Shqipëria si anije piratësh
Nga Artan Fuga
Pyetjet që shtrohen me rastin e eksodit masiv të popullsive joeuropiane apo europiane por që jetojnë jashtë BE drejt vendeve të kësaj bashkësie, shtrojnë sot pyetje shumë të rëndësishme; i vendosin ato në rendin e ditës, ndërkohë që natyrshëm kanë ardhur në qendër të arsyetimit tim te libri Shoqëria Periferike.
Po kush të dëgjon se ??? Ik o qëroju duket se të thonë, na plasi ne për studimet e tua, a ka ndonjë tender për të kapur a ndonjë korrupsion për të bërë?
Shqipëria është mësuar të drejtohet si anije piratësh, me sy, pa instrumente naviguese.
Pyetja e parë : A është e mundur që të zhvillohemi nëpërmjet emigracionit shqiptar në vendet e BE?
Kam pasur rastin të përgjigjem duke thënë : JO! Ikja e popullsive në emigrim, edhe nëse sjell parà në vend e shkatërron atë vend. Nëse doni ta dini se përse ndodh kështu mund ta shpjegoj, por do shumë kohë. E kam shkruar tashmë te ai libër.
Pyetja e dytë : A mundet qendra, ciladoqoftë ajo, Europa, Gjermania, Qyteti, kryeqyteti të zhvillohet nëse than ekonomikisht periferinë e vet, pra gjithë botën ose hapësirën rurale që kanë rreth tyre ??? Pergjigja është : JO ! Harrojeni. Nëse doni ta dini se përse kështu, ja u shpjegoj por kërkon sëpaku nja tre muaj mësim.
Pyetja e tretë : A mundet që tanimë të ekzistojë qarkullimi i lirë i mallrave pa qarkullimin e lirë të njerzve, dhe a mundet që të ekzistojë qarkullimi i lirë i njerzve në kushtet e pabarazive ekonomike midis zonave të caktuara të një vendi apo kontinenti. Përgjigja është : JO! Duhet kohë e gjatë për ta shpjeguar por mua më ra goja duke e përsëritur, por kush e ka mendjen të marri dije. Këta duan arsim, por jo dije.
Shihini kur edhe lëvizjen e lirë pa viza ta reduktojnë keq e më keq.
Pyetja e katërt : A është zgjidhje ekonomike dhe zhvilluese që nëpërmjet emigracionit popullsia të mblidhet në një vrimë të vetme, në Gjermani, apo buzë Lanës? Përgjigja është : Jo! Përlcisni nga inati apo dëshira, por këtë nuk e luan topi. Po deshët dije mund t'ua mësojmë, por kush dëshiron vetëm diploma dhe jo dije nuk e mëson dot kurrë këtë.
Pyetja e pestë : A ka zgjidhje kriza dhe stagnacioni ynë apo i Europës vetëm me strukturime financiare, vetëm duke përsëritur sloganin neimian se konkurrenca zgjidh vetë gjithçka, apo duke iu përgjigjur krizave me policë, me burg, me represion?
Përgjigja është : JO! Cfarë të duam të bëjmë, ngri borde prish borde, ngri komisione prish komisione, ligjeve të natyrës dhe shoqërisë nuk ke cfarë u bën.
Kur ligjet juridike bëhen sipas qejfit; atëhere ngrenë krye ligjet e natyrës dhe të shoqërisë.
Nuk e kanë thënë kot se ligjet objektive qendrojnë mbi ligjet e shtetit, prandaj edhe dija universitare duhet të qendrojë mbi politikën dhe jo të bëhet shërbëtore e saj.
Cfarë duhet bërë? A ka zgjidhje që zona dhe vendi ynë të zhvillohet? Përgjigja është : PO ! Por, në fillim qytetari duhet ta bindi politikën që ajo të heqë dorë nga drejtimi i vendit sikur të ishte anije pirate, dhe politikani të kërkojë dije dhe jo folklorin e nëpunsave të vet apo gënjeshtrat e lobive private që pasi të grumbullojnë lekë do ta shohin veten të zhytur në borxhe pa shpëtim.
Po këtu jemi këtu… Ora e së vërtetës do të vijë sepse sikurse thoshte një me mjekër : E vërteta duhet të jetë e duruar, duhet ta presi historinë që kjo e fundit të ketë nevojë për të.