Shqiptarët duan të shkojnë në BE, Rama po i çon në BE-ograd
Prof. Dr. Ana Leka
Shqiptarët nuk e duan. Kosova nuk e do. BE-ja nuk e do. Edi Rama e di fare mirë këtë nivel dhe shtrirje mospëlqimi ndaj tij, këtë mospranim të qeverisjes së tij, ndaj edhe po drejtohet andej nga e duan, në Beograd.
Gjatë qeverisjes Rama, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE jo vetëm është penguar dhe përkeqësuar por siç u pa edhe nga qëndrimi i Francës, rrezikon edhe të dështojë plotësisht duke i privuar njëherë e përgjithmonë shqiptarët nga ëndrra e tyre dhe nga destinacioni më i natyrshëm që i takon vendi tonë.
Nga pesë kushte, tashmë Shqipëria ka njëmbëdhjetë, ndër të cilat jo vetëm Bundestagu gjerman por edhe vende të tjera kanë imponuar përmes kushteve shqetësimet e tyre ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë. Presidenti Macron foli në emër të shumë shteteve kur i dha shuplakën e rëndë Ramës në tetor, e cila për fat të keq rëndoi më shumë mbi shqiptarët e pafajshëm që e meritojnë Evropën, por që po ndëshkohen prej atij që i qeveris.
Na ndani nga Shqipëria ishte apeli dëshpërues i Maqedonisë së Veriut përmes Ministrit të saj të Jashtëm, Nikola Dimitrov. Nuk duam as Reformë në Drejtësi si në Shqipëri u shpreh kryeministri Zoran Zaev. Kritika të rënda kanë ardhur edhe nga Kryministri Haradinaj dhe ai i zgjedhur, Albin Kurti, mbi mini-shengenin e Ramës dhe qasjen e tij vëllazërore me Vuçiç. Kolumbia e Evropës e kanë quajtur Shqipërinë mediat më të rëndësishme ndërkombëtare gjatë qeverisjes së Ramës. Vendi me korrupsionin dhe largimin e popullatës më të lartë në kontinent tregojnë raportet nga vendet e BE dhe Departamenti i Shtetit. Nuk ka mbetur më asnjë shqiptar i vetëm që nuk mendon të largohet nga ky vend. Ky është bilanci i qeverisjes Rama. Larg Evropës. Çdo ditë që kalon, qeverisja e tij po e çon gjithnjë një hap larg ëndrrës së shqiptarëve për në BE.
Por ky bilanc kaq i errët, më i keqi në tridhjetë vitet e fundit, po i shtohet edhe dëshira e shfrenuar e Kryeministrit për një rikthim në diktaturë. Censurë ndaj medias dhe fjalës së lirë. Kontroll i të gjitha institucioneve të “drejtësisë së re”. Përbuzje dhe shthurje totale ndaj normave kushtetuese. Përbuzje ndaj vetë shqiptarëve me vendime madhore përmes VKM-ve, përdhosje e sakrificave dhe jetëve të humbura të vëllezërve kosovarë dhe tradhti ndaj atdheutduke u puthur me Beogradin, shteti që jo vetëm nuk e njeh Shtetin e Kosovës por edhe është pengesa më e madhe për integrimin e saj në institucionet dhe organizmat ndërkombëtarë.
Dhe teksa Rama i kthen shpinën BE-së dhe shkon atje ku e duan, në BE-ograd, Serbia, shtëpia e tij e zemrës, nuk fluturon aspak me ëndrra rama-eske, dhe nuk përfshihet në mini-shengenin e kryeministrit shqiptar për publicitet. Ajo i ka bërë shumë mirë detyrat e saj dhe teksa dikur ishte pas Shqipërisë në të gjitha indikatorët e integrimit dhe ekonomisë, sot vazhdon të ecë përpara vendit në të gjitha drejtimet, si në investimet e huaja ashtu edhe në klimën e biznesit që ofron. Në raportin e Doing Business të vitit 2019, Shqipëria vjen e fundit në rajon. Maqedonia, Kosova, Serbia, Mali i Zi janë shumë vende përpara Shqipërisë. Thënë në zhargonin e përditshëm, përpara Ramës ishim përpara ndërsa tani jemi bishti i kavallit. Dhe ky rezultat ka vetëm një fajtor, Edi Ramën, kryeministrin e vetëm në botë që del çdo orë e minutë në televizor dhe në të gjitha rrjetet sociale, por që po e çon vendin në skajin e varfërisë.
Askush nuk e do Ramën. As brenda e as jashtë me përjashtim të Beogradit. Dhe ky njeri vazhdon ta çojë vendin drejt humnerës. Çdo njeri i përgjegjshëm do kishte dhënë dorëheqjen, dhe ky do ishte në fakt akti i vetëm në të mirë të këtij vendi, por ai as që ka ndërmend ta bëjë, pasi ose është kapur nga oligarkët të cilët nuk e lëshojnë deri sa ai ta përmbushë plotësisht misionin e tyre për të zhvatur deri në qindarkën e fundit këtë vend, ose marrëzia e tij do t’ia kalojë edhe atij që e shkeli këtë vend për gjysmë shekulli.