Shuplaka “Freedom Huose”: Rama qeveris me dekrete që ndryshojnë çdo ditë
Nga Xhovan SHYTI –
Si gjithmonë, edhe këtë herë, organizata presticioze, “Freedom House”, që monitoron shkallën e lirisë dhe të demokracisë në botë, ka folur “pa dorashka” lidhur me menaxhimin e situates, që krijoi pandemia “COVID-19”, nga qeveritë dhe ndikimin që masat e marra prej tyre kanw patur mbi demokracinë dhe liritë e qytetarëve.
Raporti i hartuar në partneritet me firmën e sondazheve “GQR”,është publikuar dy ditë më parë duke qenë një shuplakë për të gjitha ato qeveri që nën justifikimin e terapisë së “maskave pa kufi”, kanë synuar të forcojnë autoritarizmin duke shkelur demokracinë dhe lirinë.
Ndër qeveritë e tilla në “listën e zezë” të abuzuesve rreshtohet edhe qeveria e pretendentit për “rilindas” Edi Rama, që, sikurse shumë homologe të ngjashme, me masat e marra në emër të pandemisë ka thelluar krizën për demokraci.
Në optikën e vlerësimit global raporti thekson se pandemia “COVID-19” ka thelluar krizën për demokraci në të gjithë botën, duke u kthyer në një justifikim për qeveritë për të manipuluar zgjedhjet, për t’u mbyllur gojën kritikëve dhe medias, si dhe për të sabotuar përgjegjësinë e nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe shëndetin publik.
Ndër sfidat më të mëdha, përsa i takon demokracisë në Shqipëri, ekspertët që plotësuan pyetësorin për Shqipërinë përmendin anashkalimin nga qeveria Rama të çdo procesi demokratik dhe faktin që:
Qeveria qeverisi me dekrete që ndryshonin çdo ditë;
Mbyllja e gjykatave solli faktin që masat e qeverisë nuk mund të sfidoheshin;
Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jofunksionale;
Kufizimet mbyllën dhe gjykatat më të ulëta.
“Roli i gjyqësorit, ishte pothuajse inekzsitent pavarësisht nga rritja e prirjeve autoritare të krahut ekzekutiv në procesin e vendim-marrjes lidhur me koronavirusin, por edhe aspekte të tjera, për të mos përmendur legjislativin që është shkrirë në një me ekzekutivin”, citon raporti.
Sipas të cilit nga anketimet rezultonte se Policisë së Shtetit iu dhanë më shumë kompetenca arsye kjo që ajo funksionoi si “me grusht të hekurt”, duke bërë arrestime dhe vendosur gjoba të mëdha.
Sipas të anketuarve, sistemi i kontrolleve dhe balancave përgjithësisht ka dështuar, ndërsa krahu ekzekutiv, pra ai i kryesuar nga kryeministri Rama, që ishte edhe më pare dominues në këtë sistem, u fuqizua edhe më shumë.
Po ashtu në raport përmendet paketa antishpifje që, megithë kundërshtimet brenda dhe jashtë vendit, po vazhdon të kalojë në procesin parlamentar.
Të gjitha “grumbullimet dhe protestat nuk lejoheshin…”. Kishte disa raste kur njerëzit ishin hetuar për postimet e tyre në Facebook, gjë që nuk kishte ndodhur më parë…Pati ”përkeqësim të qasjes tek informacioni dhe transparencës qeveritare, mosmbështetje të grupeve më të dobëta dhe refugjatëve sirianë, si edhe shtim të dhunës familjare”.
Dhe konstatimi më i rendë, që përbën dhe shuplakën më të drejtëpërdrejtë për sistemin e “rilindjes” të propaganduar nga “kryearkitekti i Rilindas” Edi Rama, vjen nga një tjetër vëzhgim i raportuar që citon këtë frazë të të anketuarve:“Ne nuk besojmë në drejtësi, në sistemin shtetëror, kështu që bëhemi indiferentë dhe nuk e ngremë zërin”./ Arberianews.net