Shqipëria tjetër pas 21 qershorit

 

Më 22 qershor, Shqipëria gdhihet me 61 bashki, pa komuna, me një format të ri politik dhe territorial. Zbatimi praktik i ndarjes së re territoriale, një tranzicion i vështirë që shkon deri në vitin 2020. Jeta sociale dhe ekonomike e qarqeve para ndryshimit të madh. Të gjitha risitë në qeverisjen vendore, investimet, shërbimet për qytetarët dhe rreziqet që kanosin jetësimin e ndarjes së re.

 

Këto zgjedhje vendore do të mbahen mend, më shumë se sa për testimin politik të mazhorancës dhe opozitës, për fillimin e një epoke të re në qeverisjen e pushtetit vendor. Reduktimi i njësive vendore nga 374 aktualisht në vetëm 61 bashki, përveçse do t’i bëjë më të pushtetshëm kryebashkiakët e rinj, do të ketë ndikim të padiskutueshëm në jetën sociale dhe ekonomike të vendit.

Ndarja e re territoriale nuk është thjesht përcaktimi i kufijve të rinj administrativë që kanë lidhje me qeverisjen vendore, por jep mundësi të reja zhvillimi në të gjitha aspektet, sigurisht nëse të zgjedhurit e rinj do të dinë të menaxhojnë. Në të kundërt, “pashallarët e vjetër” që kanë qeverisur nga dy mandate në bashkitë kryesore do të shtrijnë edhe më tej sulltanatin për pushtet personal më pak se në shërbim të qytetarëve.

Mirëpo ajo që fushata elektorale po ofron sot nuk shpalos asgjë nga ajo që pritet të ndodhë.

Të paktën nga programet elektorale të artikuluara në takimet e kandidatëve nuk është zbardhur asgjë e jashtëzakonshme se nga ato që rëndom kemi dëgjuar për fushatat e tjera. Dhe kjo, jo për faj të kandidatëve vendorë, por të pushtetit qendror që nuk ka ende gati të gjitha ligjet, udhëzimet, rregulloret dhe fondet që do të jetësojnë në praktikë funksionet e ndarjes së re.

Sipas strategjisë finale të decentralizmit 2015-2020, që tashmë ka marrë miratimin edhe në Kuvend, qeverisja lokale nuk do të zgjerohet vetëm në territor gjeografik, por edhe në kompetenca, ligjvënie dhe në administrim.

Kryebashkiakët e rinj do të kenë më shumë kompetenca që rrjedhin nga decentralizimi. Ata do të kenë të drejtë të miratojnë nivelin e taksave vendore dhe t’i grumbullojnë ato. Gjithashtu është menduar koncepti i “tax share”, ku bashkitë që nxisin grumbullimin e sigurimeve shoqërore dhe tatimeve të tjera për llogari të buxhetit qendror mund të përftojnë një pjesë të këtyre tatimeve për nevojat e veta.

Pushtetarët e rinj vendorë kanë kompetenca të marrin borxh dhe të emetojnë obligacione njësoj si qeveria për të zhvilluar projektet e tyre. Ata do të mund të japin me koncesion dhe të zhvillojnë partneritetin publik dhe privat për shërbime dhe investime të ndryshme.

Ndarja e re i hap rrugë zhvillimit të zonave rurale si resurse turistike në administrimin nga bashkia. Bie fjala zona e Dardhës në Korçë dhe ajo e Valbonës në Tropojë mund të pësojnë zhvillime rrënjësore nën qeverisjen e re vendore, e parë kjo si një burim të ardhurash. Kryebashkiakët e rinj do të kenë kompetenca të reja në politikat e arsimit dhe të shëndetësisë në përputhje me nevojat e zonës, pasi sot këto funksione drejtohen nga pushteti qendror.

Për qytetarët krijohen hapësira të reja gjithashtu. Kostot për kryerjen e shërbimeve nuk do të rriten, pasi qendrat e komunave do të funksionojnë si njësi të vogla shërbimesh, për të lëshuar vërtetime apo për të kryer verifikime. Por, për qytetarët, hapet një derë e re komunikimi, ku përveç njësisë vendore, problemet e tyre ritrajtohen nga bashkia. Të grupuar në shoqata, qytetarë dhe grupe të tjera interesi do të kenë mundësi të lobojnë për projektet e lokaliteteve të tyre dhe të bëhen pjesë e vendimmarrjes. Njësitë e qeverisjes vendore do të kenë më shumë kompetenca dhe fonde për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë më efikase dhe për t’u ofruar atyre shërbime me standarde të Bashkimit Europian.

Bizneset, nga ana tjetër, do të riformatohen drejt sipërmarrjeve më të mëdha, për shkak se projektet do të formësohen në funksion të të gjithë rajonit dhe jo vetëm në një ose dy-tre fshatra. Gjithashtu, ato do të kenë mundësi të hyjnë në partneritet me pushtetin lokal për projekte dhe investime. Njësitë e reja do të jenë më të mëdha, ndaj do të kenë kapacitete më të mëdha për investime, që do të thotë më shumë mundësi fitimi për bizneset lokale.

Por, sjellja e pushtetit lokal në standardet që pretendohet, nuk do të jetë e lehtë. Pasi duhen ndërmarrë 150 masa ligjore, teknike dhe administrative dhe duhen të paktën 9 miliardë lekë ose 66 milionë euro, ku rreth 60% e shumës mbetet e pafinancuar. Periudha transitore është parashikuar të shtrihet deri në 2020, por nëse deri atëherë mund të ketë një rrotacion politik, ndarja e re rrezikon meremetime të tjera politike.

Sipas planifikimeve aktuale, ndarja e re territoriale do të kursejë 60 milionë dollarë në vit si shpenzime administrative, të cilat do t’i kthehen pushtetit vendor në formën e investimeve.

 

Kursehen 60 milionë USD në vit, rikthehen si investime

Mesatarisht, bashkitë dhe komunat në Shqipëri, shpenzojnë 27% të buxhetit të tyre për investime kapitale dhe 37% për pagat e punonjësve. 40 njësi shpenzojnë mbi 80% të buxhetit të tyre vetëm për pagat e punonjësve, ndërsa 230 njësi shpenzojnë mbi 60% të buxhetit të tyre për pagat e punonjësve.

Reforma administrativo-territoriale do të bëjë të mundur një ndryshim rrënjësor në investimet dhe ofrimin e shërbimeve publike në nivel të qeverisjes vendore dhe rrjedhimisht, do të përmirësojë jetën e qytetarëve. Si rezultat i reformës administrativo-territoriale, qeverisja vendore pritet të fitojë rreth 60 milionë dollarë në vit, të cilat mund të shkojnë drejtpërdrejt për investime në infrastrukturën vendore. Me krijimin e njësive më të mëdha të qeverisjes vendore krijohen kushtet e nevojshme për zhvillim social-ekonomik dhe përthithjen e investimeve të mëdha nga institucionet publike, Bashkimi Europian, donatorët ndërkombëtarë dhe sektori privat. Reforma administrativo-territoriale do të ulë pabarazinë në shërbime, financime, të ardhura e zhvillimin që ekziston sot mes qendrave të mëdha urbane dhe zonave rurale.

 

Shembuj

Bashkia e Tiranës

  • Numri i popullsisë, 680,851 banorë në variantin e parë dhe 573,544 banorë në variantin e dytë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 4% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me 20%.

 

Bashkia e Kamzës

  • Numri i popullsisë, 107,307 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 4% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me 10%.

 

Bashkia e Kavajës

  • Numri i popullsisë, 62,242 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 10% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve, me 50%.

 

Bashkia e Durrësit

  • Numri i popullsisë 202,971 banorë në variantin e parë dhe 168,458 banorë në variantin e dytë.
  • Shkurtimet e shpenzimeve administrative do të jenë 124 milionë lekë në vit.
  • Organizimi i pesë njësive vendore, në një Zonë të re Funksionale me qendër Durrësin, do të çojë në një menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore dhe kapitale të zonës, duke rritur kapacitetin investues me rreth 1,2 milionë dollarë në vit.

 

Bashkia e Shijakut

  • Numri i popullsisë, 34,518 banorë.
  • Kursimi nga shpenzimet administrative në vit do të ishte 46 milionë lekë.
  • Nëse shpenzimet e kursyera në sajë të miradministrimit të burimeve në organizimin e ri territorial do t’i shtoheshin nivelit aktual total të investimeve në të pesta NJQV, ato do të rriteshin në masën 70%.

 

Bashkia e Krujës

  • Numri i popullsisë, 59,814 banorë.
  • Riorganizimi i funksioneve dhe administratës vetëm në këtë bashki çon në një reduktim të përgjithshëm të shpenzimeve në masën 25%.
  • Nëse shpenzimet e kursyera në sajë të miradministrimit të burimeve në organizmin e ri territorial do t’i shtoheshin nivelit aktual total të investimeve në të pesta NJQV-të, investimet do të dyfishoheshin.

 

 

Bashkia e Elbasanit

  • Numri i popullsisë 169,992 banorë në variantin e parë dhe 141,714 banorë në variantin e dytë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 8% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me 40%.

 

Bashkia e Cërrikut

  • Numri i popullsisë, 28,278 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 20% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me 70%.

 

Bashkia e Gramshit

  • Numri i popullsisë, 24,231 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 40% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me dy herë e gjysmë.

 

Bashkia e Librazhdit

  • Numri i popullsisë, 53,833 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth ose 23% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve, me 70%.

 

Bashkia e Peqinit

  • Numri i popullsisë, 26,136 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 17% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me 50%.

 

Bashkia e Fierit

  • Numri i popullsisë 170,181 banorë në variantin e parë dhe 130,716 banorë në variantin e dytë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 16% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve, me 74%.

 

Bashkia e Patosit

  • Numri i popullsisë, 39,465 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 13% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve, rreth 36%.

 

Bashkia e Lushnjës

  • Numri i popullsisë 117,913 banorë në variantin e parë dhe 82,659 banorë në variantin e dytë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me 15% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve në vit do të ishte pothuajse dyfish.

 

Bashkia e Divjakës

  • Numri i popullsisë, 35,254 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 19% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve me pothuajse 80%.

 

Bashkia e Beratit

  • Numri i popullsisë, 66,666 banorë.
  • Ulja e shpenzimeve për banor në masën 15% në njësinë e re vendore.
  • Miradministrimi i burimeve financiare do të sjellë rritje të investimeve në masën 40%.

 

Bashkia e Kuçovës

  • Numri i popullsisë, 58,557 banorë.
  • Ulja e shpenzimeve për banor në masën 25% në njësinë e re vendore.
  • Miradministrimi i burimeve financiare do të sjellë rritje të investimeve pothuaj në masën 50%.

 

Bashkia e Skraparit

  • Numri i popullsisë, 21,948 banorë.
  • Bashkimi i njësive në Zonën Funksionale me qendër qytetin e Çorovodës do të sjellë uljen e shpenzimeve administrative dhe ato korrente të marra së bashku në rreth 46% më pak se në rastin e funksionimit të veçuar të njësive që bashkohen.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve me 60%.

 

Bashkia e Vlorës

  • Numri i popullsisë 146,904 banorë në variantin e parë dhe 119,855 banorë në variantin e dytë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 8.3% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve me 28%

 

Bashkia e Himarës

  • Numri i popullsisë, 27,049 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 21% e shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve, me 70%.

 

Bashkia e Sarandës

  • Numri i popullsisë 31,388 banorë në variantin e parë dhe 28,472 banorë në variantin e dytë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 7.7% e shpenzimeve gjithsej të njësive ekzistuese.
  • Rritja e buxhetit të investimeve me 40%.

 

Bashkia e Livadhjasë

  • Numri i popullsisë, 10,529 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 15% e shpenzimeve totale të të gjitha njësive.
  • Rritja e buxhetit të investimeve me 40%.

 

Bashkia e Delvinës

  • Numri i popullsisë, 7,598 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 4.8 milionë lekë në vit.
  • Rritja e buxhetit të investimeve vjetore pothuajse dyfish.

 

Bashkia e Korçës

  • Numri i popullsisë, 113,469 banorë.
  • Bashkimi i njësive në Zonën Funksionale me qendër qytetin e Korçës do të bëjë që shpenzimet administrative dhe ato korrente të ulen në masën 69%.
  • Kjo diferencë do të bëjë të mundur që njësia e re, të rrisë shpenzimet vjetore për investime trefish vetëm nga shkurtimet e shpenzimeve administrative dhe korrente të marra së bashku.

 

Bashkia e Maliqit

  • Numri i popullsisë, 41,757 banorë.
  • Bashkimi i njësive në Zonën Funksionale me qendër qytetin e Maliqit do të sjellë uljen e shpenzimeve administrative dhe ato korrente rreth 71% më pak se në rastin e funksionimit të veçuar të njësive që bashkohen. Kjo diferencë do të bëjë të mundur që njësia e re, të trefishojë investimet vetëm nga shkurtimet e shpenzimeve administrative dhe korrente të marra së bashku.

 

Bashkia e Devollit

  • Numri i popullsisë, 26,716 banorë.
  • Bashkimi i njësive në Zonën Funksionale me qendër qytetin e Devollit do të bëjë që shpenzimet administrative dhe ato korrente të ulen rreth 70%. Kjo diferencë do të bëjë të mundur që njësia e re, të dyfishojë shpenzimet vjetore për investime vetëm nga shkurtimet e shpenzimeve administrative dhe korrente të marra së bashku.

 

Bashkia e Kolonjës

  • Numri i popullsisë, 11,070 banorë.
  • Bashkimi i njësive në Zonën Funksionale me qendër qytetin e Kolonjës do të sjellë uljen e shpenzimeve administrative rreth 70% më pak se në rastin e funksionimit të veçuar të njësive që bashkohen. Kjo diferencë do të bëjë të mundur që njësia e re të dyfishojë investimet vetëm nga shkurtimet e shpenzimeve administrative dhe korrente të marra së bashku.

 

Bashkia e Pogradecit

  • Numri i popullsisë, 61,530 banorë.
  • Bashkimi i njësive në Zonën Funksionale me qendër qytetin e Pogradecit do të bëjë që shpenzimet administrative dhe ato korrente të ulen rreth 15%. Kjo diferencë do të bëjë të mundur që njësia e re, të trefishojë investimet vetëm nga shkurtimet e shpenzimeve administrative dhe korrente të marra së bashku.

 

Bashkia e Kukësit

  • Numri i popullsisë, 47,985 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banorë në masën 30% në njësinë e re vendore.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 35% të fondit të investimeve totale në të pesëmbëdhjetë NJQV-të.

 

Bashkia e Tropojës

  • Numri i popullsisë, 20,212 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative në masën 30% në njësinë e re vendore.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 27% të fondit të investimeve totale në të tetë NJQV-të.

 

Bashkia e Hasit

  • Numri i popullsisë, 16,790 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banorë në masën 26%.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 20% të fondit të investimeve totale në të katër NJQV-të.

 

Bashkia e Shkodrës

  • Numri i popullsisë, 165,999 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banorë në masën 10%.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 22% të fondit të investimeve totale në të njëmbëdhjetë NJQV-të.

 

Bashkia e Vaut të Dejës

  • Numri i popullsisë, 30,438 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banorë në masën 26% në njësinë e re vendore.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 50% të fondit të investimeve.

 

Bashkia e Malësisë së Madhe

  • Numri i popullsisë, 26,083 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative në masën 58% në njësinë e re vendore.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 31% të fondit të investimeve.

 

Bashkia e Pukës

  • Numri i popullsisë, 21,517 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banorë në masën 38%.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 42% të fondit të investimeve.

 

Bashkia e Lezhës

  • Numri i popullsisë, 62,706 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banor në masën 38%.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 47% të fondit të investimeve totale në të dhjetë NJQV-të.

 

Bashkia e Mirditës

  • Numri i popullsisë, 22,235 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banor në masën 39%.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 38% të fondit për investime totale në të shtatë njësitë.

 

Bashkia e Kurbinit

  • Numri i popullsisë, 46,291 banorë.
  • Reduktim të shpenzimeve administrative për banor në masën 46%.
  • Miradministrimi i burimeve do të sjellë shtim në masën 153% të fondit për investime totale në të katër NJQV-të.

 

Bashkia e Dibrës

  • Numri i popullsisë, 61,619 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 17% të shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve, me 80%.

 

Bashkia e Bulqizës

  • Numri i popullsisë, 31,201 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 16% të shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve, me 60%.

 

Bashkia e Matit

  • Numri i popullsisë, 39,607 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 18% të shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit vjetor të investimeve, me 60%.

 

Bashkia e Gjirokastrës

  • Numri i popullsisë, 32,340 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 12% të shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Rritja e buxhetit të investimeve, me mbi 70%.

 

Bashkia e Përmetit

  • Numri i popullsisë, 16,727 banorë.
  • Reduktim i shpenzimeve administrative me rreth 22.5% të shpenzimeve totale të kryera nga të gjitha njësitë.
  • Buxheti i investimeve pothuajse dyfishohet.

 

Bashkia e Tepelenës

  • Numri i popullsisë, 19,606 banorë.
  • Shpenzimet administrative për njësinë e re do të ulen në 21% të shpenzimeve totale.
  • Investimet do të rriten me rreth 70%.

 

Struktura e re

Struktura e qeverisë vendore në Shqipëri është e organizuar në dy nivele. Bashkitë janë njësi bazë e qeverisjes vendore, që përfaqësojnë nivelin e parë të qeverisjes. Ndërsa qarqet janë njësi të nivelit të dytë. Para hyrjes në fuqi të ligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale, Shqipëria ndahej në 308 komuna dhe 65 bashki në nivelin e parë dhe 12 qarqe në nivelin e dytë.

Ndarja e re administrativo-territoriale është me 12 qarqe dhe 61 bashki. Bashkitë janë të organizuara me njësi administrative përbërëse (ish-komunat) si nënndarje administrative të tyre. Tirana ka 24 njësi administrative përbërëse (11 njësitë bashkiake dhe 13 ish-komuna).

Bashkitë, nga pikëpamja urbanistike, vazhdojnë të jenë të organizuara në qytete dhe fshatra. 12 qarqet nuk ndryshuan me ndarjen e re administrativo-territoriale, por struktura përbërëse e tyre, bashkitë dhe komunat, ndryshuan thellësisht. Me ndarjen e re, qarqet kanë në përbërjen e tyre mesatarisht 5 bashki nga 31 njësi vendore që kishin më parë me ndarjen e vjetër. Në këtë kontekst, qarku me rolin e tij bashkërendues në harmonizimin e politikave kombëtare me ato vendore dhe rajonale bëhet më i lehtë dhe më eficent.

Bashkia përbëhet nga disa njësi administrative, sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale. Njësitë administrative në territorin e një bashkie, shtrirja e tyre territoriale dhe emri përcaktohen me ligj. Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore, që si rregull kanë mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak.

 

Komunat shndërrohen në njësi administrative

Komunat dhe bashkitë që suprimohen me ndarjen e re do të funksionojnë si njësi administrative përbërëse të 61 bashkive të reja.

Në njësitë administrative funksionon administrata që drejtohet nga administratori. Administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e administratës. Administratori duhet të ketë vendbanim në njësinë administrative përkatëse. Struktura dhe organika e administratës së njësive administrative, është pjesë e strukturës dhe organikës së administratës së bashkisë.

Administrata e njësisë administrative është zyrë e shërbimit për të gjitha procedurat administrative në kompetencën e bashkisë. Mbikëqyr territorin për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat kompetente të bashkisë në rast të konstatimit të veprimeve në kundërshtim me ligjin. Mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë. Bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara dhe tregjet publike. Njësitë mund të administrojnë këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë. Gjithashtu njësia e vogël administrative përgatit dhe i propozon kryetarit të bashkisë planin për investimet nën juridiksionin e saj territorial si dhe mbikëqyr, pas miratimit, zbatimin e tyre sipas ligjit. Gjithashtu administratori i njësisë administrative është organi kompetent për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të përcaktuara si të tilla me akte të këshillit bashkiak, brenda juridiksionit të caktuar territorial.

Ndryshimet në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” lë afat se nga 1 janari 2018, këshilli i bashkisë ka kompetencën të vendosë për riorganizimin e administratave të njësive administrative, të cilat mund të mbulojnë territorin e një ose më shumë njësive administrative brenda bashkisë, sipas nevojave të komuniteteve vendore dhe efektshmërisë administrative.

 

Rikonceptohen shërbimet

Zyrat rajonale, vendore, ose të ashtuquajturat “drejtoritë me varësi vertikale” janë krijuar nga disa ministri të linjës, të tilla si: Arsimi, Shëndetësia, ajo e Punës dhe Çështjeve Sociale, Bujqësisë, Mjedisi etj., në çdo qark me funksionin për të menaxhuar zbatimin e politikave sektoriale në nivel vendor. Këto struktura veprojnë në nivel vendor, por janë plotësisht të varura nga ministritë e linjës përkatëse. Bashkëpunimi ka qenë i vështirë, pasi shpesh ka mbivendosje të kompetencave apo pasiguri në fusha të ndryshme, në veçanti në lidhje me zbatimin e funksioneve të përbashkëta. Sektorë të tillë janë arsimi, mjedisi, shërbimet sociale, etj.

Ndarja e re territoriale do të sjellë rishikimin e shpërndarjes së organeve të dekoncentruara në nivel vendor dhe alokimin më të mirë të funksioneve midis këtyre organeve dhe njësive të qeverisjes vendore, përfshirë bashkërendimin ndërinstitucional.

Shoqatat e qeverisjes vendore kanë vazhduar, ndër të tjera, të përfaqësojnë interesat e tyre përballë pushtetit qendror në lidhje me reformat e ndryshme, përfshirë këtu procesin e decentralizimit.

 

Decentralizimi fiskal thellohet

Për të thelluar edhe më tej decentralizimin fiskal me strategjinë e re që mbështet jetësimin e ndarjes së re territoriale do të rishikohet dhe miratohet legjislacioni përkatës, si projektligji “Për financat vendore”, ligji “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”. Burimet zyrtare nga Ministria e Çështjeve Vendore pohuan se ndryshimet bëhen me qëllim që të përcaktohet përputhshmëria e tyre me Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Vendore, për të përcaktuar bazën dhe nivelin e taksave dhe tarifave vendore në përputhje me legjislacionin tatimor.

Në përgjithësi, normat treguese të taksave të përcaktuara me ligj do të rishikohen dhe NJQV do t’u jepet më shumë liri veprimi për përcaktimin e nivelit dhe bazës së taksës (në varësi të llojit të taksës).

Do të vendoset sistemi i taksave të ndara kombëtare, në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe do të rishikohet çdo dy vjet mjaftueshmëria e burimeve financiare për të kryer funksionet e përcaktuara me ligj.

Autoriteteve vendore nuk do t’ju vendosen kufizime në përdorimin e të ardhurave të veta si dhe do të kenë lirinë të bëjnë shpenzime edhe për funksione apo projekte jashtë kompetencës së tyre, por brenda interesit publik vendor.

 

Të ardhurat

Strategjia për decentralizimin fiskal deri më 2020 ka planifikuar të ndërmarrë nisma të rëndësishme ligjore, përfshirë këtu edhe hartimin e një ligji të ri integral për financimin e qeverisjes vendore, hartimin e një pakete të re fiskale të decentralizimit që do të aplikojë konceptin e ndarjes së taksave kombëtare.

Institucionet, duke përfshirë edhe Ministrinë e Financave do të studiohen mundësitë e taksave të reja të përbashkëta (taksa e automjeteve është tashmë një taksë e përbashkët), duke marrë në konsideratë barazinë në shpërndarje. Do të vendosen kushte të caktuara për të siguruar që qeveritë vendore të shfrytëzojnë sa më shumë autoritetin e tyre tatimor, në mënyrë që të marrin një pjesë të tatimeve të përbashkëta (TAP dhe TTF).

Do të rishikohet kuadri ligjor për të përmirësuar kriteret për ndarjen e transfertave të granteve për pushtetin vendor. Rregullat për barazimin vertikal dhe horizontal dhe rregullat fiskale që synojnë të sigurojnë disiplinën fiskale në nivel vendor do të përfshihen në legjislacion.

Të dhënat e Censusit 2011 dhe Regjistrit të Gjendjes Civile do të harmonizohen për qëllime të transfertës së pakushtëzuar të granteve. Do të bëhen përpjekje për të përcaktuar nivelin e transferimit si përqindje e të ardhurave të përgjithshme publike.

 

Taksat

Taksa e pasurisë do t’i nënshtrohet një reformimi rrënjësor, duke ndryshuar parimin kryesor të kësaj takse, nga një taksë mbi bazë sipërfaqen në një taksë mbi bazë vlerën e pasurisë së paluajtshme.

Reforma do të prekë të gjithë komponentët e taksës përfshirë krijimin e një kadastre fiskale të posaçme për këtë taksë. Si rezultat i reformës në taksën e pasurisë parashikohet që në një periudhë afatmesme, ajo të jetë burimi kryesor i të ardhurave të veta të qeverisjes vendore.

 

Huamarrja vendore

Kuadri ligjor i huamarrjes vendore, përfshirë kuadrin ligjor për paaftësinë paguese financiare, do të rishikohet për të përmirësuar situatën në lidhje me kapacitetin e qeverive vendore për të marrë hua me qëllim financimin e projekteve të infrastrukturës. Kjo do të shoqërohet me vlerësimin e kapacitetit të përgjithshëm të qeverive vendore, për të marrë hua dhe për të përdorur kreditë. Kjo reformë do të lidhet me forcimin e kapaciteteve të brendshme të auditimit të NJQV dhe identifikimin e problemeve të kontabilitetit në nivel vendor, mbi bazën e të cilave do të përgatitet paketa e masave për trajtimin e tyre. Gjithashtu do të rishikohen rregullat financiare për të shmangur akumulimin e borxheve të deklaruara apo të fshehura. Dispozitat ligjore për financat vendore do të rishikohen për të përmirësuar procesin e formulimit, zbatimit dhe mbikëqyrjes së buxheteve vendore.

Sistemi i Automatizuar i Informacionit Financiar të Thesarit do të zbatohet edhe në nivelin vendor për të integruar të dhënat mbi të ardhurat dhe shpenzimet vendore në sistemin kombëtar, duke rritur shpejtësinë e informacionit.

 

Pronat, si po transferohen

Procesi i transferimit të pronës së paluajtshme te njësitë vendore është ende në vazhdim. Aktualisht, procesi i inventarit të pronave publike është përfunduar në 373 njësi vendore. Listat paraprake të inventarëve për transferimin e pronës janë miratuar për 265 njësi vendore, ndërsa transferimi përfundimtar është kryer vetëm për 166 njësi vendore.

Të gjitha ndërmarrjet e ujësjellësit janë transferuar tashmë te njësitë vendore në formën e aksioneve të shoqërive aksionere (SH.A.).

Procesi i transferimit të pronësisë së pyjeve dhe kullotave është përfunduar për 317 njësi vendore. Regjistrimi i tokës është duke ecur me ritme tepër të ngadalta për shkak të shumë vështirësive me të cilat ballafaqohen njësitë e qeverisjes vendore si pagimi i tarifës së regjistrimit, problemet me hartat etj. Vetëm një pjesë fare e vogël e NJQV-ve kanë një sistem të kompjuterizuar për inventarizimin e pasurive dhe të sistemit të informacionit GIS. Kjo bën të mundur që të kryhet një analizë më e mirë e informacionit dhe përdorimi i të dhënave për menaxhimin e pasurive të kryhet në përputhje me situatën specifike.

NJQV kanë të drejtë të shesin tokën për zhvillimin e strehimit social. Ato kanë përgjegjësi për planifikimin urban, menaxhimin e tokës dhe strehimin, duke angazhuar fondet e tyre, buxhetin e shtetit, fondet e donatorëve apo të Partneriteteve Private-Publike për programet e strehimit social, strehimit me kosto të ulët apo për infrastrukturën e tokës. Pas heqjes së kufizimeve të huamarrjes, përdorimi i PPP shihet si një mundësi e NJQV për financimet private, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të infrastrukturës publike dhe aseteve vendore.

 

Menaxhimi i ri i infrastrukturës

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve do t’i nënshtrohet një reformimi tërësor. Në periudhën afatmesme, i gjithë kuadri rregullator dhe financiar do të rishikohet duke synuar që të vendosen standarde të reja në sistemin e prodhimit të ujit, shpërndarjes dhe menaxhimit të ujërave të ndotura. Rivlerësimi i sistemit të tarifave të ujit do të bëhet në kuadrin e vlerësimit financiar të të gjithë sektorit. Në kuadrin e reformës administrative, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve dhe asetet e tyre do t’i nënshtrohen bashkimit të tyre sipas ndarjes së re administrative me 61 bashki.

Brenda vitit 2017 duhet të përfundojë inventarizimi i të gjithë sistemit të rrjetit rrugor urban dhe rural. Në nivel qendror do të miratohen standardet e projektimit, ndërtimit dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore. Format e Partneritetit Publik Privat do të lejohen për rritjen e cilësisë së shërbimit.

Në bazë të reformës së re administrativo-territoriale dhe administrative, do të rishikohet funksioni i menaxhimit të mbetjeve urbane. Sistemi i menaxhimit të integruar të mbetjeve do të funksionalizohet në kuadrin e 61 bashkive të reja dhe 12 qarqeve. Menaxhimi i landfilleve do të rikonsiderohet në kuadrin e ri të shpërndarjes së kompetencave midis niveleve të ndryshme të qeverisjes vendore.

Do të nxitet riciklimi i mbetjeve si një përpjekje për të ulur depozitimin e mbetjeve dhe për të mundësuar djegien e tyre, me qëllim prodhimin e energjisë elektrike. NJQV do të inkurajohen të aplikojnë forma të partneritetit dhe bashkëpunimit publik-privat. Qeveria qendrore do të japë mbështetje të fortë për pushtetin vendor në finalizimin dhe miratimin e të gjitha planeve rajonale për një menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve, duke monitoruar edhe zbatimin e tyre.

Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të vijojnë të jenë instrumente nxitës të zhvillimit urban dhe rural.

Në fushën e infrastrukturës së bujqësisë, si funksion i ri, bashkive do t’ju decentralizohet funksioni i ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrjetit dytësor dhe terciar të ujitjes dhe kullimit. Ky funksion i ri i qeverisjes vendore do të rrisë dukshëm shërbimet në favor të fermerëve dhe zhvillimit rural. Ndryshimet në ligjin organik dhe aktet nënligjore do të përfshijnë dhe këtë fushë. Planet e menaxhimit të sistemeve të ujitjes dhe kullimit do të hartohen për çdo bashki me ndihmën e autoriteteve qendrore dhe donatorëve.

 

Formati i ri i shërbimeve sociale

Funksioni i shërbimit social vendor do të decentralizohet dhe do të kalojë në kompetencë të bashkive. Në çdo bashki do të krijohen zyrat e integruara të shërbimit social dhe do të hartohet një “shportë e shërbimeve bazë”, të cilat do të financohen nga buxheti i shtetit.

Në nivel bashkie do të hartohen Planet Lokale Sociale. Bashkitë do të ofrojnë shërbime shtesë në fushën e shërbimeve sociale dhe përkujdesjes shoqërore, përtej “shportës të shërbimeve bazë”.

Financimi i këtyre shërbimeve shtesë do të bëhet nga buxhetet lokale që për këtë qëllim mund të krijojnë instrumente financiare si p.sh. Fondi Social Lokal.

Përmirësimi i kapaciteteve menaxhuese dhe cilësisë së shërbimeve sociale në lidhje me jetimoret, qendrat ditore, shtëpitë e të moshuarve, etj., do të jetë pjesë e prioriteteve të qeverisë në sektorin social.

Ofrimi i shërbimit do të bazohet në një listë të paracaktuar të shërbimeve dhe standardeve minimale që do të hartohen nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Strehimi social do të reformohet në harmoni me strategjinë e re të strehimit. NJQV-të do të nxiten për të krijuar bashkëpunime me sektorin privat dhe/ose jofitimprurës, për të siguruar një strehim të përballueshëm për shtresat në nevojë, duke ofruar lehtësi fiskale dhe troje publike për strehim social.

Çdo bashki e re do të ketë planet 10-vjeçare të strehimit social dhe do të planifikojë fondet specifike për këtë funksion. Qeveria qendrore do të vijojë politikën e investimeve nëpërmjet Entit Kombëtar të Banesave duke plotësuar kërkesat në rritje të bashkive.

Në bashkëpunim me MAS do të synohet rritja e aktiviteteve sportive dhe shtimi i ambienteve sportive përkatëse në dobi të komuniteteve vendore. Qëllimi i qeverisë është të rrisë fondet e caktuara për NJQV për nxitjen dhe krijimin e kushteve që mundësojnë turizmin dhe trashëgiminë kulturore, veprimtari të përgjithshme kulturore që krijohen dhe realizohen në nivel vendor. Do t’u jepet mbështetje NJQV në ngritjen e një sistemi të integruar të zhvillimit të zonave dhe objekteve të trashëgimisë kulturore.

 

E drejta për koncesione

Ndryshimet e reformës administrativo-territoriale do të shoqërohen me ndryshimin e organizimit të brendshëm të NJQV, në mënyrë që ato të përshtaten me kërkesat e administrimit të një territori edhe më të madh. Koncesionet me Partneritetin Publik-Privat (PPP) do të aplikohen edhe në nivel vendor. Qeverisja vendore do të ketë kompetencë në drejtim të lidhjes së Partneritetit Publik-Privat në mbështetje të planeve strategjike për zhvillimin ekonomik në infrastrukturën dhe shërbimet publike në kompetencën e saj.

Ky instrument, sipas Ministrisë së Çështjeve Vendore, do të nxisë thithjen e investimeve private dhe do të përmirësojë shërbimet publike vendore. Përdorimi i PPP-ve në nivel vendor do të lehtësohet nëpërmjet ndryshimeve në legjislacion. Mbrojtja dhe zhvillimi i pyjeve, kullotave dhe burimeve natyrore për pushtetin vendor do të decentralizohet në masën 100%, funksioni i pyjeve dhe kullotave vendore dhe bashkitë do të jenë aktori kryesor për menaxhimin e tyre si aset ekonomik por edhe mjedisor. Transferimi i pyjeve dhe kullotave do të përfundojë brenda vitit 2019.

NJQV do të përfshihen në zbatimin e një programi të ri pyllëzimi kombëtar dhe do të organizohet dita kombëtare e mbjelljes së pyjeve. Do të rritet bashkëpunimi mes shërbimit këshillimor bujqësor dhe NJQV, në mënyrë që të sigurohet pjesëmarrja e qeverisë vendore në procesin përkatës të hartimit të politikave dhe menaxhimit të zonave pyjore. Gjithashtu pritet të miratohet një program i ri investimi për të rehabilituar sa më shpejt të jetë e mundur zonat pyjore që janë me rëndësi kombëtare, të tilla si Lura, Qafshtama, etj.

 

Planet e reja për turizmin

Bashkitë do të kenë kompetenca të shtuara në drejtim të organizimit të rrjetit të promovimit turistik lokal dhe rritjes së cilësisë së infrastrukturës lokale në shërbime të turizmit. Bashkëpunimi me institucionet përkatëse qendrore, si dhe bizneset private për rritjen e sektorit të turizmit në nivel lokal do të jenë detyrim për çdo bashki. Njësitë e reja do të përfshihen dhe do të përfitojnë nga zbatimi i tre programeve kryesore që planifikon të zbatojë qeveria: (i) Programi për turizmin kulturor dhe historik, (ii) Programi për ekoturizmin, (iii) Programi për turizmin bregdetar dhe malor, i cili do të pasohet nga projekte të mëdha të investimeve kapitale në shërbime dhe infrastrukturë, përmes praktikave të Partneritetit Publik-Privat, sidomos për zonat që janë afër zonave të banuara.

 

Tranzicion i vështirë dhe i kushtueshëm

Plani i veprimit që mundëson zbatimin e plotë të reformës territoriale deri më 2010 parashikon rreth 150 veprime, financimi i të cilave kërkon angazhim financiar prej 9.2 miliardë lekësh ose rreth 66 milionë euro. Nga analiza dhe kostimi i strategjisë parashikohet që financimi nga buxheti i shtetit (ministrive të linjës) të jetë rreth 1,5 miliardë lekë (rreth 16%) dhe 1,5 miliardë lekë (rreth 16%) të jetë financimi i parashikuar nga buxheti i qeverisjes vendore.

Angazhime konkrete janë marrë edhe nga donatorët dhe parashikohet që 0,45 miliardë lekë (rreth 5%) të jetë financim nga asistenca teknike e donatorëve.

Boshllëku financiar i parashikuar është 5,75 miliardë lekë (63%) e strategjisë.

Në buxhetin e shtetit për vitin 2015, si pasojë e reformës territoriale është parashikuar fondi i tranzicionit i aplikuar për herë të parë për të mbështetur NJQV-të. Do të synohet që mekanizmi i këtij fondi tranzicioni të përdoret në vitet në vijim dhe të financohet nga donatorët dhe/ose burime të buxhetit të shtetit.

Monitor

SHKARKO APP