Shqiptarët në mbrojtje të Vlerave Euroatlantike
Nga Arian Starova
Trembëdhjetë maji i djeshëm shënoi një prej fitoreve të mëdha të arritura nga opozita shqiptare. Protesta rreth nëntëdhjetë ditëshe e saj u mbështet në mënyrë kulmore nga qytetaria dhe rinia shqiptare e Tiranës dhe e krahinave të tjera të vendit. Dhe përsëri, na dolën ca medie të shitura për ta përbaltur me fjalë atë tubim të bukur të qytetarisë, por ata mund ta bëjnë këtë vetëm me çmimin e pashmangshëm të vetëpërbaltjes, sepse gjithçka ishte e qartë nën dritën e diellit të Zotit dhe të diellit të arsyes.
Befasia e parë e bukur e atij tubimi madhështor ishin fjalët e shpirtit të disa të rinjve, të cilët spikatën me oratorinë e tyre të bukur dhe mendim ngjeshur në mbështetje të vlerave madhore të nëpërkëmbura të demokracisë shqiptare. Prania e tyre në tubimin e djeshëm tregoi se Opozita është burim i pashtershëm i mendjeve dhe vullneteve të rinj njerëzorë, të cilët nuk mund të zëvendësohen nga asnjë “sajesë opozitare” e re “me bekim qeveritar”. Partia Demokratike, zemra e Opozitës së sotme, është e rrënjosur në themelet e shoqërisë së sotme shqiptare dhe çdo përpjekje për ta zhbërë atë e risjell edhe më të fortë, siç po e tregojnë zhvillimet e sotëm dhe protesta e djeshme e mrekullueshme.
Mund ta them me bindje se, pas lëvizjes së dhjetorit 1990, kjo është lëvizja e dytë e madhe në emër të vlerave demokratike në Shqipëri. Opozita, e mbështetur nga qytetarët dhe rinia e gjithë Shqipërisë janë ngritur për të rithemeluar institucionin thelbësor të demokracisë shqiptare atë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të cilin e ka flakur tutje qeverisja e të djeshmes së rilindur, përmbytja e saj me njerëz të kriminalizuar dhe etja e pafre për pasuri dhe sundim mbi shqiptarët me mënyra të fshehta, të ashtuquajtura “demokratike”.
Me lëvizjen e saj të tanishme Opozita shqiptare po përpiqet të shëndoshë themelet e tronditur të demokracisë shqiptare dhe, nëpërmjet kësaj përpjekjeje, ajo po i shërben edhe forcimit të themeleve të institucioneve Euroatlantikë, siç janë NATO dhe BE, ku ajo është anëtare ose synon të bëhet anëtare. A nuk janë vlerat demokratike euroatlantike në themel të këtyre institucioneve?! A nuk bën pjesë ndër këto vlera madhore edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme?! Propaganda qeveritare po mundohet më kot ta paraqesë lëvizjen opozitare si të kufizuar dhe të pambështetur. I vetmi që e di mirë këtë është Kryeministri Rama. Opozita shqiptare është duke kryer një mision të madh sa kombëtar edhe ndërkombëtar në mbrojtje të demokracisë të Shqipërisë dhe të vlerave që e bashkojnë atë me vendet e tjerë anëtarë të NATO-s dhe të BE-së.
Sesi të dërguar të ndryshëm europianë vijnë në Shqipëri, ku demokracia është shndërruar në një “kuti zbukurimi bosh” të cilën shqiptarët e njohin shumë mirë, dhe i kërkojnë publikisht opozitës “të futet në zgjedhje se zgjedhjet mund të bëhen edhe pa atë”, këtë do ta tregojë koha. Opozitës shqiptare i kërkojnë të marrë pjesë në zgjedhje deri në ushtrim trysnie, por kërkuesit harrojnë se janë prishur “rregullat e lojës”, se ato janë të gjitha në dobi të qeverisë. Shqiptarët duhet të dinë mirë edhe diçka tjetër. Kur një regjim kthehet në oligarki dhe ekzistenca e ligjeve është vetëm alibi për fshehjen e moszbatimit të tyre, atëherë qytetarët e tij kanë të drejtë që ta heqin atë regjim qeverisë edhe nëpërmjet protestave. Megjithatë, dëshiroj ta përsëris, Kryeministri Rama e di fare mirë këtë gjë, madje ai e di se kjo është shumë e mundshme dhe shumë pranë kthimit në realitet.
Ndërkohë, që Opozita është duke kërkuar vetëm “rregulla të barabarta të lojës” politike, qeveri teknike, që të sigurojë paanshmërinë e mirëkujdesjes për zgjedhjet dhe jo pushtet në tryezë siç thonë pa u lodhur ideatorët kokëtrashë gjithfarësh të propagandës qeveritare, të tjerë kasnecë të pa kokë të propagandës së majtë mundohen të tregojnë se Opozita e kërkon qeverinë teknike se e di që do të humbë në zgjedhje. Këta të fundit mund të pyeten shumë thjeshtë: Si e dini ju se do t’i fitoni zgjedhjet nëse qeverisja juaj ka mbi shpinë aq pakënaqësi popullore? Ku e mbështetni këtë siguri?
Ka edhe nga ata që u stërlodhën duke thënë pa bindur dot njeri se protesta opozitare po bëhet që të mbrojë nga ndëshkimi i drejtësisë së reformuar disa njerëz brenda PD-së. Por, a ka më të korruptuar dhe të pangopur se qeveritarët e sotëm?! Si e dinë këta se drejtësia e reformuar nuk do t’i ndëshkojë edhe ata vetë, madje të parët. Kështu e paskan menduar ata reformimin e drejtësisë, për të ndëshkuar vetëm ata që duan ata?! Zoti Basha ka falur qartë për këto duke thënë se edhe reforma në drejtësi duhet të jetë punë e qeverisë teknike si qeveri e paanshme dhe se mbështet fort atë, por propaganda e majtë pa kokë vazhdon sipas avazit “sa më shumë flet aq më shumë mbetet” qofshin të thënat edhe budallallëqe.
Ca të tjerë, zëdhënës të kudondodhur të keqpërdorur nga të pa-kokët e propagandës së majtë mundohen të na thonë se koha e tanishme e protestës opozitare është e rrezikshme për stabilitetin dhe se Opozita po u shërben forcave të huaja që kërkojnë prishjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së Ballkanit. Kjo do të thotë të sakrifikohet demokracinë në emër të qëndrueshmërinë dhe sigurisë ballkanike?! Por a nuk sakrifikuan njëherë shqiptarët përgjatë pesëdhjetë vjet?! Sa do t’i vlente kjo NATO-s dhe BE-së?! A nuk vazhdojnë të jenë vlerat demokratike euroatlantike në themelet e tyre edhe kritere të anëtarësimit?!
Duke shpresuar në një javë të ardhshme politike ogurmirë dhe plot me arsye mbarëshqiptare jopartiake, dua t’i lë mënjanë mendimet pesimistë që na nxitin për të menduar se ndoshta ka ardhur koha t’ia tundim pak themelet Republikës së Vjetër se ndryshe nuk vjen Republika e Re.