Shqipëria do të kujdeset për sigurinë e kufijve të saj të jashtëm

Nga ‪‎Ilir_Meta‬

Kriza e tanishme e migracionit është një problem që prek të gjithë Europën, prandaj ajo kërkon trajtim mbarë europian dhe koordinim të plotë. Zgjidhja e saj duhet të jetë një prioritet absolut për të gjithë Europën, sepse pasojat e mundshme destabilizuese mund të jenë të pallogaritshme. Për këtë arsye edhe Shqipëria është e gatshme të kontribuojë brenda mundësive të saj modeste. Çdo shtet ka të drejtën të kontrollojë kufijtë e tij sipas vlerësimit që bën dhe të marrë vendime mbi pranimin e azilkërkuesve apo të lejojë flukse migrantësh ekonomik. Por, çdo shtet ka edhe detyrimin t’u ofrojë ndihmë humanitare njerëzve në nevojë.
Kriza e tanishme do të zgjasë për sa kohe do të ketë dhunë në vendet e origjinës. Kur dhuna të pushojë, do të fillojë edhe faza e rindërtimit të këtyre vendeve. Sa më larg të jetë vendi i origjinës nga vendi i migrimit, aq më i ulet bëhet probabiliteti që këta refugjatë lufte të rikthehen në vendet e tyre. Kjo është një arsye për të reflektuar ashtu sikurse është dhe fakti që valë të tilla masive dhe të pakontrolluara migratore që largohen për shkak të luftës, sikurse po përjetojmë këto kohë, të sjellë me vete pasoja negative në aspektin afatgjatë. Rreziku që në mes tyre të ketë dhe terroristë që hyjnë në Europë është real. Ngjarjet e fundit në Paris dhe Bruksel e kanë vërtetuar këtë katërcipërisht.
Shqipëria ka mirëkuptim të thellë për atë që po përjetojnë ata që largohen nga vendet e tyre për shkak edhe të eksperiencave tona të pasviteve 90-të apo gjatë viteve të krizës ballkanike. Mbi një milion shqiptarë u larguan atëherë nga Shqipëria dhe filluan një jetë të re në vendet e Europës. Ndërsa gjatë luftës së Kosovës ishim ne që mikpritëm dhe strehuam valën e paprecendetë të të shpërngulurve me dhunë.
Por Europa e ditëve tona nuk është më e njëjta. Sot rryma nacionaliste po zënë vend dhe po vendosin mbi politikat migratore, shpesh dhe në kurriz të refugjatëve. Ndërkohë, këta njerëz janë në udhëkryq dhe po largohen nga vendet e tyre për shkak të rrethanave të tmerrshme. Askush në Europë nuk duhet t’i stigmatizojë. Humanizmi dhe solidariteti duhet të jenë më të forta se sa frika.
Gjatë vitit të shkuar, më shumë se një milion refugjatë janë zhvendosur nga vende ku ka konflikte dhe kanë mbërritur nëpërmjet Greqisë në BE. Ky numër i tejkalon kapacitetet dhe resurset e vendeve në korridoret e tranzitit, veçanërisht të atyre vendeve që nuk janë ende anëtare të BE-se.
Dhe duhet të jemi të qartë se, përsa kohe që korridoret përmes Ballkanit mbeten të bllokuara, së shpejti mund të synohen rrugë të tjera, për të tentuar kalimin përmes Shqipërisë në drejtim të veriut apo kalimi i Adriatikut drejt Italisë. Ata tashmë janë pranë kufijve tanë.
Si një vend europian, Shqipëria do të marrë përsipër përgjegjësinë e saj si përkundrejt qytetarëve të saj ashtu dhe përkundrejt BE-së, sikurse do t’i ofrojë ndihmë njerëzve në nevojë. Në bashkëpunim me BE dhe me fqinjët tanë ne do të marrim masa parandaluese për të përballuar një situate të tillë të mundshme. Ndërkohë, Shqipëria do të veprojë në mënyrë proaktive për të shmangur një valë migratore të pakontrolluar. Ne po punojmë me partnerët tanë për të forcuar kapacitetet tona për kontrollin e kufijve. Por ne nuk do të ndërtojmë mure.
Ne duhet të marrim gjithashtu dhe masa përkundrejt rrezikut real të depërtimit të terroristëve me masat e refugjatëve me synim depërtimin e tyre në Europë. Ne po marrim masa ndërkohë për të forcuar kapacitetet për një regjistrim dhe verifikim sa më të plotë të personave që mund të hyjnë në vendin tonë. Për këtë është e nevojshme që të kemi një shkëmbim më të mirë të informacioneve dhe bashkëpunim të agjencive ligjzbatuese, si dhe një mbështetje më të gjerë nga ana e BE-së. Çdo vend tranzit që preket nga valet migratore duhet të jetë në gjendje të verifikojë, se personat që paraqiten si azilante nga vendet e luftës janë vërtetë ata që pretendojnë të jenë. Ne duhet të jemi në gjendje të sigurohemi se këta persona nuk kanë lidhje me grupet terroriste dhe për këtë duhet një shkëmbim i shpejtë i të dhënave biometrike me vendet e BE-së.
Kjo krizë e madhe humanitare, që po rëndohet çdo ditë e më shumë mund të zgjidhet vetëm me pjesëmarrjen aktive të fuqive të mëdha. I përket SHBA të marrë një rol udhëheqës në përpjekjet ndërkombëtare për një zgjidhje solide dhe afatgjatë të konflikteve në vendet në krizë. Ndërkohë, Bashkimi Europian duhet të punojë me vendosmëri, që refugjatët në Greqi dhe Turqi të mund të qëndrojnë në kushte humane. Njerëz të dëshpëruar, reagojnë me dëshpërim. Mund të ketë dhe raste të shpërthimit të dhunës, nëse grupe të mëdha migrantësh që gjenden në rrugëtim e sipër e ndjejnë veten të ndaluar, të bllokuar e të pashpresë. Dhe këtë gjë po e shikojmë të ndodhë.

(Koment nga Ilir Meta per gazeten gjermane “Der Hauptstadt brief”)

SHKARKO APP