifikua për në finalet e Europianit të futbollit që do të mbahet në Francë qershorin e ardhshëm.
Kualifikimi ishte realizimi i një ëndrre të cilën thuajse askush nuk kishte besuar se mund të bëhej e vërtetë. Shqipëria u rendit e dytë në grupin e saj pas Portugalisë.
Lojtarët e kombëtares u pritën si heronj të nesërmen, më 12 Tetor, në kthimin e tyre nga Armenia, që në areoport, ndërsa rrugët ishin mbushur plot.
Mijëra njerëz u grumbullluan edhe në sheshin para qeverisë ku kryeministri organizoi një pritje të vecantë. “JU fituat, barazuat, humbët, u ngjitët, u rrëzuat dhe u rinhgitët, duke shkruar një faqe të lavdishme që padyshim që do të shkëlqejë përgjithmnë falë kualifikimit, që nuk do të ishte pa shkëlqim edhe sikur të mos ishit kualifikuar”, deklaroi zoti Rama para lojtarëve.
Pas kryeministrisë ndalesa e radhës ishte te presidenti Bujar Nishani. “Kombëtarja jonë ja doli mbanë. Ka bashkuar dhe ka njehsuar pjestarët e një kombi më shumë se sa politika, demogogjia, ideologjia apo retorika boshe”, nënvizoi presidenti.
Më pas një festë e madhe në Sheshin Nënë Tereza, ku nën tingujt e muzikës futbollistët, trajneri dhe anëtarë të federatës, ju gëzuan arritjes më të madhe në historinë e këtij sporti.
Dy muaj më vonë, më 12 dhjetor, në Paris, u hodh shorti. Shqipëria u rendit në një grup me Francën, Rumaninë dhe Zvicrën. Për trajnerin italian Gianni De Biasi megjithatë nuk është një mision i pamundur
DEKRIMINALIZIMI DHE CESHTJA DOSHI
Ndonëse marrëveshja u nënshkrua dhjetorin e vitit të shkuar dhe cështja e dekriminalizimit do të duhej të mbyllej brenda gjysmës së parë të vitit, ajo do të zvarritet gjatë, mes shumë propozimesh në kohë të ndryshme
Demokratët deklarojnë që në fillim të vitit se do të jetë prioriteti i tyre. Më 19 Shkurt, parlamenti do të miratojë ngritjen e komisionit të posacëm. Një javë më pas shpërthen Cështja Doshi. Deputeti socialist deklaron para derës së parlamentit se “kur të flas unë më tepër do t’I dridhen themelet, mazhorancës dhe qeverisë”.
Deputeti përjashtohet pas pak ditësh nga radhët e PS. Menjëherë ai deklaron se “Edi Rama sot ka një tutor që quhet Ilir Meta I cili ka paguar lekë për të më vrarë mua dhe Mhill Fufin”, deputet demokrat.
Pak më vonë ai do të publikojë dhe videon me personin e paraqitur si atentator Durim Bami. Për autoritet kjo cështje nuk është e panjohur dhe nuk u kuptua pse hetimet nuk nisën më parë por vetëm pas daljes publike të deputetit Doshi. Për javë të tëra kjo temë do të trazojë politikën shqiptare.
“Jep dorëheqjen menjëherë”, ishte kërkesa e përsëritur në sallën e parlamentit nga ish kryeministri Sali Berisha. Zoti Meta u përgjigj duke ju drejtuar po zotit Berisha: “Për ty bëj cdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishn e kam dhënë një herë dorëheqjen. Nuk e jap dy herë”.
Opozita organizon dhe një protestë më 12 Mars. “I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë: Ik, jep dorëheqjen”, deklaroi në fjalën e tij kreu demokrat Lulzim Basha.
Hetimet për rastin do të rrjedhin me shpejtësi dhe si asnjëherë më parë në prokurori do të paraqiten një numër i madh figurash politike. Në ngjarje do të përfshihet dhe deputeti tjetër Mark Frroku, pjesë e shumicës. Së bashku me atentatorin e dyshuar, Doshi dhe Frroku do të vihen nën akuzë dhe do të arrestohen më 26 Mars. Për deputetin Frroku do të hapet dhe cështja e vrasjes së dyshuar në Bruksel, në vitin 199, e cila do t’i hajë kokën drejtorit të Përgjithshëm të policisë Artan Didi. Ky i fundit dha dorëheqjen më 31 Mars, pasi në zyrat e Interpolit Tiranë kërkesa e autoriteteve belge rezultoi të ishte zvarritur.
Rasti Doshi u shfrytëzua nga opozita për të këmbëngulur për cështjen e dekriminalizimit, duke depozituar propozimet e saj. Por debatet për personat e inkriminuar të përfshirë në politikë do të rikthehen në fushatën zgjedhore. Një zë i fortë do të jetë ambasadori amerikan Donald Lu. “Kemi identifikuar disa emra personash me histori të mundshme kriminale dhe jemi duke I diskutuar rastet e tyre me udhëheqësit politik”, u shpreh ambasadori Lu më 27 Prill.
Tre ditë më pas e majta paraqitet me një propozim pas atij të mëparshmit të demokratëve, të cilët bëjnë një hap duke tërhequr kandidatin e saj në Këlcyrë . Socialistët, pavarësisht dyshimeve për emra konkret, nuk bëjnë asnjë lëvizje.
Në Korrik do të jenë sërish amerikanët. Këtë herë përmes asistentes së Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euroazinë Victoria Nuland, e cila gjatë vizitës së saj në Tiranë, do t’i mëshojë sërish kërkesës për dekriminalizimin. Pak ditë më vonë, raporti i Departamentit amerikan të shtetit do të përmendë faktin se një deputet shqiptar është dënuar më parë për trafik të qenieve njerëzore. Bëhet fjalë për socialistin Arben Ndoka, i cili në shtator do të japë dorëheqjen si deputet. Në fund të nëntorit të njejtin veprim do të bëjë dhe Mark Frroku.
Kryeministri Rama njoftoi më 30 Korrik se në sesionin e ri e majta do të paraqesë variantin e saj. Një ditë më pas demokratët dalin me propozimet e tyre, ndërsa qeveria do të miratojë ligjin në shtator. Pavarësisht përplasjeve palët arritën të uleshin dhe vetëm në nëntor gjetën dakortësinë. Pak javë më vonë dhe për ndryshimet kushtetuese. Parlamenti voton më pas në unanimitet. Ambasada amerikane dhe ajo e delegacioonit të Bashkimit europian përshëndesin miratimin.
DREJTESIA
Për BE-në shembulli i dialogut në hartimin e paketës së dekriminalizimit duhet të shërbejë edhe për reformën në Drejtësi. Një reform, e cila me fjalët e ambasadorit amerikan vlerësohet si më e rëndësishmja e 25 viteve demokraci në Shqipëri.
Në gjysmën e parë të vitit komisioni i posacëm për Reformën në Drejtësi do të angazhojë me dhjetra ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas për të bërë një analizë të detajuar të sistemit. Ndërsa kjo fazë sapo kishte përfunduar Presidenti Bujar Nishani, i cili vinte nga një periudhë e gjatë përplasjesh me shumicën, u shfaq kritik në një takim me dyer të mbyllura të zhvilluar më 3 qershor. Ai foli për një proces të njëanshëm. Demokratët të cilët nuk janë bërë pjesë e komisionit pasi këmbëngulin për numër të barabartë përfaqësimi dhe bashkëkryesim, janë gjithashtu kritik
Në prezantimin e analizës së sistemit, më 8 Qershor, ambasadori amerikan Donald Lu foli pa doreza për gjendjen e Drejtësisë: “Në sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë duhet të cohen në burg”.Ndërsa ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin theksoi se reforma duhet të jetë e plotë e thellë dhe pa kompromis.
Të dy ambasadorët do të angazhohen si rrallë më parë. Fillimisht ata ndërmjetësuan përfshirjen e opozitës në Komisionin e posacëm, e cila bie dakort më 7 Korrik. Ndërsa po ecej me propozimet për ndryshimet kushtetuese, kryetari I komisionit Fatmir Xhafaj këmbëngul në idenë e një reforme të thellë: “Ndryshimi i gjendjes, nuk pranon makiazh, por ndërhyrje kirurgjikale”, u shpreh zoti Xhafa më 5 Gusht.
Në Shtator miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat një muaj më pas i dërgohen Komisionit të Venecias. Opozita është sërish kritike dhe paraqet propozimet e saj për Komisionin e Venecias, më 28 Shtator. “Jemi kundër kapjes së sistemit të Drejtësisë, dhe emërimeve në të gjithë sistemin e DRejtësisë nga Rama”, deklaroi deputeti demokrat Eduard Halimi. Ndërsa presidenti Nishani, përmes një letre dërguar Komisionit, shpreh objeksione të shumta si për mënyrën me të cilën ka vepruar Komisioni ashtu dhe me përmbajtjen e ndryshimeve.
Në pjesën e mbetur të vitit, ambasadori amerikan do t’i japë një mbështetje të hapur Reformës e cila parashikon gati gati një përmbysje të të gjithë sistemit aktual. “Mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara i mbështesin plotësisht propozimet aktuale”, u shpreh zoti Lu më 13 Nëntor. Sipas ambasadorit amerikan, kundër kësaj reforme janë “ministrat e korruptuar, deputetët kriminelë, gjykatësit e paaftë dhe prokurorët që marrin paratë tuaja por kurrë nuk e ndjekin penalisht dikë”.
Së bashku me ambasadoren e Bashkimit europian, ata të vendeve anëtare, ai do të angazhohet në një fushatë intensive, për të përkrahur reformën.Ndryshimet Kushtetuese marrin një vlerësim paraprak nga Komisioni i Venecias në dhjetor. Zërat kritik nuk do të mungojnë, Mes tyre, vec opozitës dhe kryeprokurori Adriatik Lalla e ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Për ambasadorin Lu “disa njerëz të pushtetshëm në Shqipëri kanë frikë. Kanë frikë se do të humbasin vendin e punës dhe të ardhurat e pista. Por kanë frikë se mund të përfundojnë në burg. Ndoshta duhet të kenë frikë”, theksoi ambasadori gjatë një fjale më 22 dhjetor.
Të nesërmen ai takon ish kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Basha. Ky i fundit garanton mbështetje për rekomandimet e Venecias. “Ky dokument është harta e rrugës”, deklaroi zoti Basha. Në të njejtën ditë edhe LSI do të rikonfirmojë mbështetjej ndaj dokumentit të komisionit të Venecias. Megjithatë, beteja për reformën mbetet e hapur
ZGJEDHJET
Zgjedhjet për pushtetin vendor u zhvilluan për herë të parë sipas ndarjes së re territoriale. Ato nuk sollën ndryshime mes kampeve. E majta rikonfirmoi diferencën e thellë me të djathtën, por mes socialistëve dhe aleatit kryesor Lsi do të shfaqen përplasjet e para. Në gjysmën e dytë të vitit tensioni politik do të rritet, dhe në sfondin e akuzave gjithnjë e më të shpeshta për korrupsion në majat e larta të pushtetit, opozita do t’i rikthehet protestave, këtë herë për të kërkuar, një qeveri teknike
Ndërsa për qeverinë zgjedhjet e 21 qershorit janë testi i parë pas ardhjes në pushtet, për kreun e opozitës Basha, ato janë një sfidë e dyfishtë, për katërvjecarin e tij si kryebashkiak i Tiranës nga njëra anë dhe si drejtues i opozitës nga ana tjetër. Ky i fundit është dhe roli i vetëm që zgjedh të luajë. “Kam zgjedhur të mos rikandidoj për Bashkinë e TIranës, port ë drejtoj opozitën”, deklaroi zoti Basha më 31 Mars.
Kryeministri Rama nga ana e tij zgjeroi aleancat në prag të zgjedhjeve, duke krijuar një koalicion me 37 parti politike. Kandidatëve të aleatit të tij kryesor do t’i bësohen 15 nga 61 bashkitë e reja të vendit. Në ndryshim nga e kaluar e djathta do të paraqitet me një koalicion të tkurrur, me vetëm 15 parti.
Si gjithnjë vëmendja u përqëndrua në Tiranë. Të dy kampet i shpallën kandidaturat në të njejtën ditë e thuajse në të njejtën orë, më 16 Prill. “Shumë shkurt, kandidati ynë i Aleancës për Shqipërinë europiane për Bashkinë e Tiranës është Erion Veliaj”, njoftoi zoti Rama.
Përballë, demokratët nuk preferuan një politikan: “Ju tani e dini, kandidati ynë është dokotro Halim Kosova”, deklaroi nga ana tjetër kryetari demokrat Basha.
Gjatë gjithë fushatës opozita këmbënguli se vota e 21 qershorit do të jetë një referendum kundër qeverisë. “Përgjigja që do t’I japim më 21 Qershor nuk se sit ë jetë përvcese një përgjigje politike”, u shpreh në mënyrë të përsëritur zoti Basha.
Socialistët do t’i mëshojnë denigrimit të kundërshtarit. “Forca që paraqitet si alternativë është një forcë antiqytet, në kuptimin antiurbanizim, një vulgaritet demokratik”, tha zoti Rama në një nga takimet elektorale.
Më 21 qershor e majta siguron një fitore të thellë në 45 bashki, kundrejt vetëm 15 që i kaluan opozitës. Në Jug bashkia e Finiqit shkoi për kandidatin e partisë Mega të minoritetit grek. Në qytetet kryesore e majta fiton thellë. Në Tiranë Veliaj grumbullon 44 mijë vota më shumë dhe flet për “një rezultat I paprecedent.Zoti Halimi i uron rivalit të tij fitoren.Në nivel këshillash bashkiakë e majta grumbullon edhe më shumë vota, mbi 990 mijë përkundrejt 507 mijë të së djathtës.
Të nesërmen e zgjedhjeve vëshguesit ndërkombëtar theksuan pengesat e procesit për shkak të mungesës së vullnetit politik, ndërsa thanë se kishte patur akuza për presione dhe blerje votash. Në daljen e tij të parë, më 23 Qershor, zoti Basha deklaron se “këto zgjedhje janë një hap i madh për Partinë demokratike. Më vonë ai do t’i mëshojë akuzave për manipulim. Megjithatë zëra të rëndësishëm në parti do të pranojnë se opozita humbi.
Në kampin tjetër, rezultati i zgjedhjeve nxiti fërkimet e para publike mes socialistëve dhe Lsi-së. Të dyja palët dyshojnë në sinqeritetin e njëra tjetrës gjatë zgjedhjeve. Dyshimet do të shfaqen dhe më të forta, ndonëse jo publikisht, me shpërthimin, në fillim të shtatorit, pas një publikimi të BIRN-it, të cështjes DIA, kompanisë së përzgjedhur nga ish cekët e CEZ, për mbledhjen e borxheve. Dokumentat e avokatëve të huaj të qeverisë flasin për para që kompania DIA, dhe pronari i saj Kastriot Ismailaj, në burg për mashtrim, kishin dhënë për një ish kryeministër dhe një ish zyrtar të ERE-s, për të përfituar kontratën.
Opozita drejton gishtin nga kryetari i parlamentit Ilir Meta, ish kryeministër në fillim të viteve 2000. “Largimi i tij nga detyra është një parakusht që cështja të zbardhet e plotë”, deklaron kryetari i opozitës Basha. “Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe për këdo tjetër”, deklaroi zoti Meta në Parlament.
Kësaj cështje i shtohet dhe rihapja nga opozita e marrëveshjes së një viti më parë të qeverisë me CEZ-in. E djathta flet për një megaskandal dhe kërkon hetim ndërkombëtar. “Paqja dhe stabiliteti i vendit e kanë jetik këtë hetim”, shprehet nga ana e tij ish kryeministri Sali Berisha. E majta thotë se është dakort në parim, por se duhet hetuar dhe blerja nga CEZ-i i operatorit të shpërndarjes së energjisë. Propozimi i opozitës për hetimin ndërkombëtar do të hidhet poshtë më vonë.
Në LSI dyshojnë se pas publikimit të dokumentave për DIA-n qëndron kryeministri Rama, dhe se ky i fundit kishte hyrë në tratativa të fshehta me opozitën. “Eshtë i vetmi kryetar opozite që në vend që të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit, sic ndodh në cdo vend të botës, kërkon vetëm dorëheqjen e kryetarit të parlamentit”, u shpreh zoti Meta më 26 Shtator nga Skrapari për kryetarin demokrat Basha. Nga LSI-ja nisin të intensifikohen mesazhet për ndryshime në qeveri: “Kërkojmë impulse të reja qeverisëse” thotë zoti Meta më 5 Tetor, pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij.
Ndërsa kryeministri hedh poshtë cdo mundësi ndryshimi, në mënyrë të papritur, më 9 Nëntor, jep dorëheqjen ministri i Drejtësisë Nasip Naco. Brenda ditës, ai do të zëvendësohet nga përfaqësuesi tjetër i LSI-së Ylli Manjani. Palët shpeshtojnë takimet publike me njëra tjetrën, por duket se mosmarrëveshjet vetëm sa mbulohen përkohësisht.
Opozita nga ana e saj ka rritur tonet. Denoncimet për korrupsion të qeveritarëve janë gjithnjë e më të shpeshta. Në qendër të sulmeve do të jenë kryesisht ministri i Brendshëm Tahiri dhe ai i Shëndetësisë Beqja. Në fund të vitit e djathta beson se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme: “Rrugë të mesme nuk ka. Nuk ka më kohë dhe nuk duhet t’I japim më kohë, qeverisë së Edi Ramës me 40 hajdutë”, deklaroi zoti Bashan në protestën para qeverisë më 8 Dhjetor. Protesta mbyllet me djegien e bunkerit të ngritur pranë ministrisë së Brendshme si pjesë e një projekti kulturor. Dy protesta të tjera do të pasojnë para parlamentit me premtimin se në Janar beteja do të jetë dhe më ashpër
EKONOMIA
Ekonomia do të jetë një temë e fortë debatesh në betejën politike. Qeveria u detyrua të rishikojë me ulje parashikimet e saj për rritjen ekonomike, ndërsa ndërmori në gjysmën e dytë një aksion kundër informalitetit, pas dështimit në mbledhjen e të ardhurave
Në muajin shkurt Banka e Shqipërisë uli normën bazë të interesit në 2 përqind për të stimuluar ekonominë. Por në nëntor do të detyrohet të bëjë një tjetër ulje po me 0.25 pikë përqindje. Për 2015 autoritet parashikonin një rritje prej 3 përqind, e cila u konfirmua në mars dhe nga misioni i Fondit Monetar, më 17 Mars. Prodhimi i Brendshëm Bruto do të rezultojë në nivelin e 2.8 përqind, për të zbritur në tremujorin e dytë në 2.5 përqind
Në mesin e vitit do të rritet shqetësimi për efektet e krizës greke. Por autoritetet, sikundër dhe FMN-ja theksojnë se nuk ka vend për panik. Në të vërtetë ekonomia shqiptare ka një tjetër problem, rënien e fortë të të ardhurave. Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk pranon të miratojë këstin e radhës në përfundim të misionit më 30 Qershor. Në fund të korrikut qeveria do të rishikojë buxhetin. Parashikimi per rritjen ekonomike do të ulet. Për opozitën, “Edi Rama legalizoi vjedhjen e 160 milion dollarëve nga tatimet dhe doganat e vendit”, deklaroi pak ditë më pas zoti Basha.
Për autoritetet gropa në të ardhurat është shkaktuar nga shkaqe të konjukturave të tregjeve. Megjithatë rënia e lirë do të vazhdojë dhe në pjesën tjetër të vitit, ndërkohë që qeveria do të nisë një operacion të gjerë kundër informalitetit. “Lufta ndaj informalitetit do të jetë kryefjala e këtij 300 ditëshi të tretë qeverisës”, u shpreh zoti Rama më 31 Gusht.
Operacioni do të shoqërohet me polemika e kritika për shkak të shtrirjes së tij kryesisht ndaj biznesit të vogël, apo dhe arrogancës të shfaqur jo rallë nga grupet e kontrollit në terren. Një fenomen të cilin do e pranojë më vonë dhe kryeministri Rama i cili njoftoi lehtësira për “të gjitha bizneset nga 0 deri 50 milion lekë në vit,të cilat do të crregjistrohen nga tatimi I thjeshtuar”. Por për opozitën qeveria “para 10 ditësh kopjoi propozimin tonë për pullën fiskale, dhe sot propozimet tona për detaksimin për biznesin e vogël”, tha zoti Basha.
Operacioni kundër informalitetit i hap rrugën lëvrimeve të kështeve nga Fondi Monetar i cili vlerëson në linjë me programin rezultatet e arritura, si dhe objektivat e buxhetit. Por në parlament debatet do të jenë të zjarrta.
Ekonomia e cila me vështirësi po ngre kokën vlerësohet si ndër arsyet kryesore të një fluksi të pazakontë shqiptarësh që i drejtohen Gjermanisë. Autoritetet në fillim do të flasin për keqkuptim të njoftimeve për hapje vendesh pune në Gjermani, pastaj për nxitje nga grupet e trafikantëve dhe së fundi, se pjesa më e madhe e më shumë se 50 mijë shqiptarëve, janë emigrantë që kishin jetuar më parë në Greqi, një variant të cilin Ministri i brendshëm gjerman nuk e konfirmoi gjatë vizitës në Tiranë.