Shqipëria vendi ku jeta nuk vlen 5 lekë!
Nga Kreshnik Spahiu
Ishte mesazh qartazi mafioz. Korierët çuan fjalë. Ata nuk ishin teleshikues që u mërzitën me Top Channel jo, por ishte kriminel barabar mafioz dhe tipik shqiptar. Nuk ndodh në Europë. Nuk ndodh në Azi. Nuk ndodh në Afrikë. Ndodh vetëm në Amerikë Latine por me një ndryshim që në Meksikë dhe Kolumbi vrasin drejtorin dhe jo rojen e gazetës apo televizionit.
Akti terrorist ndaj Top Channel nuk ishte rastësi por i paramenduar kohë më parë.
Autorët ishin mirë organizuar dhe e kishin planifikuar aktin terrorist.
– ata kishin kohë që kishin vjedhur një makinë Range Rover për ta përdorur atë dje?
– ata kishin një muaj që kishin vjedhur targat për ti përdorur ato dje,
– ata kishin planifikuar ku dhe kujt tja vidhnin,
– ata koshin planifikuar kohën kur çdo natë largohen gazetarët,
– ata kishin vëzhguar prej ditësh lëvizjet.
Të gjitha detajet e krimit na çojnë në konkuluzionin se nuk kemi të bëjmë me krim ordiner por të mirë organizuar.
Disa thonë çështje gjyqësore,
Disa thonë çështje informacioni,
Disa thonë prag fushate elektorale,
Disa thonë tifozat e Luizit apo Oltës,
Disa thonë nga viktmat e SPAK,
Disa thonë që për të parandaluar një lajm,
Një gjë është e sigurt: Mesazhi ishte për Top-Channel dhe jo për pronaren. Atentati nuk qe ndaj një njeriu por ndaj medias. Atentati nuk ishte në shtëpi, makinë, vilë, dyqan.
Atentati ishte ndaj një televizioni kombëtar që flet shqip në shtëpinë e çdo shqiptari në Shqipëri, Kosovë, Shkup, Ulqin, Tetovë, Athinë, Romë, Berlin, Londër. 10 milon shqiptar i bashkon Top-Channel me sport, art, muzikë, reality show.
Mesazhi i mafies ishte i qartë: Hesht. “Omerta shqiptare” Kodi i mafias siçiliane. Sot në dyert e Top-Channel u vra një baba, vëlla, gjysh që punonte me gjak për bukën e gojës.
Kufoma e tij ishte mesazhi i mafies shqiptare që në Shqipëri jeta nuk vlen as 5 lekë.
Aq qindarka sa ju gjetën të ndjerit Pal Kola në xhep nuk mjaftojnë të blesh një plumb.
As plumbi që e vrau nuk vlen aq, ndonëse çmimi shumicës ka rënë për plumbat e depove që hapi mafia politike shqiptare në 1997 dhe 2008 në Gërdec.
Fatkeqësisht shqiptarët nuk vrasin politikisht. Me ato plumba nuk po vriten politikan por mijëra shqiptarë rrugëve të kombit. Pse kaq pak popull idealist paskemi qenë? Pse kaq barbarizëm në venat tona? Plumbat kanë gjunjëzuar shtetin dhe institucionet por fatkeqësisht kanë hedhur në erë edhe ndërgjegjen shoqërore.
Kjo marrëzi popullore po vret çdo ditë jetë të pafajshme. Frikë të ulesh në bar. Frikë të jesh në restorant. Frikë me makinë në autostradë. Shikoni Kosovën. Ata ishin në luftë 20 vjet më parë por..Edhe atje janë shqiptar. Edhe atje u hapën depot me armë. Edhe atje ka armë në çdo shtëpi. Por atje nuk ka plumba mbi popullin e thjesht dhe fukara. Kosova nuk zgjohet çdo mëngjes me plumba në paqe. As mafia meksikane nuk është kaq e pamëshirshme sa halabakët e Shqipërisë.