Shtyhet marrëveshja BE-Turqi

12 orë kanë zgjatur negociatat mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë, për refugjatët. Por marrëveshja e shpresuar nuk është arritur, të paktën jo përfundimisht.

“Shumë pjesëmarrës ishin të mendimit se janë shënuar përparime”, tha kancelarja Angela Merkel, pas 12 orë bisedimesh të rënda mes BE dhe Turqisë për refugjatët. Ajo mendon se çelësi për zgjidhjen e krizës me refugjatët është marrëveshja me Turqinë dhe jo mbyllja e kufijëve brenda BE-së. Angela Merkel beson se oferta e fundit turke është një hap tjetër për luftimin e kalimit ilegal të refugjatëve nga Turqia në Greqi. Por një marrëveshje përfundimtare nuk është arritur.

Cilat janë ofertat?

Samiti në BrukselTë kënaqur?

“Ne kemi ardhur këtu me një propozim kontruktiv”, tha kryeministri turk Ahmet Davutoglu. Vendi i tij është i gatshëm të pranojë të gjithë refugjatët që kalojnë ilegalisht në Greqi, pra edhe sirianët. Por për secilin refugjat të pranuar mbrapsht, Turqia kërkon që BE të marr legalisht një refugjat tjetër nga Turqia. Kjo do të ndalonte kalimet ilegale. Në këtë mënyrë Turqia tejkalon ofertat dhe marrëveshjet e deritanishme, të cilat nuk janë realizuar deri në fund. Por ofertat e Turqisë kanë dhe çmimin e tyre. Turqia kërkon edhe tre miliardë euro shtesë, për nevojat e refugjatëve – që do të thotë gjithësej gjashtë, sepse tre miliardë janë paguar në fund të vitit të kaluar. Tre miliardë të tjera duhet të paguhen deri në vitin 2018. Por Turqia kërkon edhe liberalizimin e vizave si dhe hapjen e pesë kapitujve të tjerë në negociatat për anëtarësim në BE. Kryeministri turk tha se oferta turke duhet të kuptohet si një paketë.

Rezistenca

Qiproja ka kundërshtuar më shumë se vendet e tjera negociatat për anëtarësimin e Turqisë në BE, gjë që edhe pritej. Në Qipro vazhdojnë përçarjet dhe mosmarrëveshjet për integritetin territorial të saj. Hungaria ka hedhur poshtë kategorikisht kërkesën për marrjen legale të refugjatëve në Evropë. Ndërsa disa vende janë treguar të ofenduara thellë për faktin që Turqia tani del me një propozim krejt të ri, pa u informuar më parë. Ato mendojnë se ky është një komplot i kancelares Merkel, e cila më parë është takuar me kryeministrin turk.

Angela Merkel ka kundërshtuar futjen në deklaratën përfundimtare të fjalisë për mbylljen e itinerarit ballkanik. Ajo thotë se Greqia duhet të ndihmohet dhe jo të izolohet, me mbylljen e kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Por edhe kancelari austriak Werner Faymann ishte shumë direkt me kërkesën që ky kufi të mbetet e mbyllur.

Fundi i kalimeve ilegale?

Angela Merkel dhe Ahmet Davutoglu.Komploti i Merkelit me Davutoglu?

Presidenti i Këshillit Donald Tusk paralajmëroi mundësinë e përfundimit të fazës së kalimeve ilegale nga Turqia në BE. Kjo është dëshira e të gjitha vendeve të BE. Fakti që marrëveshja me Turqinë është shtyrë për javën që vjen do të thotë se disa vende ende kanë rezerva. Por për komisionerin Juncker nuk ka dilema se sirianët që kalojnë ilegalisht mund të kthehen në Turqi. Këtë e lejojnë marrëveshjet e BE-së.

Për gjendjen e të drejtave të njeriut në Turqi është folur shumë pak. Kancelarja gjermane tha se është përmendur edhe ky problem. Ndërsa Tusk tha se liria e shtypit është pjesë e negociatave për anëtarësim në BE. “Liria e shprehjes së mendimit është një nga vlerat e Turqisë”, nënvizoi Ahmet Davutoglu, i cili mbylljen e një gazete opozitare e sheh si “një vendim të gjykatave dhe jo vendim politik”. Edhe pse në BE kjo çështje shihet më ndryshe, qëllimi “që të ndalohet kalimi ilegal i refugjatëve”, ka në këtë moment prioritet në Bruksel.

SHKARKO APP