Si e anulloi rritjen e rrogave kryeministri i 1 prillit

Nga Klodian Tomorri

Në fund të vitit të kaluar, kur u votua buxheti i 2019-ës, kryeministri njoftoi se duke filluar nga 1 prilli qeveria do të rriste rrogat me 10% për mjekët, mësuesit, ushtarakët dhe një sërë kategorish të tjera. Për të shmangur dhe intepretimet ironike, që mund të lidheshin më datën 1 prill Edi Rama dha garanci publike se ky nuk ishte një mashtrim, por premtim që do të realizohej.

“Qëllon që është një ditë përrallash, por për ne ka qëlluar një ditë ku kemi pasur disa zhvillime pozitive për vendin. Kështu do të jetë për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët. Në sektorin e shëndetësisë do të kemi rritjen më të lartë, 10%. Në arsim 7%, janë 4560 mjekë dhe 13765 infermierë dhe 35 mijë arsimtarë që do të përfitojnë këtë rritje. Do të kemi një rritje për sektorin e mbrojtjes në një masë që do të variojë sipas kategorive 5-7%”, tha Rama kur u votua buxheti ne Kuvend.

Por simbolika e 1 prillit rezultoi më e fortë se premtimi i qeverisë. Në mbledhjen e fundit, që u mbajt këtë të mërkurë, ashtu siç ishte programuar, qeveria indeksoi pensionet me 2.8 për qind, por “harroi” të rrisë rrogat, siç qe zotuar kryeministri publikisht.

Por a ishte kjo thjeshtë një harresë? Këtë nuk e besojnë as me naivët. Gjasat janë që qeveria po shkon drejt anullimit të rritjes së rrogave, e cila duhet të kishte hyrë në fuqi që sot. Kjo për disa arsye.

Së pari, përgjithësisht rritjet e rrogave në sektorin publik paraprihen nga një fushatë e gjerë propagande. Zyrtarët më të lartë të qeverisë dalin nëpër deklarata publike, anoncojnë vendimin për të përfituar politikisht duke e cilësuar atë si një akt që tregon se ekonomia është e shëndoshë dhe punët e shtetit janë mirë. Por këtë radhë, të gjithë heshtin, që nga deklarimet kur u votua buxheti në fund të vitit të kaluar, çështja e rritjes së rrogave nuk është përmendur me nga asnjë qeveritar.

Së dyti, arsyeja se pse qeveria hesht është gjendja e saj financiare. Qeveria nuk ka para. Të dhënat paraprake tregojnë se të ardhurat e mbledhura në buxhet për tre muajt e parë të vitit janë me mosrealizim të konsiderueshëm. Pritshmëritë janë që ecuria e dobët e të ardhurave të vazhdojë për gjithë vitin, për shkak se marsi është muaj tipik.

Përballë kësaj situate qeveria ka filluar të shtrëngojë buxhetin. Shkurt po kërkon të kompesojë rënien e të ardhurave në buxhet në kurriz të mjekëve, mësuesve dhe gjithë punonjësve të tjerë publik, të cilët duke filluar nga sot duhet të përfitonin rritje page.

Në fakt, kjo është politikë dritëshkurtër. Qeveritë funksionojnë për interesin e përgjithshëm publik. Ruajtja e parametrave buxhetorë është jetike për ekonominë, por kur ke probleme në krahun e të ardhurave merren masa për të ardhurat, nuk u bihet mjekëve dhe mësuesve. Aq më tepër në situatën që është Shqipëria tani, ku mjekët largohen çdo ditë.

Kryeministri premtoi rritje rrogash publikisht, e cila do të fillonte në datën 1 prill. Por mjekëve, mësuesve dhe gjithë nëpunësve publike u la 1 prillin, ndërsa rritja e pagave nuk duket. Muhabet 1 prilli, nga qeveri 1 prilli.

SHKARKO APP