Shqipëria bëhet me shtetarë e jo vagabondë
Nga Dr. Bledar Kurti –
“Nuk drejtohet duke i goditur njerëzit mbi kokë – kjo është dhunë dhe jo shtetari,” ka thënë Dwight D. Eisenhower, Presidenti i 34 i ShBA.
Vitet e fundit Shqipëria rankohet e fundit në Evropë për nivelin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, klimës së biznesit, zhvillimit ekonomik e të qendrueshëm, lirinë e medias, pagat, pensionet dhe në çdo sektor tjetër ku kërkohet shtetari, vizion dhe strategji.
Ndërkohë Shqipëria është e para për korrupsion, papunësi, trafiqe, pastrim parash, emigracion dhe shpopullim, e shumë sektorë të tjerë të cilat kanë pësuar degradim “per se” dhe rritje tragjike pasi në vend të shtetarisë është praktikuar bullizmi. Drejtimi i shtetit duke goditur njerëzit mbi kokë e jo duke treguar lidership.
Duke goditur mjekët dhe infermierët, heronjtë e heshtur të këtij vendi, duke i etiketuar si bluze të zeza. Duke i quajtur të gjithë gjyqtarët djaj; oficerët e policisë së shtetit si të korruptuar; artistët matrapazë; mediat kazan; profesorët si të prapambetur; rininë dembele; të varfrit dështakë; biznesin e ndershëm
armik; shqiptarët tradhtarë sepse nuk pajtohem me eksperimente lunatike të mini-shengut apo shkëmbimeve të territoreve.
Por dhuna qeveritare ka shkuar edhe më tej profesioneve. Ajo ka goditur esencën e identitetit dhe vlerave tona kombëtare. Me dhunë u prish teatri kombëtar, zona arkeologjike, parqe e lulishte. Me dhunë parlamentare u gris e u shkel me këmbë Kushtetuta e Republikës sonë. Me dhunë parlamentare u eksperimentua me arsimin, me institucionin e familjes, dhe përmes Korporatës së Investimeve u rrëmbyen edhe tokat dhe pronat e shqiptarëve.
Me dhunë psikologjike dhe varfëri u larguan 400 mijë shqiptarë, shumica prej të cilëve të rinj.
Me dhunë e me goditje mbi kokë mbi çdo shqiptar apo kategori të shoqërisë u vra shpresa.
Shqipëria kërkon lidership që drejton duke shërbyer dhe jo që e godet popullin e vet mbi kokë. Kërkon shtetari që e mbron atdheun dhe kombin; që qëndron në krah të biznesit për ta ndihmuar e jo ndëshkuar; që projekton të ardhmen dhe jo që largon rininë në të tashmen. Shtetarë që mendojnë për brezat e ardhshëm dhe jo zgjedhjet e ardhshme. Shtetarë që bandat i çon përpara drejtësisë dhe jo i nxjerr nga burgu; që hap vende të reja pune e jo që mbyll me mijëra e mijëra nga ato ekzistueset.
Shtetarë që ndërtojnë një Shqipëri tek e cila kthehen bijtë e shqiponjës nga jashtë kufijve e jo tradhtarë të kombit që hartojnë e zbatojnë plane të errëta shpopullimi.
Shtetarët e vërtetë kanë zemrën e shërbëtorit ndaj popullit dhe jo të ndëshkuesit. Mjaft u ndëshkua Shqipëria dhe shqiptarët ka ardhur koha ndëshkimin ta marrin tiranët.