Si mund ta ndryshojë skandali i CEZ, PD-në?

 

Nga Mero Baze

Mundësia e hapjes së një hetimi për skandalin e kompanisë CEZ qysh nga dita e parë e fillimit të negociatave për privatizimin e OSHE, mund të ketë një ndikim të fortë brenda Partisë Demokratike, dhe mund të ndryshojë raportet e Lulzim Bashës me ish- ekipin e vjetër të Sali Berishës, dhe vet atë.

Hetimi, nëse kryehet, do të bëjë të pashmangshëm penalizmin e së paku ministrit të Financave, Ridvan Bode, për favorizim në uljen e çmimit të blerjes së energjisë elektrike të CEZ prej KESH, kundër qëndrimit të drejtorit të KESH dhe ministrit të Ekonomisë.

Hetimi po ashtu mund të zbulojë lidhjet e kompanive seksere me një sërë politikanësh shqiptarë, ndër ta cilat shquajnë së paku 6 kompani të lidhura ngushtë me Sali Berishën. Nëse fillon hetimi, së paku Sali Berisha, Ridvan Bode dhe një sërë njerëzish rrotull tyre, sidomos biznesmenë të rëndësishëm, do të ndjehen të rrezikuar nga hetimet dhe kjo mund të vendosë Lulzim Bashën para presioneve për të mbajtur qëndrim politik kundër tyre, ose për t’u distancuar prej të akuzuarve.

Në fakt, kjo është dhe akuza e heshtur që i bëjnë Bashës në këtë histori. Ai e nisi këtë betejë pikërisht nën trysninë e këtij rrethi njerëzish, kryesisht mediat klienteliste të tij, të cilat kishin kompani seksere në CEZ, dhe kanë zhytur duart tek paratë e shqiptarëve. Duke qenë se tani ata janë familjarizuar me Edi Ramën, i krijuan Bashës idenë, se në çdo rast ai e ka një derë hapur  për tek Rama, përmes tyre. Është po aq e vërtetë, që nuk ka ndonjë plan për aleancë Rama- Basha, por ka një iluzion të Bashës, biles të hershëm, që ai mund t’ia dalë vetëm me një aleancë me Ramën, për të mos qëndruar gjithë kohën në opozitë. Në fund të verës, ai pranoi publikisht biles, se kishte marrë një ofertë të tillë nga një diplomat perëndimor dhe e kundërshtoi këtë ide, vetëm kur e kundërshtoi Rama publikisht.

Edhe tek hetimi ndërkombëtar, kërkesë e bërë nga Sali Berisha formalisht dhe e mbështetur nga Ilir Meta, Basha foli i fundit, atëhere kur u duk se shumica Berisha- Meta ishte formësuar.

Për aq sa e njohin të gjithë Bashën, gjëja më e vërtetë është se ai nuk ka një qëndrim të përfunduar për këtë çështje, por duke dashur t’i nxjerrë gështenjat me duart e të tjerëve, ai në fakt i dha shumë frymë gjithë konspiracioneve, që mbushën këtë hapësirë kohore, ndërkohë që flitej për CEZ. Kjo histori korrupsioni u bë pasionante për publikun, jo se flitej për para të vjedhura, se për ato shqiptarët nuk shqetësohen më, por se shoqërohej me motivin e një skenari konspirativ, sipas të cilit, kjo histori nuk do përfundonte në gjyq, por në një qeveri të re.

Kjo histori e ndryshoi PD-në dhe krijoi qartazi dyshimin se Basha i hapi rrugë këtyre skenareve konspirativë, pasi e siguruan në suksesin e tyre, duke e garantuar se kanë manipuluar dhe paguar një dëshmitar që të dëshmojë kundër Metës dhe se në rastin më të keq, do të heqi qafe nga partia disa nga garda e vjetër.

Por, fundi politik i kësaj historie ishte kundër tij. Berisha e degradoi vetë idenë e hetimit ndërkombëtar, duke mos e votuar as në Kuvend, dhe  shumica Rama- Meta kaloi një test mbijetese, i cili ua hoqi turpin të shajnë dhe njëri- tjetrin, por mos t’i ndahen njëri- tjetrit. Kurse Basha nuk ja doli as ta mbronte dhe as ta sulmonte Berishën, as ta mbronte dhe as ta sulmonte Boden, as t’i dëgjonte dhe as t’i injoronte Frangajt që e futën në këtë luftë, as t’i mbronte dhe as t’i luftonte kompanitë seksere të pronarëve të mediave,  dhe as t’i afrohej apo ta fshinte nga mendja një koalicion me Ramën. Ai doli nga kjo betejë, ashtu siç është në të vërtetë, një njeri që nuk udhëheq dot, por e udhëheqin, një njeri që nuk flet dot kurrë i pari dhe mbi të gjitha që nuk merr kurrë përgjegjësi për atë që bën. Dhe kjo më shumë se historinë e PD në raport me të, do ndryshojë historinë e tij në raport me këdo që ka probleme në PD dhe shpreson se atë e ka kryetar.

TEMA

SHKARKO APP