Si e akuzoi Rama, Ylli Rakipin për shpifje, dy javë përpara se të publikohej vjedhja tek Unaza e Re
Në kohën kur kryeministri Edi Rama, po miraton një paketë ligjesh, që synon censurën dhe kontrollin mbi median online, me anë të dy institucioneve, AKEP dhe AMA, vlen të përmendet një nga rastet kur kryeministri ka akuzuar një gazetar për shpifje, vetëm dy javë përpara se ai të publikonte skandalin e vjedhjes tek Unaza e Re.
Në datën 23 Nëntor 2018, kryeministri Edi Rama, i xhindosur nga emisioni “Të Paekspozuarit”, i transmetuar në datën 22 nëntor, ku paraqitej një investigim për procedurat e tenderit të Unazës së Re, bëri një video selfie, duke e akuzuar gazetarin Ylli Rakipi, gazetarin Andi Bushati dhe opozitën, për shpifje, lidhur me projektin e Unazës. Rama e shoqëroi këtë akuzë ndaj gazetarëve, me sharje dhe ofendime nga më të ulëtat, duke i cilësuar si “kokëboshë”, “të paditur” dhe fjalët e tyre si “lehaqenie”.
Por vetëm dy javë më pas, në 6 Dhjetor 2018, emisioni “Të Paekspozuarit”, publikoi aferën e Unazës së Re, ku 30 milionë euro nga paratë e taksapaguesëve shqiptarë po përvetësoheshin me anë të një skeme mafioze dhe një kompanie me letra të falsifikuara, për të përfunduar në Delaware të SHBA-së.
Ky është vetëm një nga rastet, kur akuza për shpifje ndaj gazetarëve, dhe ofendimet e ulëta të kryeministrit, i janë kthyer mbrapsht në mënyrë spektakolare. Kryeministri Rama, asnjëherë nuk kërkoi falje dhe nuk e tërhoqi këtë akuzë për shpifje dhe deklaratë banale me fyerje ndaj gazetarëve. TPZ