Si përfundoi i famshmi hotel Vollga në duart e Shullazit

Një nga vendet simbol të Durrësit, i famshmi hotel Vollga është rivënë sot në qendër të kronikave. Shkas për këtë është bërë lajmi i papritur se godina e famshme i ishte “dhuruar” të fortit, Emiliano Shullazi, të arrestuar nga policia.
Ky është transformimi i fundit i një godine ndërtimi i së cilës filloi në kohën e mbretit Zog si seli qëndrore e marinës shqiptare. Ende karabina e papërfunduar prej aty u bë edhe rrezistenca e parë ndaj trupave italiane që pushtuan Shqipërinë në prill 1939. Por italianët e morën Durrësin dhe pas pushtimit, ndërtesën e projektuar për zyra ushtarake vendosën ta shndërrojnë në hotel luksoz. Kështu lindi “Albergo dei Dogi”(foto lart) i ndërtuar edhe nga kompania e familjes shqiptare Fortuzi. Por hoteli më i famshem në vend përkrah  Dajtit në Tiranë, funksionoi pak kohë si i tillë.
Me fillimin e luftës Italo Greke, ai shërbeu si spital. Vetëm pas përfundimit të luftës së dytë botërore hoteli mori emrin “Majestic”. Në prill 1945 qeveria e re komuniste njoftoi se “Hotel Majestik” pronë e bashkëpunëtorit të fashizmit Omer Fortuzi është sekuestruar në bazë të ligjit për sekuestrimin e pasurive të të arratisurve. Në dhomat e tij u akomoduan fillimisht partizanët e garnizonit të portit. Në ditët e pasluftës  hoteli funksionoi kryesisht si hotel për ushtarakët shqiptarë, ushtarakët dhe diplomatët jugosllavë si edhe për diplomatët e huaj të misioneve aleate angleze, amerikane dhe franceze.
Periudha sovjetike i dha atij emrin i cili mbeti më fort në kujtesë: Hotel Vollga. Aq e fortë ishte pasha e tij sa pas prishjes me sovjetikët, hoteli mbeti përsëri pa emër. Vetëm në vitet 70, kur paisjet, mobiljet shandanet, dhe fajancat luksoze italiane u zëvendësuan me prodhime lindore dhe kineze, hoteli mori emrin që nuk ka mbetur në memorie :«Iliria».
Tentativa e fundit për ta tjetërsuar atë u bë në në vitin 2009 kur bashkia e Durrësit hodhi poshte një kërkesë për shkatërrimin e tij për të ngritur aty një 22 katsh. Ai u konsiderua si një trashigimi e vyer arkitekturore e qytetit.
Pikërisht kjo trashigimi gjendet sot në duart e Emiliano Shullazit. Dhe historia është po aq me të paprituara sa ajo e vetë hotelit të famshëm. Ajo daton nga viti 2003 kur me vendim të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ish-hotel “Vollga” i njihet trashëgimtares së ligjshme, Alie Fortuzi. Por kjo trashigimtare e mbetur e Fortuzëve që komunizmi i kish shpronësuar si bashkëpuntorë të pushtuesve ishte në moshë dhe në gjendje të keqe fizike. Ndaj ajo vendosi tia dhurojë pronën e fituar njeriut që qe kujdesur për shëndetin e saj,shtetasit Zamir Hasa.
Në shenjë respekti për angazhimin e Hasës për shëndetin e saj, ajo ka vendosur që pronën, “ish-Vollgën”, t’ia japë me testament atij, i cili do të bëhej pronar i ligjshëm pas vdekjes së Alie Fortuzit. Por këtu fillojnë ngatërresat.
Po në të njëjtën ditë me regjistrimin në Hipotekë të pronës në emër të Alie Fortuzi, rezulton se ajo i është shitur shtetasit arab Mohamad Abdullah Bavazer. Dhe prej nga ky moment nis procesi që fut në lojë Emiliano Shullazin.
Trashëgimtari Zamir Hasa, vendos të ndjekë rrugën gjyqësore duke pretenduar se prona është regjistruar në Hipotekë në mënyrë fiktive. Procesi zgjati gati 10 vjet me plot të papritura. Në kohën që Gjykata e Lartë në 10 korrik 2013 me vendim të ndërmjetëm kishte urdhëruar pezullimin e regjistrimit të shënimit të emrit të shtetasit arab në kartelën e pasurisë, gjykata e Durrësit, në një tjetër proces, i njeh të drejtën e pronësisë shtetasit arab Mohamad Bavazer. Me këtë vendim njohjeje pronësie, ky i fundit e regjistron pasurinë e paluajtshme të ish-“Vollga” në emër të kompanisë “Suadi Brother’s Commercial Company”, në të cilën ishte vetë ai administrator. Pasi është bërë pronar i ligjshëm, “Suadi Brother’s Commercial Company”, në nëntor 2014, ia shet një pjesë të pasurisë për shumën 670 mijë eurove du personave që dyshohen se kanë bërë thjeshtë dhuruesin fiktiv të emrit: Fejzi dhe Marjeta Kodra.
Mbi bashkëshortët Kodra ka dyshime për mundësitë e tyre financiare për shpenzimin e një shume të tillë. Këtë akt e bënë më të dyshimtë edhe një fakt tjetër: ata vendosin që një muaj pas blerjes ta dhurojnë pronën e tyre. Familjarët Kodra, ashtu si edhe “Suadi Brother’s Commercial Company” me përfaqësues Ylvi Beqja, në dhjetor 2014, nënshkruajnë kontratën e dhurimit, në bazë të të cilës të gjithë të drejtat pronësore të tyre, ia japin pa asnjë shpërblim Emiljano Shullazit. Ndërkohë në këto kontrata nuk ka asnjë arsyetim se përse është bërë ky dhurim dhe se pse është zgjedhur Emiljano Shullazi, për të trashëguar këtë godinë simbolike të Durrësit.
Ndoshta sepsë si të gjitha simbolet e së kaluarës edhe ndërtesa që ka mbajtur njëri pas tjetrit emrat e mëdhej, “Albergo di Dogi”, “Majestic” apo Vollga nuk mund të kishte një fund të lavdishëm. (Lapsi.al)

SHKARKO APP