Shqipëria është në luftë
Forum E Premte, 16 Prill 2021 21:07
Nga Halil Matoshi.
Deklarata e Presidentit francez, François Hollande, se barbaria e “Shtetit Islamik” në Paris është një “akt lufte” kërkon një reagim kolektiv sipas nenit 5 të Traktatit Veriatlantik (NATO), e kjo do të thotë se Republika e Shqipërisë, nga e “Premtja e zezë” e Parisit është në luftë!? NATO-ja mund të ndërmarrë sulm masiv me forca tokësore kundër “Shtetit Islamik” dhe besohet se tashmë ka filluar fundi i tij…
Qysh nis rëndom një luftë?
Së pari ajo nis në televizion përmes propagandës (siç nisi lufta e Kosovës në RTS), ku njëra palë shpall “vdekjen” e tjetrit, pastaj targetohen njerëz me profil të lartë në një shoqëri (kujtojeni rastin e Kosovës, kur regjimi i Milosheviqit vrau Fehmi Aganin, Bajram Kelmendin, Latif Berishën etj.), pastaj në fazën e dytë atakohen masat – pra njerëzit e thjeshtë në habitatet e tyre jetësore, në shtëpi e stadiume, salla koncertesh, metro…
Pra nisin masakrat e asaj që quhet popullsi civile.
Njëjtë nisi lufta e ”Shtetit Islamik” kundër Francës.
Së pari u atakua stafi i “Charlie Hebdo” (pra njerëz me emër e mbiemër) për të kaluar pastaj në fazën e dytë, ku targetohen qytetarët e rëndomtë, pamëshirshëm dhe jashtë secilit rregull të zakoneve të luftës.
Pra përmes masakrave mësyhet zmbrapsja e “armikut”, pra kërkohet dorëzimi i tij!
Dhe faza e tretë, natyrisht se është kundërsulmi.
Në këtë rast “akti i luftës” tashmë është shpallur dhe palët do të luftojnë për zhdukjen e njëra-tjetrës.
Në rrethanat aktuale botërore, ndonëse me komplikime (pas involvimit të Rusisë në konflikt, e cila do ta mbajë në pushtet mendjen kriminale të mishëruar tek Asadi) duket ashiqare se Aleanca Perëndimore do të godasë “Shtetin Islamik” në burim, në shtëpi.
Dhe për shumë analistë botërorë ky do të ishte fundi i tij.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë “Shteti Islamik” do të luftojë kundër vetë myslimanëve të moderuar, që janë rreshtuar me shtetet e lira, kudo në hemisferën perëndimore.
Në këtë mënyrë “Shteti Islamik” do të vërsulet kundër qytetarëve evropianë të fesë myslimane gjithandej dhe kundër modelit të islamit që njihet si “islam evropian.”
Në thelb, me “Shtetin Islamik” janë bashkuar dy kategori njerëzish.
Të parët që vijnë nga vendet despotike myslimane, të cilët ndeshen me mjerim në atdheun e tyre, duke qenë të margjinalizuar në ato shoqëri oligarkiste-absolutiste, të privuar nga të mirat kombëtare dhe të izoluar, pa shkollë dhe punë, ata duan që të shpërthejnë kundër këtyre strukturave të mullahëve dhe sheikëve, qoftë edhe duke iu bashkuar një të keqeje fantome siç është “Shteti Islamik”.
Dhe të dytët, që janë qytetarë evropianë, brezi i tretë i emigrantëve nga vendet myslimane që po ashtu, duke vuajtur krizën identitare duan që të vijnë në pah, që t’i ndryshojnë jetët e tyre, por të zhytur tashmë në dëshpërim, ky brez i të rejave dhe të të rinjve, duke u ndier të cenuar në identitetin e tyre (fetar, fisnor e kulturor) ata sikur paralajmërojnë shtetet përkatëse se janë aty dhe nuk durojnë më poshtërimin.
Ata duan të thonë diçka, ta shpallin veten me vdekje se janë aty!
Mirëpo, dy janë efektet e menjëhershme që do t’i ndiejnë myslimanët e Evropës në këtë përshkallëzim.
Në njërën anë do të ndeshen me përbuzje njerëzit e ndershëm që kanë punuar me dekada për mirëqenin e familjeve të tyre, duke u dhënë besnikëri vendeve evropiane dhe veçmas Francës, ku jetojnë rreth gjashtë milionë qytetarë të fesë myslimane.
Pra po vijnë ditë të vështira për myslimanët kudo në Evropë.
Dhe së dyti, do të krijohet opinion i rrufeshëm kundër refugjatëve, që po vijnë me qindra e mijëra duke ikur nga ferri sirian, në vendet evropiane…
Dhe kjo do t’ua rëndojë jetën atyre dhe zor se do ta arrijnë ndonjëherë rehatinë që e humben dhe në atdheun e tyre, tek feja, kultura dhe fisi i tyre, tek shoqëritë e tyre…
Në thelb, nëse Presidenti francez, Hollande, shpalli se Franca është në luftë, atëherë kjo i detyron të gjitha vendet e NATO-s që të reagojnë bashkërisht për mbrojtjen e njërit nga anëtarët e kërcënuar!
Në favor të një ndërhyrjeje masive të NATO-s me trupa tokësorë kundër “Shtetit Islamik” është edhe analisti i “New York Timesit”, Roger Cohen, i cili argumenton se çdo shtyrje është realisht kërcënim i ri për Parisin – prandaj thotë Cohen: “Nëse doni ta shpëtoni Parisin, mposhteni ISIS-in…”
Prandaj, duke qenë anëtare e NATO-s, Republika e Shqipërisë, objektivisht, gjendet në gjendje lufte!
Dhe në gjendje lufte shteti i rëndom suspendon apo “shkurton” disa nga të drejtat e njeriut dhe ato civile, sipas Ligjit të luftës dhe kjo gjendje duhet t’u shërbejë shqiptarëve për çrrënjosjen e ekstremizmit, përkatësisht zhbërjes së islamit politik, që në këto hapësira po shfaqet si nacionalizëm panarab dhe tërësisht jashtë konditave të fesë islame.
Merret vesh se në Shqipëri janë ngritur xhami ilegale, private dhe të jashtëligjshme, që nuk i nënshtrohen rendit ligjor dhe komunitetit islam të vendit.
Natyrisht që, nëse vlen postulati se në luftë hyhet për të fituar, atëherë kjo luftë duhet të jetë e pakompromis, pra duhet të dëshmojë se orientimi i shqiptarëve nga Perëndimi nuk ka alternativë dhe se shqiptarët nuk përkulen para akteve të liga terroriste.
Mirëpo lufta duhet të fitohet gjerësisht me të gjithë të indoktrinuarit, të cilët duke mëtuar të jenë besimtarë të devotshëm po ia rikujtojnë botës barbaritë e errësirës mesjetare.
Së këndejmi, në këtë luftë duhet të pësojë disfatë jo vetëm “ushtria e zezë” e “Shtetit Islamik”, por edhe diskursi agresiv i kësaj mendësie, që i jep vetes të drejtë të vrasë në emër të një Zoti.
Duke qenë se shumica e shqiptarëve etnikë në hapësirat e tyre jetësore janë rreshtuar me vlerat e përbashkëta evropiane, kjo luftë duhet të jetë luftë vlerash e jo luftë egërsish e mizorish!
Sa i përket Kosovës, kjo luftë ndaj infiltrimeve ekstremiste duhet të bëhet me “mjete të buta”, që përfshin një ofertë për paqe e tolerancë dhe dialog me të gjithë…
Gjenerali Sandër Lleshi, këshilltar i Kryeministrit Edi Rama, tha në një debat televiziv në Tiranë se “masat e buta” janë më efektive.
Natyrisht se me masa të forta, realisht, p.sh. me një tank nuk mund të ndiqet një njeri që veten e ka shndërruar në armë!
Në anën tjetër, në Kosovë, pushteti dhe opozita duke qenë se janë njësoj dhe vijnë nga provenienca e LPK- LDK, ndonëse shumica nga ta shtihaven si kinse luftëtarë lirie e shtetbërës institucionalistë, e në anën tjetër kurrë nuk janë ndarë nga veprimet e dhunshme dhe abuzive për ta dominuar shoqërinë, ata, pushtet e opozitë pra, e kanë cenuar lirinë e tjetrit/tjerëve.
Pra elita aktuale politike në Kosovë e ka cenuar lirinë e qytetarëve që janë kundër dhunës në secilin variant të saj.
Ata janë të papërgjegjshëm, kryesisht injorantë dhe elementë antishtetërorë dhe antidemokratikë, prandaj ka ardhur koha që të dy këta krahë (me pinjollët e tyre VV) të shporren nga pushteti nga ana e një lëvizjeje qytetare për Kosovën shtet i së drejtës dhe lirive civile.
Për Kosovën paqësore e prosperuese, ku secili qytetar mund t’i realizojë ëndrrat e veta individuale, por edhe për ta ngritur një familje me dinjitet.
Në vend që sot, ky pushtet dhe kjo opozitë, ta mësyjnë njëri-tjetrin ta mbërthejnë për fyti, do të duhej të ishin bashkë e të debatonin se si duhet të gjenden shqiptarët në këtë luftë, ku nuk mund të ketë më neutralitet. Në çastet kur flamuri i zi i ISIS-it po i kanoset truallit tonë të përbashkët Evropës – dhe vlerave tona të përbashkëta – si një fantazmë, elita politike kosovare po kacafytet rreth kauzave të rreme, se kush është çlirimtari i këtij vendi dhe kush ka më shumë të drejtë që të sundojë këtë shoqëri të përçarë e të lodhur nga mjerimi!?
Kjo shoqëri duhet përfundimisht t’ua kthejë shpinën të zgjedhurve të vet të derisotshëm, nëse dëshiron që të zgjedhurit e saj të mos i fusin në luftë civile, për ta shpërbërë këtë shtet dhe për t’i davaritur ëndrrat e kosovarëve për liri!
Kur e dëgjon Hashim Thaçin të flasë për opozitën sado të dhunshme dhe pa kauzë të drejtë, duke e cilësuar si kriminale, atëherë e vëren vërtet që ky njeri me bashkëmendimtarët e tij, e ka legjitimuar krimin në këtë vend, prandaj nuk e beson më njeri, kur u drejtohet të tjerëve duke i stigmatizuar si kriminelë, e në thelb për 16 vjet ai s’ka lënë gur pa rrotulluar që ta kriminalizijë tërë një shoqëri, sepse e dinte se vetëm në një shoqëri të kriminalizuar, ku luftëtari i lirisë ngrihet mbi ligjin dhe uzurpon asetet kombëtare e kërcënon gazetarë e qytetarë “me plumb në ballë” dhe ku mësuesi vjedh bagëti (po e parafrazoj shkrimtarin Bardh Frangu) ai mund të ishte “mbreti!?
Elitat politike kosovare kanë nisur tashmë të mendojnë se pas tyre ky vend vërtet duhet të bëhet shkrumb e hi!
Sepse ia kanë dhënë vetes të drejtën historike dhe morale, që të vetëm ta sundojnë vendin me kakistokraci!
Mendja kriminale – fantazma që po sillet mbi Kosovë!