Shqipëria sikur të çojë edhe Elton John-in në Eurosong, Rusia Azerbaxhanin ka për të votuar

Nga Enkel Demi

Ky është festival i cekët, spektakël i cekët dhe në fund një shfaqje vulgare e mendësive nacionaliste që vishen me një sheqerosje gay, e cila të vë në hall, nëse nuk je nga ajo anë e barrikadës.

Dihet që vendet sllave votojnë për njëra-tjetrën, nordiket me sho-shoqen, madje dhe Greqia për Qipron, se aq e ka influencën.

Nën petkun e shumë ngjyrjave, buzëqeshjeve, përdredhjeve dhe haresë së një feste të shfrenuar homoseksuale, shpërthejnë pasionet e vjetra të nacionalizmës.

Është e shpifur ta dish se për kë do të votojnë ish-republikat ruse apo vendet balltike. Kemi të bëjmë me një ngjarje muzikore, e cila po të merrej seriozisht nga Fuqitë e Mëdha mund të ishte sebeb për të nisur Luftën e Parë Botërore, kaq e mbrapshtë është politika që prodhon kjo farë mbështjellje e këngës europiane.

Përsa i përket shijeve estetike është prej vitesh një festival shumëngjyrësh i paradave gay, i cili ngulmon të kthehet në kriter moral. Këtu qëndron bezdia, jo tek shpallja e homoseksualitetit. Fjala vjen fitues i festivalit për këtë vit është Duncan Laurence prej Hollande, i cili në konferencën për shtyp të paraqitjes së tij në Eurosong bëri coming out, sepse nuk rrinte dot pa na e rrëfyer që është biseksual, pak a shumë si Ali Pashë Tepelena.

Deri këtu jemi në rregull, është jeta e tij personale dhe shijet e tij, por në momentin që e shpall në vigjilje të një Festivali Europian të Këngës, kjo është strategji, e cila të ndihmon, sepse kënga me thënë të drejtën me kriteret e Festivalit të Këngës në RTSH ka gjasa mos të pranohej fare në konkurim, jo më të fitonte. Me këtë nuk dua të them që fituesi e mori, sepse ishte gjysëm gay, por një arsye artistike për triumfin e tij e kam të vështirë ta gjej. Ka gjasa që unë mos të marr vesh nga muzika dhe të jem krejt gabim, andaj pres me zemër në dorë që në këtë pikë profesionistët e fushës gjysëm gay të ma hedhin poshtë këtë pretendim timin.

Tani, le të kthehemi tek Shqipëria, e cila është e fituar, se shkoi në finale. Kaq i duhet vendit tonë. Pastaj të tjerat janë diskutime të kota. Pse nuk i dhamë shumë pikë Italisë dhe përse Italia nuk na dha shumë pikë, nuk është debat muzikor, por gjeopolitik i nivelit të berberhanës.

Shqipëria nuk do e fitojë kurrë Eurosong-un. Le të çojë Jonidën apo Gentin. Atje nuk dëgjon njeri këngën, por kanë halle të tjera. Fakti që në këtë festival nuk e qasin Kosovën, tregon se në ç’mulli çon ujë kjo ngjarje, e cila flet për fitoren e lirisë kundër paragjykimeve dhe diskriminimeve racore. Gjithë komplekset e inferioriteve të sherrnajave nacionaliste zhvendosen në këtë festival, por në një mënyrë qesharake, karikaturë që nuk e shpëton dot as botën gay, e cila na e “shet” tolerancën, sepse një gay azer, voton gjithmonë një gay rus dhe anasjelltas, por kurrë një gay orthodokso-sllav nuk e voton një gay romano-latin.

Në fund, në mënyrë që mos të lodhem me përgjigjen ndaj atyre që do më akuzojnë për homofobi, po them se shijet seksuale të dikujt nuk më kanë interesuar kurrë as në muzikë, shkrimtari, arte, modë, ekonomi, politikë, kuzhinë dhe jetën e përditshme. Sepse, njeriu është krijuar nga Hyju në liri të plotë.

Prandaj, dëgjoj me endje Queen, sido që i pëlqente të ishte Freddie Mercury, lexoj Allen Ginsberg të beat generation për të mos shkuar te Pasolini e kështu me radhë. Nuk kemi si ta bëjmë hasha Baronin Franc von Nopça, albanologun e shquar, i cili e vrau veten pasi u kujdes që më parë të vriste të dashurin e tij shqiptar. Kjo ndodh, sepse këta njerëz nuk e bënin kryeveprën e tyre, pse ishin homoseksualë, por sepse kishin mision të linin gjurmë që do i përjetësonin.

Prandaj, Shqipëria edhe sikur të çojë në Eurosong Elton John-in, nuk ka për të fituar kurrë, sepse Rusia sido ta rrotullojmë flamurin e ylberit do votojë për Azerbaxhanin dhe anasjelltas.

SHKARKO APP