“Shqipëria duhet të zgjedhë mes BE-së dhe Turqisë së Erdoganit”
The Globalist i ka kushtuar një artikull lidhjeve të ngushta që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë së Rexhep Taip Erdogan. Artikulli me titull “Shqipëria duhet të zgjedhë midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë”, bën një pasqyrë të shkurtër të sektorëve strategjikë në vendin tonë që tashmë janë nën kontrollin e Turqisë.
“Investimet turke në Shqipëri janë selektive dhe të llogaritura në mënyrë strategjike. Ato përfshijnë pronësinë e bankës së dytë më të madhe në vend, hidrocentrale, metalurgjikun, si dhe ish-operatorin shtetëror ‘Albtelecom’ apo kompaninë celulare “Eagle Moblile”, shkruan autori Alon Ben-Meir.
The Globalist thekson se qëllimi i Erdogan është që t’i ofrojë Shqipërisë disa doza të vogla zhvillimi ekonomik, deri sa vendi t’i nënshtrohet totalisht atij. Autori paralajmëron Tiranën se Brukseli nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri që është i lidhur ngushtë me Ankaranë.
“Gjithsesi, nëse Shqipëria është duke parë drejt Bashkimit Evropian, ashtu siç thuhet zyrtarisht, duhet të tregohet e kujdesshme në atë që dëshiron. Nuk duhet të lejojë Erdoganin të dominojë vendin. BE nuk do të pranojë asnjë anëtar të ri që është thellësisht i lidhur me Erdogan, veçanërisht tani që dëshira e tij e zbuluar për të dominuar Ballkanin mund të shihet nga të gjithë. Kjo nuk duket se e shqetëson kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. I njohur për lidhjet e ngushta me Erdogan, ai ishte lideri i vetëm nga Evropa që mori pjesë në dasmën e vajzës së Erdogan. Tani ai po negocion ndërtimin e një aeroporti turistik në Vlorë”, shkruan Meir.
Pasi ngre shqetësimin edhe për përfshirjen e turqve në jetën fetare shqiptare, artikulli i kësaj media mbyllet me paralajmërimin e qartë se, “nëse Shqipëria vazhdon të familjarizohet me Erdogan, dera e anëtarësimit në BE do të mbyllet”.