Shqipëria, mëmëdheu i borxhlinjve

 

Borxhi neutralizon kohën, demokracinë, politikën dhe sovranitetin. Pikërisht kjo po ndodh edhe në Shqipëri…

Nga Gerda Dalipaj, BIRN

Historianët mendojnë se fjala “liri” shfaqet për herë të parë në shkrimet e sumerëve. “Amargi”, në kuptim të ngushtë, do të thotë “liri nga borxhi”. Më gjerësisht do të thotë “liri për t’u kthyer tek nëna” dhe i referohet të drejtës së rikthimit në mëmëdhe të borxhlinjve të arratisur nga vendi i tyre për shkak të pamundësisë për t’i shlyer ato. Në Greqinë e Lashtë borxhi të skllavëronte. Për të evituar revolucionin e mundshëm Soloni anuloi borxhet e popullsisë dhe lidhjet skllavëruese për shkak të tyre. Në Romën e Lashtë revoltimi popullor detyroi senatin të aprovojë lex poetelia papiria-n, ligji sipas të cilit për kolateral lejohej të merrej vetëm prona e personit dhe jo personi fizikisht. Lidhjet skllavëruese përmes borxheve kanë ekzistuar gjerësisht përgjatë kohërave e kulturave. Në Indi, ato u abroguan plotësisht vetëm në vitin 1976. Deri në gjysmën e fundit të shekullit të kaluar, është raportuar se gjykohej si normale për një vajzë të re të ishte e detyruar të shërbente si skllave seksuale e kreditorëve të babait të saj. Përse? Sepse borxhi duhej paguar. Në pjesën më të madhe të historisë shpagimi i borxhit është imponuar si i shenjtë, dhe vetëm revolta popullore ka bërë që ai të ridiskutohet nga qeverisësit të gjendur nën kërcënimin real të humbjes së pushtetit të tyre. Historia e trishtë e borxhit dhe fajdes, e bërjes së parasë nga paraja, është në fakt një histori moralesh që ndërtohen dhe konfliktohen sipas interesave të klasave në pushtet. Për Niçen morali ngrihet mbi ndjenjën e fajit, dhe në gjermanisht fjala Schuld (faj) derivon nga Schulden (borxh). Në këtë sens, relativitetin e normave morale e përcakton eksigjenca për mbledhjen e borxheve, duke përligjur kërcënimin dhe dhunën.

Askush më mirë se grupet mafioze nuk e kupton këtë. Ka dy mënyra se si borxhet i mblidhen atij që nuk ka t‘i kthejë ato: duke e bërë të ndjehet fajtor, i turpëruar, i paaftë, i pazoti, i pabesë, pengesë e rrezik për shoqërinë. Dhe nëse kjo nuk funksionon atëherë ai duhet bërë të ketë frikë. Atëherë nisin e zbresin në terren ato grupe (apo duhet t’u themi sot institucione e kompani) që janë të përgatitur të të thyejnë turinjtë (e kush e vendos kufirin midis të figurshmes dhe realitetit në këtë mes?) për ta detyruar borxhliun të paguajë. Antropologu botërisht i njohur mbi çështjet e borxhit, David Graeber, do të na kujtonte pikërisht këtë. Nëse në letërsinë botërore është e vështirë të gjesh një personazh fajdexhiu simpatik, kjo nuk është fytyra me të cilën na paraqiten sot institucionet hua-dhënëse, që gëzojnë mbrojtjen e mbështetjen e plotë të ligjit, në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Nëse huaja është portretizuar në histori gjithmonë si premisë skllavërimi, sot quhet kredi dhe moralizohet e normalizohet si premisë zhvillimi. I vetmi moral që nuk ka ndryshuar në këtë mes është ai i borxhliut, sot debitor, të cilit i duhet të paguajë me çdo kusht paratë e huasë së marrë. Edhe nëse nxjerr të bijën për të shërbyer si skllave seksuale në rrugë, edhe nëse çon të birin të vjedhë e grabisë, edhe nëse shet veshkën e gjysmën e mëlçisë së vet, edhe nëse ia këput një plumb vetes për të ikur fare nga kjo botë. Në fund të fundit çfarë është një copë debitor? Sa pa hyrë në borxh mund të quhet edhe sipërmarrës. Në kredi të keqe, kthehet i pabesë, mosmirënjohës e rrezik shoqëror. A nuk janë prostitutat e kriminelët pjellë e kësaj klase të ulët të shoqërisë? Edhe vetëvrasja e depresioni mund të jenë natyralisht pjesë e saj.

Është pikërisht shitja publike që i bëhet moralit të padrejtë të borxhit dhe keqportretizimi  që i bëhet debitorit për të cilat duhet menduar në situatën që gjendemi sot si multi-debitorë në Shqipëri: të mbytur me borxhe nëpër të afërm, të mbytur në borxhe përkundrejt shtetit, të mbytur në borxhe përundrejt bankave. Thuhet se një në tre shqiptarë gjendet në borxh përkundrejt një banke ose dikujt tjetër. Debitorët ndaj shtetit nuk janë llogaritur këtu. Shkruhet edhe se Shqipëria ka përqindjen më të lartë të borxhit të keq në Europë. Por historia jonë vijon më tej, duke plotësuar atë që Appadurai do ta quante “peisazhet e financave”. Sipas OpenData borxhi ynë publik u rrit me 13.22 % gjatë vitit 2014, nga ku vetëm borxhi i jashtëm në total përbënte 66 % të prodhimit kombëtar. I marrë nga shteti apo nga banka e biznese private, ky i fundit përligj ndërhyrjet “rekomanduese” të institucioneve ndërkombëtare në punët e brendshme të një shteti që e ka reduktuar pa pikën e skrupullit sovranitetin e tij, por shton dozën e sallatave nacionaliste, servirur popullit të vet, kur ky i fundit mbahet fajtor që nuk kthehet dot në bar-ngrënës të devotshëm nën dietën e politikave të kursimeve publike. Edukimi financiar popullor është një gjë që përgjegjësve për ta realizuar atë nuk u intereson ta bëjnë ndryshe përveçse përmes retorikave fantaziose ku hahet me lugë floriri (po edhe qeveriset me shkop hekuri). Falë injorancës së qëllimshme financiare, të paktë janë shqiptarët sot që kur u përmend termat “Fond i Bankës Botërore, i Fondit Monetar”, arrijnë të bëjnë një dallim midis realitetit të borxheve për dekada dhe Çekut të Bardhë Amerikan që tundej pa skrupull në fushatat e hershme elektorale para një populli të rrënuar ekonomikisht e shpirtërisht pas regjimit më të egër diktatorial të Evropës së pasluftës. Disa statistika marrin mundimin të na kthjellojnë vagët se sa debitor është çdo frymë shqiptari sot ndaj botës ku aspiron të integrohet. Gjysma e të keqes. E mira do qe të mësonim edhe sa ka përfituar çdo frymë shqiptari nga borxhet  marramendëse të investimeve që premtohen tash e njëzet e pesë vjet, por që këtij populli asgjë nuk ia bëri më konkrete se sa fjalët “korrupsion” e “mashtrim”.

Kritikat e anti-globalistëve mbi institucionet financiare ndërkombëtare kanë shtjelluar se si borxhet e dhëna ndaj vendeve të botës së tretë në vitet `70-të, nuk erdhën si rrjedhojë e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për zhvillim e progres në këto vende. Ato erdhën si rrjedhojë e nevojës së bankave të mëdha për të qarkulluar paranë e kapitalit të hiperakumuluar dhe nevojës për të krijuar tregje ndërkombëtare për ta shitur atë. Ideologjia e zhvillimit ndihmoi në hapjen e këtij tregu. Borxheve me interesa të ulëta të marra në vitet ´70-të nga vendet tashmë të quajtura “në zhvillim”, iu rritën interesat në 20% në vitet `80-të. David Graeber, përmend se si megjithëse shuma bazë e borxheve që këto vende i kanë institucioneve ndërkombëtare është larë deri më sot, interesat e tyre vijojnë t’i mbajnë këto vende të varura nga institucionet financuese. Nga ana tjetër, këto borxhe u morën kryesisht nga diktatorë, ose pushtetarë të papërgjegjshëm, që i mbyllën paratë në llogari personale, duke ia lënë popujve të tyre faturën e shlyerjes. Një gjë duhet të jetë e qartë në këtë mes. Ndryshe nga retorika qe kompozon figurën fajtore të borxhliut të papërgjegjshëm, i cili gjendet vagullt diku aty në popull, realiteti tregon se borxhet tona janë pjesë e një kompleksi padrejtësish, me fajdexhij e pushtetarë që i përkrahin këta në emër të pasurimit të vetvetes.

Forma e vetme konkrete se si borxhet e shtetit shqiptar mbërrijnë qytetarët e tij është përmes masave të kursimit (sot ka hyrë në modë fjala „austerity“, por qe fenomeni nuk është aq i ri sa duket, sidomos për ne shqiptarët). Shteti shqiptar i dy dekadave e gjysëm, ka bërë shumë pak për të ngritur kapacitetet e tij, e ne kemi qënë shumë më tepër konsumatorë se sa prodhues. Konsumatorizmi na ka rritur oreksin për borxh; jo-prodhimtaria na ka ulur kapacitetet për ta shlyer. Si mund t’i paguajë shteti shqiptar borxhet e tij të akumuluara? Njëra formë është të ulë shpenzimet. Duke mos qënë mjaftueshëm prodhues, shtrëngesat nga kursimet do të duhen të jenë më të forta e të ndjehen më thellë në popull. Më pak shkollë për të gjithë, më pak mjekësi, më pak pension, më pak transport publik, më pak asistencë sociale, më pak gjelbërim, më pak… Rruga tjetër është të rrisë bazën e taksueshme (a nuk është kjo arsyeja e vërtetë përse po ndodhin edhe legalizimet në Shqipëri?), e të mbledhë detyrimet e prapambetura nga shtetasit e tij, qoftë edhe me dhunë, e këtu spikat mbledhja e detyrimeve të energjisë elektrike. Duke qënë mjaftueshëm klientelist, mjaftueshëm “i kapur” dhe i padrejtë, dhuna e penalizimi ushtrohet në mënyrë selektive, kurse dieta kursimtare e shtetit shqiptar kthehet në mos-detyrime për disa që “e kanë mirë punën me pushtetin” dhe në lak në fyt për shumë të tjerë që nuk arrijnë dot t‘i kenë edhe aq mirë këto punë. Këtyre të fundit (kategoria fluide e debitorëve fajtorë, sipas moralit të poshtër të borxhit) do u duhet jo vetëm të paguajnë oreksin e bankierëve ndërkombëtarë, babëzinë e pakontrollueshme dhe paaftësinë mahnitëse të pushtetarëve vendas, po edhe koston e bashkë-atdhetarëve të tjerë që ia kanë dalë t‘i arratisen detyrimeve përmes shumë rrugësh, përfshi këtu edhe militantizmin e verbër, një formë alternative borxhlliku e skllavërimi,  po ky është një muhabet tjetër.

Historitë e përditshme të pagesave të prapambetura të energjisë elektrike, me metaforat e realitetin që i karakterizon, janë të mbushura me raste të atyre „që sot u erdhi dita të mos paguajnë“ dhe atyre që „u erdhi më në fund dita të paguajnë“. Por kjo logjikë reciprociteti „Pse disa paguajnë e disa nuk e bëjnë?“ nuk duhet marrë e mirëqënë, jo sepse nuk është e drejtë, por sepse në kushtet tona mbetet thjeshtë një retorikë me koston e urretjes sociale. Në vendet e EU-së kjo është logjika që grupe të ekstremit të djathtë prej kohësh prodhojnë kundër emigrantëve duke i bërë përgjegjës për varfërinë e „vendasve“ që portretizohen si korrektë me ligjin dhe dokumentacionin. Si edhe në rastin e ksenofobisë, i gjithë ky diskurs synon të fshehë thelbin e vërtetë të problemit duke e hedhur topin e urrejtjes midis grupeve të ndryshme shoqërore. Prandaj përpara se ta drejtojë gishtin tek kjo lloj pseudo-drejtësie, klasa jonë politike do bënte mirë të na tregonte se cilat kulisa partiake prodhuan milintatizmin e favorizuar, marrje e dhënie informale nderesh e shërbimesh (me apo pa pagesë nën dorë), dhe frymën e përgjithshme të konkurencës së egër për 10 apo 20 përqindsha fitimesh. Por përmbi të gjitha klasa jonë politike duhet të na shpjegojë përse edhe pas pagesash të energjisë, shumë pak ka ndryshuar në shërbimin energjetik për qytetarin shqiptar. Thelbi i problemeve të borxheve duhet rrëmuar pikësëpari në marrëdhënien e qytetarëve me shtetin e tyre. Ka vetëm një rrugë për të shpëtuar nga dilemat e borxhit. Të ngrihet pyetja se kush i ka borxh kujt në këtë mes.

A duhet parë si borxhli qytetari, apo duhet parë shteti si borxhli ndaj qytetarit? Çfarë detyrimesh ka plotësuar ky shtet ndaj debitorëve shqiptarë? Çfarë shërbimesh themelore i ka akorduar ky shtet qytetarit të tij në lidhje me mirëqënien, punën, sigurinë. Ta drejtosh vëmendjen e publikut në ata debitorë të energjisë që i janë arratisur pagesave përmes miliantizmit, dhe përmes kësaj të justifikosh domosdoshmërinë e ligjeve që të sekuestrojnë shtëpinë e të rrasin në burg në rast debiti, do të thotë ta devijosh qëllimisht problemin e borxhit energjetik për një masë të tërë familjesh shqiptare në kufij të mbijetesës. Do të thotë të anashkalosh një histori privatizimesh, abuzimesh e ndër-borxhesh midis qeverisë e kompanive që vendosën të luajnë në bixhozin shqiptar të energjisë elektrike. Do të thotë të anashkalosh problemin e varfërisë, papunësisë, moskokëçarjes së shtetit ndaj mbështetjes sociale, ndaj pensioneve, ndaj shkollimit, ndaj punësimit, ndaj veshkës e mëlçisë që askush nuk duhet të jetë i detyruar t‘i shesë për të shpaguar shtetin e tij të politikave gjysmake e të njëanshme drejtuar prej fodullësh  e milicash. Do të thotë të anashkalosh rritjen e vazhdueshme të çmimit të energjisë. Përmbi të gjitha do të thotë të anashkalosh ato politika që shteti ka për detyrë të ndërmarrë domosdoshmërisht në lidhje me ngrohjen qendrore, pothuajse inekzistente në Shqipëri, por kontribuesja kryesore e faturave të larta të energjisë për familjet shqiptare. Në kushtet e një retorike më të drejtë e më pak fodulle, problemi i ngrohjes qendrore do duhej të ngrihej së bashku me atë të shlyerjes së faturave të prapambetura energjitike. Diskursi mbi koncensionet e lidhura me TAP, përtej retorikës nacionaliste që e ka shoqëruar, mund të përqendrohej mbi ngritjen e një sistemi ngrohje qendrore shumë më pak të kushtueshëm për shqiptarët se sa ngrohja me energji elektrike apo bombula gazi të mbushur symbyllur në dyqanet e lagjeve.

E pra, ka një nyje ku lidhen të gjitha këto zinxhire borxhesh, ka një debitor gjigand që shpërndan e merr fatura borxhesh dhe i mbyt me tym retorikash moraliteti. Ky është shteti i pushtetarëve moskokëçarës e të papërgjeshëm që e ndajnë popullin e tyre në militant e në debitor. Sipas Kirsten Fockert morali i borxhit ka tre efekte neutralizuese: ai neutralizon kohën, sepse programon sakrifica të pajustifikuara për popullatën në të tashmen në emër të shlyerjes së pagesave të borxheve në të ardhmen e largët. Ai neutralizon demokracinë, sepse në nivele makro, sovraniteti i qeverive reduktohet nën presione masash dietizuese të imponuara nga institucione ndërkombëtare. Ai neutralizon politikën, sepse nuk lejon që të ngrihen pyetjet themelore se cilat janë palët në borxh, sa është ky borxh, çfarë detyrimesh ka njëra palë ndaj tjetrës, përse duhet bërë sakrifica personale në emër të këtyre shlyerjeve, pse kanë ardhur këto borxhet, si u krijua kjo klasë debitorësh, kush e ka përgjegjësinë për këtë situatë dhe çfarë duhet bërë për ndryshim.

A është dhuna shtetërore për shpagim borxhesh rruga më e mirë për të dalë nga kjo situatë? Fati është ironik, se kur ky popull ishte vetë kreditor në banka piramidale e ato falimentuan, askush nuk u kujtua për moralin e borxhliut që i kthen paratë një më një. Fajtorë nuk ishin as pushtetarët që i ngritën e i përkrahën piramidat në piedestalet e fushatave elektorale, por ishte kreditori naiv e idiot që shiti shtëpinë e tij për të bërë para pa punë, por nga paraja. Ai kreditori i papunësisë në rritje, që sot është kthyer në borxhli e debitor e i kërkohen kacidhet për t’i nxjerrë në mos nga gomari që i pjell flori, nga krimi nëpër rrugët e qyteteve shqiptare.

Natyrisht qeveria jonë ka nevojë për mbledhje faturash sepse i duhet të lajë faturat e tjera të saj, që nga ana tjetër nuk reziston dot t’i shtojë edhe më. Gjasat janë që ajo të vijojë të jetë selektive në këtë proces. Por a duhet ne të pranojmë të luajmë lojën e urrejtjes sociale, duke e parë problemin e pafuqisë sonë tek pamundësia për të kapur fijet klienteliste të saj, dhe duke pasur zili ata që arrijnë ta bëjnë këtë?  A duhet ne të vijojmë të pranojmë këtë pozicion moral inferior të borxhliut fajtor, i cili vrapon për të mbledhur kacidhet e fundit nëpër miq e shokë, nëpër punë të keqpaguara e përmes situatash kriminale ku nuk do të ishte gjendur kurrë nëse punët do të ishin ndryshe (studimet në SHBA kanë raportuar një lidhje të fortë midis humbjes së shtëpive në kredi hipotekore dhe rritjes së krimit)? David Graeber librin e tij e hap me një proverb amerikan tepër domethënës: „Nëse i detyrohesh një banke njëqind mijë dollarë, ti je në dorë të bankës. Nëse i detyrohesh një banke njëqind milionë, banka është në dorën tënde“. Borxhi mund të jetë edhe armë e fortë në duart e më të dobëtit. Debitori shqiptar nuk mund të vazhdojë të mbajë vendin e palës inferiore, të borxhliut për të cilin Shqipëria ka reshtur prej kohësh së qëni mëmëdhe. Por vendin e palës kryesore në këtë kompleks marrëdhëniesh e pushtetesh, jo vetëm me detyrimet e tij, por mbi të gjitha me të drejtat dhe pushtetin e tij për të ndikuar e ndryshuar gjendjen aktuale. Të mund të kthehesh në vendin që të takon, ky ishte kuptimi i hershëm i fjalës liri.

SHKARKO APP