Shqipëria e Madhe, Serbia e Madhe, po Kosova
Nga Ben Andoni
Është e vërtetë se rruga drejt Evropës paraqitet e vështirë për të gjithë familjen e shteteve ballkanike. Është e vërtetë që Serbia në familjen ballkanike gjendet më parë me reformat. Ashtu si duket e vërtetë që Bashkimi Evropian është shumë kaotik sa i përket Ballkanit dhe përkrahjes së elitave ekzistuese të tij.
Është kaq i vërtetë ky fakt, saqë liderat që janë më afër Brukselit, janë dhe njerëzit që po e çakordojnë krejt Ballkanin. Mjafton të dëgjosh ligjëratat e tyre, por edhe veprimin politik, pa përfshirë përkrahjen gjithnjë e më të vogël popullore, që të kuptosh realisht sa larg janë ata me problematikat e vendeve të tyre.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, në të gjithë ekipin e tij drejtues, duket se është konfuz, por më shumë nga të gjitha fare i respektueshëm edhe nga elitat, që ka ngrehur vetë dhe që e kanë futur në këtë hulli Ballkanin. Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Shqipëria, po e reflektojnë për çdo ditë brishtësinë e tyre demokratike.
“Bashkimi Evropian, aktualisht as në raport me Kosovën dhe as me Ballkanin Perëndimor, nuk ka as vizion dhe as lidership për integrimin apo zgjerim me përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Presidenti i Kosovës Thaçi, duke treguar indirekt atë që në fakt mendojnë vetë njerëzit e stadit të tij për Brukselin.
Ideja e tij ka shkuar pas përgjigjeve të intervistës për “Politico”, ku kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se “Evropa mund të përballet me një makth” nëse vendet e Ballkanit “çmenden” si pasojë e nxjerrjes së zgjerimit jashtë agjendës së BE-së”. “Askush nuk do të shohë drejt unioneve më të vogla. Të gjithë duan që të bashkohen në Unionin e madh. Por nëse nuk ka shpresë, nuk ka perspektivë dhe nuk ka hapësirë, atëherë bashkimet e vogla mund të ndodhin”.
Por, ndërsa Thaçi mund të justifikohet pasi njihet për deklaratat disi të nxituara, që kur ka ardhur në postin e presidentit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i homologut kosovar Mustafa, që i ka cilësuar si populiste, thëniet e Ramës. Duke pasur parasysh oksigjenin e BE-së, me të cilën ushqehet Kosova, ai njëkohësisht ka vendosur dhe një lloj kufiri me Thaçin. Me ditë pritet prishja e koalicionit qeverisës në Kosovë dhe mungesa e zërit të përbashkët ndihet njësoj në të dy qeveritë shqiptare. Nga ana tjetër, Kosova dhe Shqipëria, paçka atyre që shprehin, janë larg gjërave që duhet të arrinin me deklaratat e tyre panegjirike.
Kjo u duk pak kohë më parë, në takimin e tryezës së rrumbullakët të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, zhvilluar në Sarajevë, ku u shtrua ideja e bashkimit doganor dhe ekonomik të vendeve që janë ende të pa anëtarësuara në BE. Vuçiç dhe Rama, që prej kohësh janë liderët më të afërt të Brukselit në gadishull, e inkurajuan, porse nuk kishin llogaritur goditjen, që shqiptarët e morën nga shteti i vogël shqiptar, Kosova; kurse serbët nga kushërinjtë e vegjël të Malit të Zi.
Ditët rrodhën dhe kjo miqësi e Ramës me Vuçiç është fashitur pak prej deklaratave të fundit të Ramës, ku në horizonte kanë dalë sërish indirekt fantazmat e Shqipërisë së Madhe, që Daçiç dhe të tjerë i janë përgjigjur po indirekt me idenë e Serbisë së Madhe! Ndërkohë që të dy shtetet harrojnë atë që Kosova ndjen për ta. Për Serbinë ky qëndrim dihet, edhe pse të dy vendet paçka barrierave nuk e kanë shmangur inercinë e bashkëpunimit të dikurshëm ekonomik, kurse me Shqipërinë jo shumë, sado që Kosova e ka mbledhur tre herë qeverinë e përbashkët me Tiranën dhe pas kushedi sa e sa takimeve, vendet po largohen mes tyre!
Një takim që përgatitet në muajt e ardhshëm në Trieste do tregojë shumë për konceptin evropian sa i përket zhvillimit të Ballkanit, porse Kosova është gjithnjë e më shumë e vetme, bashkë me Malin e Zi duke menduar mirë atë që i pret në kalkulimet e shteteve më të mëdha të Ballkanit. E sa për Serbinë dhe Shqipërinë që luajnë indirekt, duke sjellë ndërmend përcaktimin e Madhe, Kosova e Vogël, në të dy përkufizimet mbetet nën to. Që do të thotë sërish më pak frymë lirie, atë që e mori me vështirësi me një investim shumë të madh njerëzor dhe konjukturat e favorshme ndërkombëtare.
Konceptet irredentiste që dalin disi pakontroll nga Shqiptarët dhe Serbët vërtet nuk janë shumë në modë, porse mjafton diçka e vogël dhe të dy palët tregojnë konceptin që fshehin brenda vetes për të akuzuar njëra-tjetrën, por edhe të tregojnë supremacinë balkanike. Kjo e bën Ballkanin një zonë ende të minuar, kurse Brukselin humbur në xhunglën e tij. Mu aty, ku Kosova po mundohet të dalë dhe të nisë rrugën e gjatë të integrimit, atë që po i bëhet e vështirë dhe nga dy shtetet e saj kufitare, që e duan…nën vete. (JavaNews)