Shqiptari më i urryer në ShBA krahasonte veten me Bill Gate
New York Times ka publikuar një video në të cilën shihet Shkreli duke biseduar përmes Skypet me një vajzë që prezantohet si studente nga kolegji Hunter. Shkreli flet për admirimin e tij për Bill Gate, i cili po ashtu njëherë ishte “një nga njerëzit më të urryer në botë”, ashtu siç e quajnë tani Shkrelin.
Shkreli gjatë bisedës konfirmon se qëllimi i tij është që të dominojë në industrinë e repit, pasi më parë kishte shpenzuar rreth 2 milionë dollarë për një album të rep grupit Wu-Tang Clan. Ai gjithashtu gjatë bisedës thotë se nuk ka asnjë shok, ndërsa shtoi se një nga shokët e tij të mirë, Bobby Shmurda është duke qëndruar në burg për tentim vrasje dhe trafikim të narkotikëve.
Gjatë bisedës në vazhdim Shkreli i thotë studentes se “do t’ia ndryshojë emrin shkollës Hunter, në shkolla Shkreli”, transmeton Koha.net.
“Kur unë isha në shkollën Hunter, Bill Gates ishte një nga njerëzit më të përfolur dhe një nga më të urryerit në botë. Kjo për shkak se ai kishte thyer të gjitha rregullat, ai ishte një nga biznesmenët më të pamëshirshëm që kishte eksituar ndonjëherë. Kjo është arsyeja pse është njeriu më i pasur në botë, por tani po jep shumë para për bamirësi, është e çuditshme se sa shpejtë mund të ndryshojë opinioni”, është shprehur Shkreli.
Ndërsa më pas ka shtuar se vetëm koha do ta tregojë nëse edhe ai do të mund të arrijë një gjë të tillë.
Kur pyetet nga studentja nëse mërzitet ndonjëherë nëse njerëzit nuk e duan, ai thotë: “Jo, asnjëherë. Jam kritikuar që nga mosha 9 vjeçare”.
Shkreli më pas merr edhe një telefonatë tjetër që e pyet për ngritjen e çmimit të barnave.
Ai i përgjigjet se “për cilën nga barnat e ke fjalën? Pasi jam duke i zhvilluar 25 lloje të barnave”.
Telefonuesi i thotë: “Për ato që i kam lexuar në internet”.
Shkreli nuk i jep përgjigje telefonuesit rreth çmimit të barnave, duke i thënë: “A i thërret njerëzit pa e hulumtuar mirë situatën, apo kjo është hera e parë që e bëni?”. Telefonuesi përgjigjet se kjo ishte hera e parë.
“Nëse do të duhej t’i shpjegoja secilit situatën, atëherë nuk do të kisha aspak kohë. Tani si ndjeheni që më keni çuar kohën dëm? Mos guxoni të më thirrni përsëri dhe të më pyesni për atë çmim të barnave”, përfundon Shkreli.
Më pas telefonuesi e mbyll telefonin, pas kësaj bisede të pakëndshme.(Express)