Si po i shet Basha bashkëpuntorët e vet?

 

Nga Mero Baze

Brenda Partisë Demokratike ka ndodhur një problem serioz një natë më parë. Dy anëtarë të Komisionit të Mandateve, Gent Strazimiri dhe Arben Ristani kanë votuar që të hiqet mandati i deputetit Arben Ndoka dhe të kalojë në Gjykatë Kushtetuese për interpretim mandati i deputetit Mark Frroku. Ristani dhe Strazimiri janë dy njerzit më të afërt të Lulzim Bashës dhe votimi i tyre ishte një shenjë e qartë e vendimit politik të Bashës.

Por e papritura ndodhi gjatë ditës së sotme. Partia Demokratike bëri një deklaratë për shtyp ku dënoi vendimin e Komisionit të Mandateve që çonte në Gjykatë Kushtetuese mandatin e Mark Frrokut, vendim që u votua nga dy deputetët e PD-së, të afërt me Bashën.

Deklarata për shtyp, pa autor, por një tekst që ishte qartazi i shkruar nga vet Sali Berisha, u shoqërua dhe nga një deklaratë e Jozefina Topallit në të njëjtën linjë, që e bënte të sigurtë atë që kishte ndodhur larg syve të publikut. Sali Berisha ishte kundër asaj për të cilën kishin votuar dy deputetët e Lulzim Bashës dhe i ka imponuar atij një qëndrim anonim në emër të PD-së kundër votës së tyre, duke e bashkëshoqëruar dhe me një deklaratë të Topallit, që vuloste dy qëndrimet e PD-së për këtë çështje, qëndrimin e PD-së formale, të Bashës dhe qëndrimin e PD-së reale, të Berishës.

Deklarata anonime e PD-së e shpërndarë si deklaratë për shtyp, e dënonte ashpër votimin për mandatin e Frrokut, por nuk shprehej për votën pro të dy deputetëve të PD-së, mesa duket në shenjë kompromisi që ata të mos sakrifikoheshin publikisht.

E gjitha çfarë ka ndodhur nuk është ndonjë dramë e madhe, por tregon se komunikimi mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës ka probleme dhe, Basha është në një vështirësi dyfishe, pasi çdo vendim të pakonsultuar të tij, duhet ta përgënjeshtrojë pastaj me deklarata për shtyp.

Problemi më i madh nuk është komunikimi i prishur mes tyre, por shembulli i keq që jep Basha, duke shitur bashkëpuntorët e vet.

Rasti në fjalë është një ilustrim se deputetët më të afërt të Bashës, kur marrin qëndrime politike në emër të PD-së, nuk ka kush t’i mbrojë, nëse ata nuk janë konsultuar dhe me Berishën. Poshtërimi publik që PD-ja i bëri Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Arben Ristani duke sulmuar ashpër votimin e tij, si dhe Gent Strazimirit, deputetit që u sakrifikua për çështjen e dekriminalizimit dhe tani po viktimizohet si njeri që mbron persona me precedent penalë, është një sinjal se Berisha nuk kursen askënd që tenton të mos pyes atë, por të pyesë Lulzim Bashën për vijën politike të PD-së.. Votimi i tyre është normal dhe logjik, se as e mbron Frrokun dhe as shet ndonjë kauzë të PD-së, por e gjitha është një përpjekje e Berishës, për tu treguar deputetëve se kë duhet të pyesin para se të votojnë.

Dhe ai provoi me fakte që ka në dorë dhe PD-në formale, nëse dikush tenton të bëjë siç nuk dëshiron ai. Të dy deputetët, Ristanin dhe Strazimirin, i ndëshkuan me një deklaratë zyrtare të PD-së për votën e tyre, për të cilën kishin marrë lejen e kryetarit të PD-së.

Në të njëjtën kohë, ky zhvillim ngre pyetjen, se a komandon dot më njeri në PD Lulzim Basha?

Me këtë telendisje publike që iu bë dy deputetëve të PD-së që votuan sipas këshillave të tij, zot se dikush tjetër tani i bie telefonit të Bashës për ta pyetur si të votojë. Telendisja është një sinjal se ku duhet të trokasin ata për të marrë leje për qëndrimet politike dhe Basha i hapi rrugë me shpejtësi këtij sinjali. Atij nuk i intereson se kush prej deputetëve mërzitet, që ai e lë në mes të rrugës. Ai do që vetëm një deputet që të mos mërzitet kurrë me të dhe, ai quhet Sali Berisha!

 Tema

SHKARKO APP