Shqiptarët nuk prishën asnjë kishë serbe gjatë luftës
Gjatë viteve 1999-2001, Riedlmayer dhe kolegu i tij Andrew Herscher, arkitekt dhe historial arkitekturor, bënë një hulumtim fushor të trashëgimisë kulturore pas luftës në Kosovë. Rezultatet e hulumtimit iu dorëzuan Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe Tribunalit Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi. Që prej atëherë ai ka dëshmuar për këtë rezutlate si dëshmitar ekspert në gjykimin e ish presidentit serb Sllobodan Millosheviq dhe në disa raste të tjera në këtë tribunal. Në vijim mund të lexoni letrën që z. András Riedlmayer i ka dërguar znj. Irina Bokova, drejtoreshë e përgjithshme e UNESCO–s.
Nga András Riedlmayer*
E nderuar Dr. Bokova! Po ju shkruaj në lidhje me aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Si ekperte e trashëgimisë kulturore të Ballkanit Perëndimor, më tmerrojnë kundërthëniet e fundme dhe retorika e ndezur në lidhje me aplikimin e Kosovës për statusin e vendit anëtar, prandaj dëshiroj t’i qartësoj disa gjëra.
Që prej vitit 1985, jam në krye të Qendrës Evidentuese të Programit “Aga Khan” për arkitekturën islamike në Universitetin e Harvardit. Gjatë dy dekadave të fundit puna ime është përqendruar në evidentimin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore gjatë konflikteve të armatosura në Bosnje dhe Hercegovinë (1992-1995) dhe në Kosovë (1998-1999), si dhe nga pasojat e këtyre konflikteve. Bashkë me kolegun tim Dr. Andrew Herscher kemi bërë një hulumtim në terren për dëmtimet e trashëgimisë kulturore në Kosovë pas luftës në tetor 1999, si dhe vizita verifikuese në tetor 2000 dhe në periudhën mars-prill 2001.
Kemi inspektuar 144 vende nga afër, si dhe kemi mbledhur fotografi dhe evidenca të tjera nga burime të besueshme vendore, duke përfshirë komunitetet islamike, otodokse serbe dhe katolike, Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, si dhe organet lokale për mbrojtjen e trashëgimisë në disa komuna të Kosovës.
Ne ia patëm prezantuar raportin e hollësishëm të rezultateve tona Departamentit të Kulturës të Misionit të Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), i cili e shfrytëzoi raportin si bazë të inventarizimt të trashëgimisë kulturore në Kosovë, si dhe Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi. Më pas, mua më ftuan si dëshmitare eksperte për të dëshmuar para Tribunalit rreth shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.
Kam dëshmuar në lidhje me këtë temë në tre raste që kishin të bëjnë me Kosovën, duke përfshirë gjykimin për krime lufte të ish presidentit serb dhe jugosllav Sllobodan Millosheviq, të ish presidentit serb Millan Millutinoviq dhe të pesë udhëheqësve të lartë të ushtrisë dhe politikës serbe (rasti “Gjashtëshja e Kosovës”) dhe së fundmi në gjykimin e gjeneralit të Policisë Serbe Vllastimir Gjorgjeviq.
Gjatë hulumtimit tonë fushor mësuam se gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998-1999 në Kosovë, 218 xhami, pra 39 përqind e 560 xhamive funksionale të Kosovës u shkatërruar apo dëmtuan si pasojë e sulmeve nga forcat serbe. Shumica e këtyre xhamive ishin ndërtuar gjatë periudhës osmane (vitet e 1400-ta deri më 1912). Forcat serbe gjithashtu dogjën çarshitë e vjetra në Pejë, Gjakovë dhe Vushtrri, shkatërruan xhami të vjetra dhe kulla historike (shtëpi kulla tradicionale të shqiptarëve të Kosovës nga shekujt 18-19) në qytezën e vjetër të Deçanit dhe në shumë qytete e fshatra të tjerë të Kosovës, si dhe dogjën biblioteka dhe arkiva të bashkësisë islame në Kosovë.
Sipas përfundimit të gjykatësve të Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ky shkatërrim u bë në kuadër të “fushatës së forcave serbe kundër popullatës shqiptare të Kosovës bazuar veçanërisht në shkaqe fetare, që përfshiu dëmtimin dhe shkatërrimin sistematik të monumenteve kulturore dhe vendeve të shenjta muslimane." (Gjykimi i dhomës gjykuese të Tribunalit, prokurori kundër Vllastimir Gjorgjeviqit, 23 shkurt 2011, paragrafi 1855; gjykimi u fuqizua nga Dhoma e Apelit të Tribunalit të Hagës në janar 2014 dhe gjeneralit Gjorgjeviq iu shqiptua dënimi përfundimtar prej 18 vjetësh burgim; tani ai është duke e vuajtur dënimin në një burg në Gjermani).
Diçka e jashtëzakonshme që kuptuam gjatë hulumtimit tonë është se asnjë kishë ortodokse serbe në Kosovë nuk u shkatërrua nga shqiptarët gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998-1999. Fatkeqësisht kjo ndryshoi pas përfundimit të luftës në qershor 1999, kur mijëra refugjatët shqiptarë që kishin lëshuar Kosovën gjatë luftës u kthyen në qytetet dhe fshatrat e djegur. Gjatëv erës së vitit 1999, dhjetëra kisha dhe manastire ortodokse u shkatërruan në përmasa të dnryshme dhe rreth 40 u shkatërruan në sulme hakmarrëse. Protestat ndëretnike të marsit 2004 çuan në shkatërrimin e 30 kishave dhe manastireve të tjera.
Sulmet në trashëgiminë shqiptare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 u bënë, në shumicën e rasteve, nga formacione të armatosura të shtetit serb. Dëmi i shkaktuar ishte i madh – mirëpo qeveria serbe deri më tash ka refuzuar të pranojë dëmet që i janë bërë trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, nuk ka përndjekur ata që i kanë bërë sulmet ndaj trashëgimisë, si dhe nuk ka ofruar dëmshpërblim për dëmet që ka pësuar trashëgimia kulturore dhe fetare në Kosovë.
Ata që sulmuan kishat dhe manastiret ortodokse serbe në Kosovë në amrs 2004 ishin protestues civilë. Qeveria e Kosovës reagoi duke e bërë Kuvendin e Kosovës të ndajë fonde publike për meremetimin dhe restaurimin e kishave dhe manastireve të dëmtuara gjatë protestave. U ngritën rreth 200 akuza kundër protestueve të marsit 2004; 143 persona u dënuan, prej të cilëve 67 me burgim mbi një vit, në disa raste deri në 16 vjet.
Në dekadën e fundit nuk ka pasur incidente të tjera që kanë çuar në dëmtimin e kishave në Kosovë. Them se këto fakte janë mjaft shprehëse.
Për një kohë të gjatë Kosova ka qenë udhëkryq i Ballkanit, ku janë takuar dhe kanë ndërvepruar rryma të rëndësishme fetare dhe kulturore të botës mesdhetare me njëra tjetrën dhe me traditat vendore. Këto ndërveprime kulturore kanë lënë gjurmë në Kosovë, ku përfshihen jo vetëm kishat ortodokse mesjetare, por edhe një prodhimtari kulturore e traditës evropiane islamike 600 vjet të vjetër, një pjesë e trashëgimisë së vendit kjo që meriton të kuptohet dhe çmohet më tepër.
Shpresoj që ju dhe anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s do të merrni parasysh këto fakte gjatë shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim.
*Bibliografe për Artin dhe Arkitekturën Islamike