Shqiptarët e Maqedonisë, ishin dhe mbetën fitues betejash dhe humbës luftash!

Shqiptarët e Maqedonisë e fituan edhe betejën për shpalljen e Autonomisë së Iliridës, por edhe këtë autonomi e humbën diku në mes të luftës për t’i bindur perëndimorët se ata do mbeten gardianët më të denjë të stabilitetit të Ballkanit…

Kim Mehmeti

Shqiptarët e Maqedonisë deri tani janë treguar si fitues të denjë të betejave, por humbës të pashembullt të luftërave. Dhe e dini pse: sepse betejat i kanë zhvilluar në emër të shqiptarisë, ndërkaq luftërat, për të qenë të pëlqyerit e sunduesit maqedonas dhe, për të përfituar klanet dhe kryesuesit partiak. Doni dëshmi për këtë?!

Ja disa nga betejat e fituara dhe luftërat e tyre të humbura.

Pas mëvetësimit të Maqedonisë, shqiptarët e këtushëm e fituan betejën e parë demokratike, duke ardhur nga të gjitha anët e botës që ta votonin PPD’në, por pas kësaj fitoreje, thuajse të gjitha elitat e këtushme shqiptare, e filluan luftën për të qenë të pëlqyerit e LSDM’së maqedonase sunduese, të cilës edhe asokohe nuk i mungonin votat shqiptare, e as shqiptarë në kryesinë e saj, por që shkoi më larg se dikur ‘etërit’ e saj jugosllavë dhe, jo vetëm që i fshiu shqiptarët nga kushtetuta, por nisi ta ndërtojë shtetin mbi parimin e rrezikimit të tij nga armiku i ‘natyrshëm shqiptarë’.

Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, shqiptarët e Maqedonisë e fituan betejën e mosmiratimit të kushtetutës dhe atë të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë, por pas së cilave beteja, drejtuesit e këtushëm partiak e filluan dhe e humbën luftën për të qenë të pëlqyerit e Tiranës, ku përpiloheshin listat e tradhtarëve dhe heronjve të këtushëm, si metodë e suksesshme enveriste për t’i eliminuar të papëlqyerit e burrështetasve të atjeshëm.

Shqiptarët e Maqedonisë e fituan edhe betejën për shpalljen e Autonomisë së Iliridës, por edhe këtë autonomi e humbën diku në mes të luftës për t’i bindur perëndimorët se ata do mbeten gardianët më të denjë të stabilitetit të Ballkanit.

Dhe erdhi konflikti i 2001, kur shqiptarët e fituan betejën kundër një Maqedonie antishqiptare dhe kur të gjithë ata e votuan BDI’në. Por pastaj, i humbën thuajse të gjitha që kishin, edhe atë vetëm pse partia e tyre në qeveri, e filloi luftën për përfitimet personale të kryesuesve të sa dhe, që ta bindte botën se ajo do e mbronte Maqedoninë edhe nga vetë maqedonasit, me çka mbeti partia më e pëlqyer shqiptare për VMRO-DPMNE-në dhe u bë vlera më e çmuar nacionale e popullit maqedonas.

Ka edhe përplot beteja tjera që i fituan shqiptarët e Maqedonisë, siç ka edhe përplot luftëra që ata i kanë humbur. Dhe gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë sa ekziston ky shtet, shqiptarët e këtushëm i shkruan dhe rishkruan listat e patriotëve dhe tradhtarëve të vet, edhe atë varësisht nga autori që i përpilonte ato, apo varësisht nga partia shqiptare në pushtet. Por në ndërkohë, gjithmonë duke i humbur luftërat kundër policisë dhe gjyqësorit maqedonas, që likuidonin e dënonin shqiptarë, si të ishin ata fëmijët e askujt.

Si do që të jetë, shqiptarët e Maqedonisë më në fund arritën këtu ku janë sot: në ditët a para të pas zgjedhjeve parlamentare të 2016, pra në pritje të lajmit se cila parti e tyre do bëhet pjesë e qeverisë së re. Dhe mbase ata ndjehen njësoj si pas zgjedhjeve të para demokratike të mbajtura në këtë shtet, kur ata e dinin se çka duan , pore s’kishte kush u tregonte se cila rrugë çon deri te caku i tyre i dëshiruar.

Pra shqiptarët e sotëm të Maqedonisë, mbase ndjehen si në vitet e para të mëvetësimit të këtij shteti, kur prisnin që dikush nga mëmëdheu t’i ndihmojë në rrugëtimin e tutjeshëm të tyre, por kur nga atje, në vend të porosive amënore, u vinin listat e tradhtarëve dhe shqiptarëve që duhej lëçitur. Njësoj siç ndodhi edhe gjatë fushatës parazgjedhore të këtij dhjetori, kur Tirana dhe Prishtina i zbulonin “turkoshakët” dhe ‘islamistët’ e këtushëm, dhe njëkohësisht lëvdonin dhe lartësonin heroizmin e shqiptarëve që votuan dhe iu bashkëngjitën LSDM’së maqedonase, edhe atë duke pasur para hundëve dhjetar parti shqiptare. Me çka disa qarqe nga Tirana e Prishtina, u treguan shqiptarëve të Maqedonisë se thuajse çdo gjë Lindore dhe myslimane është antishqiptare, në krahasim me prosllavizmat dhe proortodoksizmat, që janë melhem shërues për patriotizmin shqiptarë!?

Po pra, shqiptarët e Maqedonisë ishin dhe mbetën popull i cili i fiton betejat, por i humb luftërat. Edhe atë shkaku se betejat i bënë në emër të shqiptarisë, e luftërat për përfitime të klaneve dhe drejtuesve partiak shqiptare, duke mos i përjashtuar as ata në Tiranë e Prishtinë. Andaj edhe sot – duke mos dashur të jetë as parashikues as paragjykues – autori i këtij teksti s’ka si e fsheh ndjesinë se edhe pas këtyre zgjedhjeve parlamentare, kur shqiptarët e Maqedonisë e fituam betejën kundër injorancës, rrugaçërisë dhe banditizmit të BDI’së e PDSH’së, që e ndihmuan regjimin e VMRO-DPMNE’së ta deshqiptarizonte Maqedoninë, pra edhe kësaj radhe kur ata e fituan betejën kundër atyre që për ta mbuluar radikalizmin deshqiptarizues partiak, merreshin me zbulimin e armiqve që duan shqiptarisë t’ia ngatërrojnë lindjediellin dhe, nga Perëndimi atë ta ç’vendosin në Lindje, autori i këtij teksti s’ka si e fsheh frikën se kryesuesit e partive politike të shqiptarëve të këtushëm, do e fillojnë betejën fituese se cili nga ata do ulet në kolltukun e butë të burrështetasit, por mbase do e humbim luftën e fundit për të pasur shtet dhe për ta ndërtuar Maqedoninë shqiptare.

SHKARKO APP