Si ta kuptojmë rolin e Francës si “polic i keq” ndaj Ballkanit
…Sado e pandershme mund të duket prej vlerësimeve të Komisionit Europian, zhvillimet e fundit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore i japin të drejtë pozitës franceze (dhe holandeze e daneze) mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Nga Loic Tregoures
Zgjerimi i BE mbetet një çështje që nuk gëzon popullaritet në Francë dhe presidenti Macron ka marrë një qëndrim të ashpër ndaj anëtarëve të rinj potencial nga Ballkani Perëndimor – por si do ta afrojë Parisi këtë sjellje të ashpër me synimin për angazhim më të madh në rajon?
Mini-samiti i fundit mbajtur në Berlin më 29 prill mes presidentit francez Emmanuel Macron, kancelares gjermane Angela Merkel dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor duket se ka dalë në katër konkluzione.
Së pari, duket se është lënë mënjanë ideja e një zgjidhjeje territoriale për mosmarrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse Presidenti Macron përsëriti se nuk duhet të ketë tabu në bisedime.
Së dyti, Franca dhe Gjermania vendosën të përfshiheshin më shumë drejtpërdrejt në dialogun Serbi-Kosovë duke marrë parasysh bllokimin dhe mungesën e rezultateve të dhëna nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, si dhe pas ndryshimit të pozitës amerikane.
Së treti, një samit tjetër i ngjashëm do të zhvillohet në Paris në fillim të korrikut, i cili nuk ishte planifikuar në agjendën diplomatike përpara takimit në Berlin.
Së katërti, Parisi shfrytëzoi rastin në samit për të botuar një strategji të re kombëtare për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke pranuar se ka pasur një tërheqje dhe mungesë interesi gjatë dekadës së fundit pas përfshirjes së fortë në vitet 1990 dhe fillimi i viteve 2000 me forcën e NATO-s KFOR në Kosovë.
Megjithatë, përveç përfshirjes së Agjencisë së re Franceze për Zhvillim (AFD) në rajon, kjo strategji përfshin kryesisht elemente që tashmë janë duke u zbatuar, siç janë përpjekjet për kontrollin e armëve të lehta në kuadër të Procesit të Berlinit, formimin e agjentëve doganorë , ose bashkëpunim më të fortë për sigurinë, migracionin dhe radikalizimin.
Prandaj, është e arsyeshme të pyesim se çfarë roli ka ndërmend Franca të luajë në rajon në muajt dhe vitet e ardhshme, duke llogaritur faktin se presidenti Macron e bëri shumë të qartë në Sofje në maj 2018 dhe sërish në qershor 2018 kur bllokoi hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, se ai ishte kundër çdo lëvizjeje drejt zgjerimit, me arsyetimin se BE-ja duhej të reformohej para pranimit të ndonjë anëtari të ri.
Në një përgjigje së fundmi për pyetjet e senatores franceze Helene Conëay, Ministri i Punëve të Jashtme Jean-Yves Le Drian deklaroi se Franca ishte kundër heqjes së regjimit të vizave për Kosovën, pavarësisht se Komisioni Europian dhe Parlamentit Europian duan ta heqin regjimin e vizave.
Le Drian theksoi se sa i përket korrupsionit dhe sundimit të ligjit, kishte shumë pak përpjekje për t’i adresuar nga autoritetet e Kosovës dhe ishte tepër vonë për t’i vlerësuar ato dhe për të pranuar liberalizimin e vizave.
Ndërkohë, sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duket shumë e mundshme që Franca, dhe ndoshta Holanda dhe Danimarka, do të refuzojnë hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin.
Ende nuk dihet nëse të dyja vendet do të trajtohen së bashku ose do të ndahen. Qershorin e kaluar, pati argumentime në Francë në favor të progresit për Maqedoninë e Veriut, por pa rezultat.
Raportet e ardhshme të Komisionit Europian mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat pritet të publikohen së shpejti, mund të ndihmojnë shtysën për ndarje të rasteve nëse ka dallime të mëdha.
Nëse zgjidhet opsioni i ndarjes, Shkupi mund të ketë ende një shans të vogël për të hapur negociatat, pas suksesit të marrëveshjes së Prespës për të zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit me Greqinë dhe zgjedhjet, të cilat konsiderohen të lira dhe të drejta, si dhe me zgjedhjen e presidentit të ri pro-BE Stevo Pendarovski.
Ka pasur spekulime rreth arsyeve pse Franca ka mishëruar rolin e “policit të keq” në zgjerimin në Ballkan pas dy dekadash mungesë interesi në rajon dhe pavarësisht qëndrimit të qeverive të mëparshme franceze për të mos penguar hapjen e negociatave dhe kapitujve.
Tre arsye kryesore mund të dalin në pah.
Së pari, zgjerimi nuk gëzon popullaritet në Francë, pasi sjell kujtime të fushatës së vitit 2005 për referendumin mbi Kushtetutën Europiane, e cila u refuzua masivisht, ku temat kryesore ishin zgjerimi ndaj Turqisë dhe Polonisë.
Zgjerimi ka ushqyer frikë dhe frustrim që nga ajo kohë, për të mos përmendur idenë e dështimit të integrimeve të vitit 2007 të Rumanisë dhe Bullgarisë. Që atëherë, ndonëse qeveritë nuk kanë bllokuar ndonjë vend të Ballkanit Perëndimor, askush nuk ka përkrahur në mënyrë të qartë ndonjë integrim të ri.
Çështja e integrimit të Serbisë deri në vitin 2025 iu parashtrua 12 kandidatëve në një debat televiziv prillin e kaluar – dhjetë prej të cilëve, përfshirë shumicën e kandidatëve të krahut të majtë dhe kandidatin për president Macron, ishin kundër. Megjithatë çështja nuk ishte Serbia në vetvete, por zgjerimi.
Pastaj duke pasur parasysh mënyrën se si presidenti Macron i ka përshkruar zgjedhjet europiane si luftë e progresistëve kundër nacionalistëve, çdo shenjë pozitive drejt zgjerimit mund të shihet si material në favor të nacionalistëve, veçanërisht në Francë, ku partia e Macron dhe Fronti Kombëtar i Marine Le Pen janë dhëmbë-për-dhëmb në sondazhet e opinionit.
Arsyeja e dytë për qëndrimin e ftohtë të Francës ndaj zgjerimit të mëtejshëm është se presidenti Macron e bëri shumë të qartë që nga fillimi i mandatit të tij se ai synonte reformimin e institucioneve europiane, duke u përfshirë në një debat të ashpër me Gjermaninë lidhur me këtë çështje.
Intervistat e fundit nga Macron dhe Merkel vunë në dukje divergjencat e pazakonta dhe të forta mbi shumë çështje, nga institucionet te shitja e armëve.
Prandaj, zgjerimi duhet parë si një nga ato çështje për të cilat pozicioni i Francës ka dy anë: nga njëra anë, ekziston besimi i sinqertë se BE-ja duhet të thellohet përpara se të zgjerohet; nga ana tjetër, kjo çështje shërben si një ujdi me Gjermaninë lidhur me reformimin e institucioneve të BE-së, pasi zgjerimi në Ballkan shihet gjerësisht nga Parisi si kryesisht në interes të Berlinit.
Së treti, sado e pandershme mund të duket prej vlerësimeve të Komisionit Europian, zhvillimet e fundit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë Veriore i japin të drejtë pozitës franceze (dhe holandeze e daneze) mbi korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Nuk është rastësi që kryeministri maqedonas Zoran Zaev njoftoi një riorganizim rrënjësor të kabinetit të tij pas referendumit mbi marrëveshjen e Prespës. Në zgjedhjet e fundit presidenciale u bë e dukshme se ai kishte humbur shumë përkrahje midis votuesve pro-BE për shkak të mungesës së rezultatet lidhur me çështjet e brendshme si korrupsioni.
Në Kosovë, ambasadat perëndimore ngritën zërin disa ditë më parë, pasi miqtë e ngushtë të kryeministrit Ramush Haradinaj u emëruan përsëri në pozita të larta, të cilat nuk duhet t’i mbajnë nëse kriteret bazohen te merita dhe konkurrenca transparente.
Këto arsye politike janë bërë gjithnjë e më të qarta që nga zgjedhja e presidentit Macron dhe nuk ka arsye për të besuar se do të ndryshojnë.
Megjithatë, tre pyetje mbeten pa përgjigje. Çfarë ndikimi, në afat të shkurtër dhe të mesëm, mund të ketë në rajon pozicioni francez, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut?
A do të përfshihet më shumë Franca në dialogun Beograd-Prishtinë? Dhe a do ta bëjë bllokimi nga ana e Parisit i negociatave për Maqedoninë e Veriut presidentin Vuçiç të dyshojë se nuk do të ketë asnjë çmim nga BE, edhe nëse shkohet drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën?
Dhe së fundi, si do ta shpjegojë Franca strategjinë e saj të re dhe përfshirjen në rajon, ndërkohë që ajo vetë po e bllokon atë nga integrimi në BE?
Takimi i ardhshëm në korrik, në Paris mund të japë disa përgjigje.
BIRN.