Si e shoh Kavajën dhe çfarë mund të ndodhë pas 18 qershorit

“Kavaja është bankoprova e zgjedhjeve të përgjithshme” – thotë Skënder Minxhozi në një përgjigje për forumin e sotëm në Dita rreth pyetjes: Si do jetë Shqipëria e pas 18 qershorit, në rast se përfundimisht opozita nuk merr pjesë në këto zgjedhje.

“Parlamenti që pritet të dalë nga zgjedhjet do të jetë një krijesë e brishtë dhe e mangët. Pas 18 qershorit duhet të mësohemi me idenë se zgjedhjet mund të vijnë sërish shpejt”; thotë Minxhozi për Dita.

Nga Skënder Minxhozi

Të parashikosh ngjarjet që pasojnë deri në verë, duket diçka e komplikuar, kur sheh se kriza politike ka përfshirë të gjithë sistemin dhe institucionet e vendit.

Për fat njëra ndër nyjet u zgjidh në orët e fundit, kur Ilir Meta u bë presidenti i tetë i Shqipërisë. Tashmë mbetet për t’u bindur opozita që të hyjë në zgjedhje, si dhe duhet vijuar me reformën në drejtësi, e cila praktikisht është e bllokuar.

Klasa politike shqiptare i shfaqi të gjitha mangësitë dhe papërgatitjen e saj në këto muaj, kur dëshmoi paaftësi për të komunikuar e arritur kompromisin, si dhe mungesë totale vullneti për të kontribuar për shkëputjen nga tranzicioni postkomunist, i cili vazhdon të na marrë zvarrë prej 26 vjetësh.

Fakti që edhe në vitin 2017 ka forca politike që besojnë tek bojkoti i zgjedhjeve dhe delegjitimimi i njëanshëm i kundërshtarit, tregon se ne shqiptarët vazhdojmë të mos jemi të gatshëm për të vijuar rrugën drejt Europës së Bashkuar.

Më 7 maj do të mbahen zgjedhje në Kavajë. Ky është, mendoj, momenti më delikat i kësaj krize, kur opozita mund të krijojë presion serioz mbi procesin e votimit dhe të pengojë zgjedhjen e kreut të ri të bashkisë.

Megjithëse duket e paqartë sesi mund të jusfitikosh sabotimin e një procesi që zyrtarizon largimin e Elvis Roshit, aq shumë të akuzuar në këto tre vjet, opozita ka vendosur t’i hyjë një sfide force, për të treguar se as në 18 qershor nuk do të mund të mbahen zgjedhje.

Kavaja është bankoprova e zgjedhjeve të përgjithshme. Duket se asnjëra nga palët nuk dëshëron të tërhiqet nga skenari përkatës, e kjo mund të krijojë një klimë sa absurde, aq edhe të rrezikshme në qytetin e vogël të Shqipërisë së mesme.

Edhe pa këto pengesa përpara, Parlamenti që pritet të dalë nga zgjedhjet do të jetë një krijesë e brishtë dhe e mangët. Megjithëse Rama siguron se legjislatura e ardhshme do të zgjasë katër vjet, vështirë të besohet se Kuvendi pa opozitë mund të ketë kredibilitetin dhe jetëgjatësinë e një legjislativi normal.

Pas 18 qershorit duhet të mësohemi me idenë se zgjedhjet mund të vijnë sërish shpejt, pasi një vend me një çadër në mes të rrugës që mbledh brenda opozitën e dalë jashtë sistemit dhe jashtë logjikës, është gjithsesi një vend anormal.

SHKARKO APP