Shqiptarët, para provës me lirinë!

Një individ i lirë, i një shoqërie horizontale. Ku secili tashmë është i barabartë përpara mundësisë për ta thënë apo transmetuar në cdo kohë dhe në mënyrë të pakufizuar mendimin, gjykimin, opinionin, lajmin, komentin, foton, videon dhe gjithçka tjetër që dëshiron. Për herë të parë qytetari shqiptar është pronar i mendimit të tij.
Nga Alfred Peza
Rrallë popuj e kombe në Europë kanë vuajtur, por edhe kanë luftuar më shumë se shqiptarët, për lirinë e fjalës. Për lirinë e shprehjes. Për lirinë e mendimit. Shkrimit. Gërmave. Alfabetit. Librave. Shkollës. Për lirinë e gjykimit. Analizës. Debatit publik. Ato ditë, vite e shekuj mungese, duken shumë më të largëta tani, kur çdo qytetar i Shqipërisë posedon 1.2 telefona celularë aktivë për frymë, ku aksesi në internet është në masën rreth 80% dhe kur mbi 1.9 milionë vetë janë përdorues të rrjeteve sociale, duke patur adresa në facebook, apo llogari në twitter, intsagram, snapchat, etj.
Ndaj edhe vuajtja përgjatë shekujve të sundimit Osman dhe pas Pavarësisë, duken nën këtë realitet, si prehistorike. Sikundër duket shumë e largët periudha mes dy luftrave botërore me analfabetizmin masiv. E më pas, diktatura komuniste e luftës kundër analfabetizmit dhe e hapjes së shkollave shqipe kudo dhe në të gjitha nivelet. Por liria e mendimit duket më e errët kur ti nuk mund të gjykosh ato që di të lexosh e të shkruash. “Nëpunës i Pallatit të Endrrave” nuk do ishte kryevepër dhe Ismail Kadare nuk do kishte aureolën e gjeniut të sotëm, pa mekanizmin hoxhist të kontrollit të ëndrrave të shqiptarëve. Ndaj, pas rrëzimit të Murit të Berlinit, liria e fjalës konsiderohej si fitorja më e madhe e të gjitha lirive të tjera, përfshi ato ekonomike, pronës, fesë, lëvizjes, etj.
Kjo liri jo rrallëherë është abuzuar këto 26 vjet. Në familje, në rrugë, në lokale, zyra, punë, parlament, qeveri, gjykata, prokurori, polici, media, libra, këngë, poezi, shkollë… Eshtë përcudnuar. Eshtë përdhunuar. Eshtë sakatuar. Eshtë shfytyruar. Eshtë zhvlerëzuar. Deri dje, megjithëse jetonim në epokën e pluralizmit të ideve dhe mendimeve, liria e shprehjes nuk ishte ende absolute, por relative. Për aq kohë sa e drejta e shprehjes së fjalës publike dhe fjala e lirë nëpërmjet mediave “kontrollohej”, “drejtohej”, “orientohej”, “diktohej” nga kërkesë- oferta e tregut si një mall që shitej e blihej, apo “manipulohej” nga “pronarët” e mediave private, nga nëpunësit publikë, qeveritarë apo drejtuesit shtetërorë. Vendin e censurës diktatoriale e kishte zënë autocensura demokratike dhe librale.
Sigurisht që gradët e lirisë sa vinin dhe shtoheshin për qytetarin, por në thelb shoqëria mbetej vertikale. Që do të thotë, se liria e shprehjes, ishte direkt ose indirekt në duart e pushteteve dhe të pushtetëshmve. Revolucioni i teknologjive digjitale, i shoqërisë së informacionit, i përdorimit të internetit, celularëve, rrjeteve sociale, mediave online, aplikacioneve dhe lirisë së pakufizuar të komunikimit, e kanë shndërruar individin e thjeshtë në botën demokratike, përfshi edhe cdo qytetar shqiptar, në një qenie me gradë shumë më të plota lirie.
Një individ i lirë, i një shoqërie horizontale. Ku secili tashmë është i barabartë përpara mundësisë për ta thënë apo transmetuar në cdo kohë dhe në mënyrë të pakufizuar mendimin, gjykimin, opinionin, lajmin, komentin, foton, videon dhe gjithçka tjetër që dëshiron. Për herë të parë qytetari shqiptar është pronar i mendimit të tij. Kjo situatë, kjo mundësi e hapësirë, ky dimension i ri, i panjohur, i pashijuar, i paparë e i pa përjetuar, ka krijuar lehtësi të jashtëzakonshme por edhe probleme për qytetarët e botës. Përfshi edhe shqiptarët.
Tani në provë nuk është liria. Por individi. Raporti i shqiptarëve me lirinë, është në provën e madhe të së vërtetës. Gjatë këtyre viteve, nëpër hapësirat e lirisë kibernetike dhe në jetën reale, ka qenë lehtësisht e kuptueshme dhe e verifikueshme që kjo liri është shijuar e vlerësuar, sikundër është shpërdoruar. Nga ku qytetari, politikani, gazetari, punonjësi publik, i zgjedhuri apo i emëruari,… jo vetëm kanë informuar. Por edhe kanë shpërndarë gënjeshtra, gjysëm të vërteta dhe lajme të rreme.
Vetëm gjatë 2016 ë mbarë botën, në rrjetin e gjerë botëror (internet) kanë qarkulluar mbi 50 mijë lajme të rreme. Sikundër në 2017 është kërkuar nga zëra autoritarë si Timothy Garton Ash, që t”i shpallet luftë lajmeve të pakonfirmuara. Zuckerberg shkroi pak ditë më parë në facebook se “Jemi një platform e re e debatit publik, kështu që kemi një lloj të ri përgjegjësie për… të ndërtuar një hapësirë, në të cilën njerëzit mund të informohen”. Ky vit veç të tjerash, do të jetë një provë edhe për raportin e shqiptarëve me lirinë. Me të vërtetën. Me lirinë e fjalës, shprehjes, mendimit. Si nëna, djepi apo burimi i të gjitha lirive të tjera. E kush e ka thënë se ne nuk e meritojnë atë?!

SHKARKO APP