Shteti, Pushteti dhe Deti
Nga Gjergj Buxhuku
Ndërsa për zgjidhjen e cështjes së ndërlikuar historike të hapsirave detare me Turqinë i duhet mobilizimi i ushtrisë ndaj Shqipërisë për të njëjtin rast Greqia, sic duket, ka menduar, se e zgjidh lehtë. Mjafton të përdori kërcënimin klasik të 30 viteve të fundit me “pengje njerëzore”.
Gusht 2020. Kufiri Shqiperi-Greqi. Pamje pothuaj biblike të kohëve moderne. Mijra shqiptarë, të gjithë pothuaj edhe me nënshtetësi ose dokumenta greke, të ndaluar me ditë të tëra në kushte cnjerëzore për të shkuar në Greqi. Në shtetin ku kanë shtëpitë, punët, janë shtetas dhe ku paguajnë edhe taksat e tyre. Arsyetimi i ndalimit ishte zbatimi i rregullave të BE për pandeminë Covid 19. Kur mesazhi i kërcënimit të rradhës dha efektin e duhur, çuditërisht “rregullat e rrepta” të BE u anashkaluan nga shteti grek, jo nga institucionet shqiptare, por nga lutjet e mëshirës kristiane të një prifti po grek në Shqipëri. Përfaqësues të qeverisë e bënë të njohur publikisht faktin e mësipërm. Si rastësisht, menjëherë më pas, qeveria greke shpall vendimin për zgjerimin e hapsirës detare me 12 milje edhe me Shqipërinë. Shteti shqiptar në gjithë veprimet e tij të jepte përshtypjen, se mbase ishte edhe i interesuar për teatrin me cmim vuajtjen njerëzore të shtetasve të tij. Si për tu thënë bashkërisht shqiptarëve, që jeni ose dhe jemi plotësisht në mëshirën greke dhe si rrjedhim nuk duhet ose nuk mundet të kundërshtojmë veprimin e palës greke.
Ndërkohë, në mënyrë qartësisht të organizuar, si pa të keq dhe me një mendjelehtësi të padurueshme nga përfaqësues të niveleve më të lartat të shtetit, qarkullojnë mediatikisht idetë, se Greqia ka të drejtë në vendimin e saj të njëanshëm, se edhe Shqipëria ka bërë të njejtën gjë 30 vite më parë dhe se veprimi grek është i pranueshme aty ku “gjeografia e lejon”. Edhe mendja më mediokre e ka të qartë, se mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve për ndarje hapsirash detare lindin pikërisht aty ku gjeografia nuk e lejon. Ndryshe, nuk do të kishte nevojë për marrëveshje ndërkombëtare. Problemet lindin pikërisht për të përcaktuar, se ku do të vendoset maja e kompasit, që do të qarkojnë 12 miljet detare, cilat janë të drejtat e lindura nga raporti ndërmjet “shelfit kontinental”shqiptar dhe ishujve pothuaj të pabanuar shkëmborë grekë, cfarë do të bëhet me zonat e ndërmjetme, etj. Për asgjë më sipër nuk kemi shprehje publike të institucioneve shtetërore. Të paktën deri tani.
Askush nuk mendon dhe flet, se nësë Greqia paska patur të drejtë në kërkesën e saj të pandryshuar në vite dhe cështja është e paqenë ligjërisht, cila është vlera e kundërshtimit të saj nga pakica e djeshme dhe pushteti i sotëm në Gjykatën Kushtetuese para 10 vjetësh? Cila është në fund të fundit vlera e vendimit të Gjykatës Kushtetetuese, që rrëzoi marrëvëshjen? Gjithcka të jep përshtypjen vetëm të një skenari të parapërgatitur për të përligjur nënshtrimin pa kushte dhe pa kundërshtuar zyrtarisht veprimin e njëanshëm të palës greke.
Fatkeqësisht, të paktën deri tani pamja e nënshtrimit, coroditjes, jo seriozitetit dhe paaftësisë institucionale shqiptare është e dukshme. Edhe pse kanë kaluar mbi 10 vjet nga plaga e hapur e ndarjes së detit me Greqinë dhe kjo e fundit nuk ka lëvizur asnjë milimetër nga kërkesa e saj e mëparshme, nuk kemi asnjë strategji përgjegjëse të shtetit shqiptar. Grupi negociator shqiptar edhe në letra nuk gjallon. Asnjë vlerësim ligjor, diplomatik dhe ekonomiko-financiar për të kuptuar se cfarë përfitojmë dhe se cfarë humbasim në cdo skenar të mundshëm të veprimit të shtetit grek. Cfarë mund të përfitojmë dhe si mund të mbrohemi brenda të drejtës ndërkombëtare? Në mënyrë të pamendueshme u humb një kohë e cmuar në të cilën do të ishte shumë më e mundshme për marrëveshje të drejtë me Greqinë pikërisht në kohën kur ishte e goditur dhe e dobësuar ndërkombtarisht nga kriza financiare. Shkurt, zyrtarisht nuk kemi asnjë qëndrim të qartë, përvec fjalimeve folklorike patriotike për histori stergjyshërish dhe arvanitasit e Akropolit. Folk fjalësh, që kërkon të zotërojë flamurin e patriotizmit mbase për ta shkëmbyer në veprime të prekshme të dyshimta në favor të pushtetit dhe në dëm të shtetit. Si rasti i folkut të fjalëve patriotike për Kosovën në Beograd, që vetëm pak kohë më pas u shndërrua në shfaqjen e hartave të shkëmbimeve tokësore dhe rrezikun e humbjes së qindra e qindra miliardë dollarëve të Trepces! Të paktën deri më tash, historia ka treguar, se sa më shumë rriten tonet e fjalëve patriotike të pushtetarëve shqiptarë aq më shumë duhet të shqetësohemi, se ndonjë projekt i dëmshëm është duke u përgatitur.
Cështja e ndarjes së Detit Jon e tejkalon shumë thjesht një raport Shqipëri – Greqi si edhe vetëm një përballje ligjore e të drejtës ndërkombëtare. Aty përfshihen brenda interesa të fuqishme ekonomike të shfrytëzimit të rezervave të gazit në Mesdhe, Egje, dhe Jon, por edhe më shumë janë interesa gjeostrategjike ndërkombëtare. Interesa, që tejkalojnë ndjeshëm jo vetëm Shqipërinë, por edhe vetë Greqinë. Kjo e fundit shfrytëzon pikërisht një kombinim interesash gjeostragjike sotme të fuqive të mëdha për të zgjidhur pikërisht tani zgjerimin e hapsirës së detare në favorin e saj. Problemet e pazgjidhura ende të Greqisë janë me Shqipërinë dhe Turqinë. Me një ndryshim në thelb, se Shqipëria është nënshkruese e marrëveshjes ndërkombëtare të detit dhe Turqia jo. Prandaj dhe mënyra sesi Shqipëria do të veprojë në këtë rast është e rëndësishme edhe për përballjen e Greqisë me Turqinë. Për këtë të fundit zgjidhja e hapsirës detare të Egjeut është interes kombëtar afatgjatë i shtetit turk pavarësisht, nëse Erdogan do të jetë ose jo në pushtet. Ndërkohë, nuk duhet të harrojmë, se Turqia, duke tejkaluar disa përplasje interesash të përkohshme, është shtylla kurrizore e interesave gjeostrategjike afatgjata të SHBA, Gjermanisë dhe BE në gjithë rajonin e Lindjes së Afërme dhe më gjerë. Shqipëria nuk duhet të bëjë në asnjë nënyrë gabimin fatal, që me qëndrimin e saj për cështjen e detit me Greqinë, të dëmtojë qoftë edhe tërthorazi interesat afatgjata të shtetit turk si aleat shumë i rëndësishëm strategjik i saj.
Nga ana tjetër, janë të gjitha mundësitë, që me Greqinë si fqinj dhe më të cilën na lidhin interesa të rëndësishme historike, ekonomike dhe integruese në BE problematikat të zgjidhen thjeshtë. Greqia mund të jetë në të drejtën e saj të kërkojë sa më shumë në zotërimin e hapsirës detare. Cështja është, që e drejta e Greqisë nuk duhet të dëmtojë padrejtësisht interesat tona kombëtare. Fatmirësisht, se ku fillon dhe mbaron e drejta e njerës apo tjetrës palë në rastin në fjalë, e jep marrëveshja ndërkombëtare e detit ku të dy shtetet janë nënshkruese.
Duke zgjedhur rrugën e zgjidhjes së ndarjes së detit më Greqinë nëpërmjet Arbitrazhit, të parashikuar në marrëveshjen ndërkombëtare përkatëse, Shqipëria ka disa përfitime themelore.
Së pari, përfiton zgjidhjen përfundimtare të drejtë të ndarjes së hapsirës detare të pranuar nga palët, duke hapur rrugën edhe të zgjidhjes së cështjeve të tjera ligjore të pambyllura me Greqinë,
Së dyti, përshpejton shfrytëzimin ekonomik të hapsirës detare në interes të përbashkët të Shqipërisë dhe Greqisë,
Së treti, shmanget përfshirja e Shqipërisë në përplasjen ndërmjet aleatëve tanë strategjikë Turqi dhe Greqi si dhe tregohet seriozitet në marrëdhëniet ndërkombëtare, proceset integruese në BE, dhe detyrimet euroatlantike,
Së katërti, Shqipëria duke e kaluar cështjen në gjykatën ndërkombëtare, tejkalon gjithë mungesat e saj profesionale dhe institucionale, që përmbajnë marrëveshje të tilla të ndërlikuara,
Pushtetarët e sotëm dhe të nesërm kanë mundesinë e artë të veprojnë të paktën njëherë përtej interesit të ngushtë, duke e cuar cështjen e përcaktimit të hapsirës detare me Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare. Është jo vetëm e vetmja mundësi, por për fatin tonë edhe më e thjeshta dhe më e mira në kushtet e sotme, për të mbrojtur interesat kombëtare afatgjata të shtetit.
Të shikojmë, se cfarë do të zgjedhin ndërmjet shtetit dhe pushtetit!