Si janë listat e partive sot, do të jetë Shqipëria nesër
Listat partiake dëshmojnë si do të jetë Shqipëria nesër. Kompozimi i tyre si shprehje e vullnetit të një individi, dëshmon se Shqipëria e nesërme do të jetë sërish e varur nga vullnet individësh. Ajo do ta drejtohet formalisht nga njerëz që zgjohen papritur me një status që e kanë ëndërruar…
Nga Lorenc Vangjeli
Partia Demokratike po përfshihet me shpejtësi në një spirale zhvillimesh dramatike. Dy emra emblemë të kësaj partie, Imami dhe Topalli dhe bashkë me ta, edhe disa nga personazhet më të njohur të saj, Bregu, Patozi, Bode e të tjerë, kanë dalë hapur kundër Lulzim Bashës. Arsyeja e dukshme: mungesa e përfshirjes së tyre në lista. Shpjegimi: shmangia e forumeve në përpilimin e listës. Aksioni: shkarkimi i vetë Bashës nëpëmjet listës së Këshillit Kombëtar të PD-së. Shkaku për të gjitha: anijes së vjetër nuk i ndryshojnë të gjitha velat menjëherë edhe kur ndryshon kapiteni. PD po ngjan si një varkë me vela, ndërsa Basha, katër vjet nga zgjedhja e tij, nuk po pranohet si kapiteni moral i saj, edhe me spaletat që linte e mirrte ditë mbas dite në katër muajt e fundit. Në vitin 2009 PS-ja ballafaqohej me të njëjtën situatë dhe me kritikë që më shumë të heshtur para zgjedhjeve dhe shumë të zhurmshëm pas tyre, kërkonin kokën e Edi Ramës.
Tani është rradha e Lulzim Bashës. Kush nuk e kishte marrë seriozisht më parë, tani mund t’i tallë me dëshpërim vetëm veten, kush mendonte se do të mund ta telekomandonte nga distanca, duhet të rikontrollojë hesapet që kishte bërë, kush e kishte quajtur të përkohshëm, duhet të bëjë llogari të tjera me kohën, kush i kishte bërë të fortin mbas krahëve dhe i “la zbuluar krahët” në epokën e çadrës, e morri leksionin e hakmarrjes në formën më përvëluese të mundshme. Në Shqipërinë edhe parademokratike, edhe republikë parlamentare, kryetari i partisë është individi që firmos listat për deputetë. Dhe firmën dhe vulën për këtë akt e ka Basha. Ndaj dhe PD e sotme është vetëm portreti dhe vullneti i Bashës.
Shumë nga ata që e panë veten jashtë listave e mësuan një fakt të tillë vetëm natën e dorëzimit të listave, njëlloj si shumë nga ata që e panë veten brenda, e mësuan një gjë të tillë po atë natë. Tetë vjet më parë Edi Rama kishte bërë të njëjtën gjë. Dhe njëlloj si Rama në zgjedhjet e 2009-ës, Basha tani pret vetëm zgjedhjet që të thotë se ka një grup parlamentar tërësisht të vetin.
Lulzim Basha ka një garë të kompromentuar në zgjedhje. Të gjitha projeksionet e nxjerrin atë parti humbëse. Madje ajo që e flasin pak, por e mendojnë pothuaj të gjithë, ai tashmë garën reale nuk e ka me socialistët e Ramës, por me LSI-në e Metës; garën se kush do t’i japë votat e nevojshme PS-së për të arritur numrin 71 që formon qeverinë.
Por deri në atë pikë do të derdhet shumë ujë në det dhe shumë shpresa mund të rezultojnë ujë në vend të verës së premtuar. Lulzim Basha ka dhe një garë tjetër, që ndoshta është më e rëndësishmja për të vetë; java e tretë e korrikut kur atij i duhet të konkurojë për mandatin e dytë në krye të partisë së tij. Një garë tek e cila ai me të gjitha gjasat do të shkojë si humbës i zgjedhjeve të përgjithshme dhe ku përballë do të ketë në mos Topallin, një version të ngjashëm me Topallin e zemëruar. Ky është kriteri i parë i formulimit të listës Basha; lista nuk është ofertë për zgjedhjet e përgjithshme, por për garën partiake të korrikut. Garë në të cilën ai kërkon t’i fusë konkurentët e mundshëm me “handikapin” e mungesës në parlament.
Në qershor Basha do të jetë humbës dhe kontestues i zgjedhjeve si të deformuara. Edi Rama bëri të njëjtën gjë në 2009-ën, por duke i pasur brenda partisë dhe grupit parlamentar kritikët e tij. I përzuri pothuaj të gjithë në 2013-ën dhe në listën e 2017, largoi pothuaj totalisht çfarë gjeti dhe trashëgoi nga PS-ja e Fatos Nanos duke rithemeluar jo Rilindjen, por partinë e tij vetjake. Në të njëjtën skemë po rend dhe Basha me listën e tij të mbushur në shumicë ose me klientë personalë, ose me individë që nuk jua gjen emrin as duke i kërkuar në Google. Kërkon të rithemelojë PD-në e tij duke mos patur asgjë kundër Topallit e Imamit, Bregut e Patozit, Bodes dhe të tjerëve, por duke kërkuar një parti pa Doktorin. Në krye shkohet vetëm duke vrarë paraardhësin. Rama kishte bërë të njëjtën gjë në zgjedhje dhe me zgjedhjet e tij.
Listat partiake dëshmojnë si do të jetë Shqipëria nesër. Kompozimi i tyre si shprehje e vullnetit të një individi, dëshmon se Shqipëria e nesërme do të jetë sërish e varur nga vullnet individësh. Ajo do ta drejtohet formalisht nga njerëz që zgjohen papritur me një status që e kanë ëndërruar, por nuk e kanë merituar, që i venë në një pozicion që nuk prodhon dilema: “ngri dorën për pro në pushtet dhe kundër në opozitë”; shumica e tyre është e lirë të ketë armiqësi me mendimin, dhe se një gjë e tillë nuk është mëkat, por virtyt. Të tjerë, pavarësisht se mbajnë etiketë për djathë vitrine, rrëshkasin lart me karakter prej sapuni.
Çfarë po ndh me PD-në sot nuk është gjë e re. PS-ja e 2009-ës nuk ishte e ndryshme në hallet e saj dhe në mënyrën sesi ajo i zgjidhi ato. PD është në të njëjtën trajektore dramatike që premton të ketë dy kulme, të parin në zgjedhjet e qershorit ku pothuaj e futën me forcë dhe zgjedhjen e kryetarit të ri të saj në korrik. Në 2009-ën Rama kishte pak më pak kritikë dhe pak më shumë kohë në dispozicion deri në rizgjedhjen si kryetar partie – deri në vjeshtë. Pavarësisht rezultatit të qershorit, të paktën deri në korrik, Basha do të jetë kryetar i saj. Në një vend si Shqipëria, edhe republikë pothuaj parlamentare, edhe një vend parademokratik, po nuk ndodhi gjë me të deri në korrik, Basha do të jetë kryetar i asaj partie deri kur të mërzitet dhe të kërkojë të ikë vetë. Askush nuk do të mund ta lëvizë me nga vendi. Askush nuk do të mundë t’i marrë me vulën nga dora. Sepse do ta duan edhe ata që e duan, edhe ata që e urrejnë. (Javaneës.al)