Shteti është vetëm Facebook-u i Edi Ramës
Shqipëria po përballet me një nga situata më të rënda. Epidemia e koronavirusit ka paralizuar gjithçka, sipas gjithë parashikimeve, jemi ende në fazën e fillimit. Në gjendjet e emergjencës, kur gjithçka dhe çdo burim i shtetit duhet të vendoset në funksion të ruajtjes se jetës së qytetarëve bie në sy se sot shteti ka vetëm pamjen e Facebook-ut të Edi Ramës.
Nga Facebooku i kryeministrit jepen vendimet. Prej kanalit ERTV transmetohen komunikatat e orës së fundit. Aty jepen të dhënat zyrtare, publikohen shpalljes, merren vendimet dhe mandej aty marrin udhëzimet edhe mjekët, policët dhe gjithë strukturat e shtetit. Dy herë në ditë, si në një edicion të rregullt lajmesh në televizion, kryeministri merr pozat e spikerit dhe komunikon të rejat e fundit nga shtëpia e tij në Surrel.
Kryeministri ka zgjedhur këtë mënyrë komunikimi duke shmangur mbledhjet dhe duke shtuar kujdesin për shëndetin e tij dhe gjithë qeveritarëve. Është një masë normale. Madje shumë mirë që kreu i qeverisë ka zgjedhur të shmang takimet publike duke ruajtur qytetarët. Nëse gjatë tërmetit zhvillonte 4-5 takime në ditë më banorët e prekur, sot takimet i ka zhvendosur me video konferenca dhe për çdo problem flet vetëm ai. Ndërkohë qeveria, parlamenti, task forcat, Emergjencat Civile dhe gjithë institucionet e tjera, të paktën në sytë e shqiptarëve nuk duken. Akte qeveritare publikohen njëherë në Facebookun e kryeministrit, nisin të zbatohen dhe pas ca ditësh del ose jo ndonjë shkresë shtetërore që i justifikon.
Jemi në emergjencë, sigurisht që sot këto duken detaje të parëndësishme, por Shqipëria nuk është e vetmja. Në vende të tjera janë ekspertët, shefat e emergjencave civile, komitetet e mbrojtjes civile dhe komisarë të posaçëm për emergjencën ata që këshillojnë, orientojnë qytetarët dhe marrin vendimet që më pas firmosen nga qeveria. Ndërsa gjithë shteti është vetëm Facebooku i kryeministrit.