Shqipëria që sheh veten në celuloid

Nga Skënder Minxhozi/

Janë të gjithë aty, në rradhë, mjafton të shtypësh një ikonë dhe gjithçka kthehet pas, në Shqipërinë e viteve ’90: Berisha president që u flet shkodranëve në mesin e rrëmujave të verës së vitit ’97, Zani Çaushi më papijon dhe kallashnikov që shkon të votojë në zgjedhjet e atij viti, plagosja e Azem Hajdarit një vit më vonë në sallën e Parlamentit, grevat e opozitës dhe takimet e nxehta politike para dhe pas piramidave, aty janë krerët politikanë që asokohe thonin dhe bënin gjëra shumë të ndryshme nga këto që thonë e bëjnë sot. Kjo është Shqipëria që habitet me veten dhe me të shkuarën e saj në celuloid, teksa sheh sesi ka qenë.

Është gjithashtu edhe prova se nga ai moment ka rrjedhur shumë ujë dhe që ne shqiptarët s’jemi më ata që ishim, megjithë ankesat e panumërta që kemi për të sotmen dhe për gjithçka që na rrethon. Kronikat filmike të viteve ’90 paraqesin një vend ende të shokuar nga tranzicioni dhe efektet shkatërrimtare të piramidave, një vend të rrënuar, me rrugë të prishura, me politikanë gjaksorë e hileqarë, me biznesmenë batakçinj e kriminelë që pretendonin rolin e Robin Hudit.

Publikimi në internet edhe një herë nga e para, i filmimeve të momenteve më delikate të dekadës së fundit të shekullit të shkuar, ka zgjuar çuditërisht një interes të madh tek lexuesit. Këtë e kanë kuptuar edhe mediat, të cilat i publikojnë në seri videot të cilat edhe më parë gjendeshin në rrjet.

Është mirë që kjo valë videosh i shfaqet të rinjve, të cilët ose nuk e njohin atë periudhë, ose kanë qenë në moshë minore për ta përjetuar me koshiencë zallamahinë e viteve ’90.

Kjo është një retrospektivë e domosdoshme, po aq sa edhe ajo e kohës së komunizmit, për të kuptuar se nga vijmë, se cilët na kanë qeverisur, ç’kanë thënë dje (që ta krahasojmë me çfarë thonë e bëjnë sot), se cilat kanë qenë peripecitë që na është dashur të kalojmë, për të kuptuar se përse e kemi ende kaq të vështirë për të dalë nga tuneli i post-komunizmit.

Kronikat e asaj kohe janë pasqyra që e tregon me të gjithë ashpërsinë dhe brutalitetin, qenien shqiptare pas rënies së diktaturës. Na bën mirë t’i shohim ato imazhe.

Javanews.al

SHKARKO APP