”Si do t’i pengoj votimet më 30 qershor”, Besnik Mustafaj: Rama vazhdon shantazhin

Nga Besnik Mustafaj

#EdheUnë Është një lëvizje që filloi krejt spontanisht, nisur nga një pohim që bëri në një dalje televizive artisti i mirënjohur Bujar Kapexhiu. Ai tha se nuk do të votonte më 30 qershor e se do t’i pengonte këto votime. Nuk dua të udhëtoj jashtë, shtoi ai. Përvoja si skenarist dhe si karikaturist e ndihmon mjeshtrin Kapexhiu të ketë sensin e formulës së qartë, koncize dhe ironike.

Në të vërtetë ai jo vetëm po shprehte qëndrimin e vet si qytetar ndaj votimeve të 30 qershorit, por me vetëdijen e artistit dhe të intelektualit po i përgjigjej edhe një shantazhi këmbëngulës të Kryeministrit Rama lidhur me paralajmërimet e forta të ardhura nga opozita se votimet e 30 qershorit do të pengohen.

Në fillim Rama tha dhe përsëriti me forcë se, atyre që do të merrnin pjesë në pengimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, do t’u ndalohej hyrja në SHBA dhe në vendet e Bashkimit Europian. Ishte një shantazh i llogaritur mirë nga ana e Kryeministrit duke patur parasysh ndjeshmërinë e veçantë që kanë shqiptarët në përgjithësi, ata me shkollë të madhe dhe ata pa shkollë fare, ndaj lirisë së qarkullimit.

Unë besoj se do të ishin shumë të paktë ata që do të pranonin të sakrifikonin këtë liri qoftë edhe për një arsye të madhe parimore, e cila prek thelbin e demokracisë, siç është pluralizmi i zgjedhjeve. Por, për të qenë sadopak i besueshëm në paralajmërimin e vet shantazhist, Kryeministri kishte nevojë për një konfirmim makar me gjysmë zëri nga Brukseli e nga Uashingtoni.

Ky pohim nuk erdhi kurrë. Dhe nuk mund të vinte. Atëherë ai ndryshoi taktikë, por duke ruajtur thelbin e shantazhit. Tha se ndalimi i qarkullimit do të vinte nga brenda vendit. Madje u duk sikur po ndërmerrte edhe një nismë legjislative për të vendosur në kodin penal të Republikës tonë një ndëshkim të tillë.

Por edhe kjo nuk mund të ndodhte. Liria e qarkullimit të njerëzve është një nga të drejtat themelore universale, e garantuar me një mori konventash ndërkombëtare, në të cilat Republika e Shqipërisë ka aderuar. Megjithatë, Rama e ka vazhduar dhe do ta vazhdojë me sa duket deri në fund këtë shantazh, i bindur se populli shqiptar është budalla dhe nuk mund ta dijë e as nuk mund ta mësojë se në realitetin e sotëm kushtetues të Shqipërisë, konventat ndërkombëtare të kësaj natyre kanë përparësi ndaj legjislacionit kombëtar e se janë të parashikuara qartë rrethanat dhe kohëzgjatja e heqjes së pasaportës së një qytetari. Përndryshe, ai nuk do të ishte qytetar i lirë.

Unë nuk e di kush ishte i pari që e mori pohimin e mjeshtrit Kapexhiu dhe e shndërroi në një nismë qytetare, të shpërndarë nëpërmjet rrjeteve sociale. Por, kur e ndesha, iu bashkova menjëherë, duke shtuar si tekst se “edhe unë do të bëjë gjithçka ishte në dorën time për t’i penguar këto votime fallco”.

Shumë shpejt vura re se po bëheshin me qindra ata, të cilët, ashtu si unë, nën shembullin e Bujar Kapexhiut, po e sfidonin Kryeministrin. Por tashmë jo veç e veç, jo secili për hesap të vet. Pa u marrë vesh njeri me tjetrin, pa ndërtuar një platformë a një program të përbashkët sipas modelit klasik, madje edhe pa e njohur shoqi-shoqin në pjesën më të madhe, në njëfarë mënyre, ishim bashkë.

Artistë, shkrimtarë, profesorë universiteti, intelektualë të fushave të tjera, politikanë e ish-politikanë. Por jo vetëm. Janë me qindra e qindra, ndoshta me mijëra, ata, të cilët as nuk janë e as nuk synojnë të bëhen “intelektualë” e që i janë bashkuar kësaj nisme.

Ky fakt ka rëndësi të veçantë për t’u mbajtur parasysh. Më të shumtët e të shumtëve nuk janë pjesë e ndonjë elite ose pjesë e “kazanit”, siç jemi mësuar ta dëgjojmë Kryeministrin ta përcaktojë me përbuzje ndërgjegjen kritike të shoqërisë tonë. Pra, duket një nismë, e cila, në mënyrë befasuese për mua, po bëhet me shpejtësi popullore. Dhe është jashtë çdo organizimi apo manipulimi të politikës institucionale.

Po a ka shpresë që, duke qenë e tillë, domethënë spontane dhe horizontale, krejt jashtë kontrollit apo qoftë edhe ndikimit të strukturave politike partiake, ky zë të dëgjohet nga Kryeministri.

Duke e njohur mjaftueshëm profilin e Edi Ramës si politikan, unë them se jo. Nuk ka asnjë shpresë. Në rastin më të mirë ai do ta shpërfillë plotësisht edhe këtë nismë. Në mos, ai do ta denigrojë e përçmojë shëmtueshem, duke e klasifikuar siç e ka zakon, në një tjetër komplot kundër tij, që ai e përkthen pa i ardhur turp nga megalomania e vet si një komplot kundër interesave jetike të vendit. Ma merr mendja se nuk jam i vetmi ndër pjesëmarrësit në këtë nismë me një parashikim të tillë pesimist.

Po a ia vlente atëherë të ndërmerrej?

Përgjigja ime ndaj kësaj pyetje është që po. Sigurisht që ia vlente. Madje shumë. Është një nismë që tregon se Shqipëria ka elita, të cilat as nuk tremben dhe as nuk korruptohen nga pushteti autoritarist i Edi Ramës dhe se shoqëria shqiptare është zgjuar në atë masë sa të fillojë t’i dëgjojë elitat e saj sado difektoze të jenë këto elita. Rrjedhimisht, unë besoj se roli i kësaj nisme apo i të tjerave të ngjashme, që mund të shfaqen dhe do të shfaqen, jam i bindur, në ditët në vazhdim, nuk mbaron më 30 qershor. Përkundrazi, më 1 korrik e tutje roli i tyre do të jetë edhe më i madh. Sepse, me ç‘duket, zullumi i Kryeministrit mbi demokracinë tonë vetëm do të rritet. Dhe, siç thotë një proverb shqiptar, peri këputet së holluari, zullumi këputet së trashuri.

Më kanë pyetur shumë veta se çfarë kam parasysh kur them se do të bëj çfarë është në dorën time për t’i penguar këto votime fallco. Përgjigja ime është kjo: në dorën time është të flas. Unë vazhdoj të besoj te fuqia transformuese e fjalës. Dhe si unë ka shumë në këtë vend. Ne besojmë te fuqia transformuese e fjalës. Shembulli i fundit, që na jep të drejtë në besimin tonë, janë zgjedhjet në Stamboll. Ata, që mendojnë si njerëz të lirë, e mundën Erdoganin, mikun dhe modelin e Kryeministrit tonë. #EdheUnë mendoj si njeri i lirë./Panorama

SHKARKO APP