Shqiptarë, Kosovarë dhe Futboll

“I dhimbshëm, zhgënjyes, del ky debat ngase ai nxitet dhe zhvillohet pikërisht nga ata që asnjëherë nuk duhej ta bënin këtë; nuk janë shefat e grupeve të tifozëve që e iniciojnë këtë debat të kotë ndërmjet futbolldashësve të Kosovës dhe Shqipërisë, por ata me përgjegjësi publike – publicistë, politikanë e gazetarë, që në të gjitha vendet tjera normale të botës, gjenden në anën e kundërt, duke i luftuar dukuritë e tilla”…

Nga Baton Haxhiu

Milot Rashica do të duhet të bëjë diçka spektakolare në karrierën e tij nëse dëshiron ta tejkalojë famën e fituar këto ditë. Vendimi i tij për të luajtur për Përfaqësuesen e Kosovës ka nxitur shumë shkrime, qindra statuse dhe mijëra komente në rrjetet sociale. U bë arsyeja që të shqiptarët gjithandej të shpërthejnë duke sharë me nënë e babë, me racë e prejardhje.

Fjala “tradhti”, e përdorur në shkrimin e Andi Bushatit që ndezi fitilin e debatit, doli nga shishja dhe diskutimet për futbollin dhe futbollistin u harruan. Duke e njohur shumë mirë Andin, fjala “tradhti” m’u duk ndryshe prej mënyrës tipike me të cilën ai mendon, fjalorit të tij. Por, kjo fjalë e vendosur në titull problematizoi peshën kombëtare dhe identitare, duke u bërë mollë sherri për shigjetimet, mëritë dhe të panjohurat që kanë shqiptarët andej dhe këndej kufirit.

Andi Bushati ishte provokues në shkrimin e tij kur tha se ata lojtarë që e braktisin kombëtaren e Shqipërisë për atë të Kosovës janë tradhtarë për shkak të inatit dhe jo prej idealizmit. Përkundër provokimeve shigjetuese brenda tekstit, shpjegimi nuk argumentohej me flamurin, identitetin, etninë dhe shtetin, por me ekipin, klubin dhe futbollin e njërës qendër apo tjetrës. Sa ora reagimet e feudëve të shkallmuar nga lufta për “ta mbrojtur” identitetin e shtetit – dhe kombit – të ri kosovar, e zbrazën gjithë arsenalin e raketave patriotike kundër paternalistëve të Tiranës. Është interesante se janë gati po të njëjtët protagonistë, veçse tash në frontin e kundërt të ulërimës kolektive, të cilët dikur gati m’i nxorën sytë kur pata thënë: “E jap flamurin për shtetin e Kosovës“.

Këta që sot e mbrojnë flamurin e Kosovës e bëjnë këtë me të njëjtin patriotizëm primitiv siç e mbronin dikur flamurin kuqezi. Pasi i lexova të gjitha shkrimet dhe debatet për Milot Rashicën, i habitur me mendimet e politizuara, vendosa ta them atë që e kam përjetuar. Ndjej obligim ta mbroj dhe artikuloj interesin publik, e jo atë te polemikave pro et contra për kosovarizmin dhe anti-kosovarizmin. Parimisht, interesi publik do të duhej mbrojtur dhe artikuluar nga të gjithë, ndonëse aktualisht me të po abuzohet në mënyrën më flagrante. Në Kosovë dhe Shqipëri është keqkuptuar liria e të folurit, duke transmetuar informacione selektive, të pavërtetuara, shpesh të rreme, të rrezikshme dhe acaruese për secilën çështje që ka të bëjë me raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo krejt e bazuar në një politizim Kosovë-Shqipëri, sepse shqiptarët e Kosovës po largohen nga armiqësia me Serbinë, kurse Shqipëria po takohet vrullshëm me Kosovën.

Është interesant një shënim. Në Kosovë kishte dy qasje mendimesh që ishin po aq konspirative sa edhe ato në Shqipëri: e gjithë estrada e mbrojtësve të Kosovacentrizmit ishte e mendimit se Rashica nuk e meritonte të rrinte më si rezervist në kombëtare. Kurse ata që ofendonin Rashicën ishin të mllefosur dhe të frikësuar se kombëtarja do të dobësohet dhe nuk do ta ketë fuqinë e njëjtë pa shqiptarët e Kosovës.

Milot Rashica është 20 vjeçar. Futbollist. Nuk është as shkencëtar që zbulon ilaç për kancer dhe as njeri që e ka në dorë teknologjinë bërthamore. Është thjesht një gladiator i kohës. Djali ka interes personal dhe profesional. Asgjë më shumë. Më habit fakti se analistët dhe njerëzit e rëndomtë kësaj radhe nuk dallonin në qëndrime; ata mendonin njëlloj. Pa filtra të fjalorit dhe tregimeve për një të vërtetë që nuk ekzistonte.

Në Kosovë thoshin se edhe këtë herë Shqipëria nuk na deshi, derisa në Shqipëri fillonin rrëfimin prej limonadave, gjuhës, e deri te “Gropa e Hajdinit” – një rrëfim ky tashmë i njohur për të gjithë. Fatkeqësisht, Fatos Lubonja dhe Armand Shkullaku kanë pasur të drejtë kur dikur e kanë përmendur këtë “armiqësi të fjetur e cila një ditë do të shpërthejë”. Fatosi e kishte thënë këtë në shkrimin e famshëm “Shqiptarët dhe Kosovarët”, në vitin 1995.

Por, t’i kthehem debatit. Synoj që në mënyrë racionale të shpjegoj se çfarë domethënie ka një gladiator dhe tifozllëku për të. Dhe pse një futbollist nxiti një gjuhë raciste ndërmjet shqiptarëve. Tifozët nuk janë botë në vete, s’janë kategori që vijnë nga ndonjë ishull i izoluar, që pa kontakte me “qytetërimin” shkojnë drejt stadiumeve. Ata janë konsumues të përditshëm të kulturës së shoqërive ku jetojnë. Pra, të fjalorit që shprehim në publik.

Agresionet, paragjykimet, frustrimet, urrejtja që ata furishëm i zbrazin gjatë garave ndërmjet klubeve, janë dhunë e përkundur, inkubuar, akumuluar jashtë ndeshjes. Asnjëra nga ideologjitë si ksenofobia, neofashizmi, ultranacionalizmi dhe racizmi nuk kanë lindur brenda arenave sportive. Ato janë bartur aty. Fatmirësisht – me përjashtim të ca aksidenteve me drone e flamuj aspiratash individuale a grupore – tifozët shqiptarë nuk e kanë treguar kurrë protagonizëm për t’u shndërruar në banda kërcënuese të sigurisë dhe jetës, jo vetëm brenda stadiumit por edhe për qytetet ku zhvillohen ndeshjet.

Kjo do të thotë se shoqëria, mediat, politika, nuk u ka ofruar grupeve tifozërike material destruktiv përveç atyre tashmë që janë bërë modë brohoritjesh të alkoolizuara. Në kampionatin e fundit europian tifozët shqiptarë mahnitën botën me sjelljen, bukurinë, kulturën dhe tifozërinë që me të drejtë u himnizua nga mediat botërore. Dhe tash çka ndodhi? Kush është në udhë e sipër që ta deformojë këtë kulturë të sapo nisur? Kush kontribuon me vetëdije, apo pa të, që të frikohemi se nesër edhe ne si Italia do të përballemi me brigada të ultras-ve nëpër shtete të ndryshme, të gatshme për karnavale dhune, të cilat kërcënojnë sigurinë sa herë të luhet futboll?

Duan edhe shqiptarët që të luajnë futboll duke zhurmuar si idiotë, siç bëjnë tifozët e Lazio-s, çdo herë kur e identifikojnë në stadium ndonjë lojtar me origjinë afrikane? Ndoshta edhe më keq se kaq. Në saje të debateve të fundit Shqipëri-Kosovë, kjo frikë bëhet sa qesharake po aq edhe tragjike, sepse shpalos luftë/urrejtje nga të cilat mund të rezultonin skena ku tifozët e Taulantit e fyejnë si shimpanze Granitin vetëm pse gjendet në përfaqësuesen e Kosovës e jo në atë të Shqipërisë dhe anasjelltas. Ç’është ky primitivitet feudësh të vegjël?

I dhimbshëm, zhgënjyes, del ky debat ngase ai nxitet dhe zhvillohet pikërisht nga ata që asnjëherë nuk duhej ta bënin këtë; nuk janë shefat e grupeve të tifozëve që e iniciojnë këtë debat të kotë ndërmjet futbolldashësve të Kosovës dhe Shqipërisë, por ata me përgjegjësi publike – publicistë, politikanë e gazetarë, që në të gjitha vendet tjera normale të botës, gjenden në anën e kundërt, duke i luftuar dukuritë e tilla.

Sa rëndë pranohet realiteti se shqiptarët i kanë dy shtete, dy subjekte ndërkombëtarisht të njohura me të drejtën dhe dëshirën për t’i pasur përfaqësueset e tyre në garat kontinentale dhe globale. Pse të jetë kaq e vështirë të kuptohet se lojtari është subjekt me të drejtat e tij që të luajë ku të dojë. Se ai – futbollisti – është instanca që vendos se ku dhe me kë do të luajë. Si ka mundësi të flitet për lirinë individuale dhe njëkohësisht të tentohet të arrestohen njerëzit brenda grilave të ideologjive të kota mbi etninë, kombin, atdheun, madje edhe atëherë kur bëhet fjalë për sport, për klube e jo për kongrese të përcaktimit identitar dhe nacional të vendeve. Me këtë lloj debati ecim drejt formimit të një mendësie të urrejtjes ndërmjet njerëzve të një gjuhe, historie e tradite.

Pa asnjë nevojë.

Qasje primitive.

Asgjë tjetër.

SHKARKO APP