Si të presim një vit më të mirë

 
 
Nga Astrit Patozi.
 
Mos prit asnjëherë një vit më të mirë prej atyre që rrahin gjoksin për begatinë, që na sollën këtë vit, edhe pse askush s’e pa, por vetëm e dëgjuam.
 
Natyrisht, as prej atyre që na ftojnë të qajmë edhe për vdekje, që nuk kanë ndodhur ende. Por kjo nuk do të thotë aspak se nuk ka zgjidhje tjetër për të shpresuar.
 
Sot është ditë e gjatë bilancesh, dhe pavarësisht se ato e përjashtojnë retorikën, kjo nuk i pengon delirantët të na e nxijnë atë patjetër me një paradë suksesesh imagjinare. Por kjo e bën më të lehtë shpjegimin se asgjë e keqe nuk na ka ndodhur rastësisht.
 
Por ti mund të presësh një vit më të mirë, në rast se do të dëgjosh të kërkohet ndjesë për problemet dhe defektet që po na përndjekin prej vitesh, të cilat nuk po na i shton Zoti. Natyrisht që vetëm ndjesa nuk mjafton, por ajo është gjithësesi shenja e parë se dicka po ndryshon.
 
Mund të shpresosh në një vit më pak të mundimshëm, në rast se vëren më shumë përulësi dhe më pak krekosje nëpër zyra, podiume dhe ekrane. Dhe natyrisht kur të ndjesh se po fillon të fryjë një erë realizmi në Shqipëri, pasi po na ushqejnë me zor prej shumë vjetësh me një patetizëm të shpifur, që është kthyer në strehën e vërtetë për të gjithë maskarenjtë firmato.
 
Eshtë jashtë cdo dyshimi se një vit më i mirë, jo vetëm mund të ëndërrohet, por edhe mund të vijë realisht. Dhe për këtë nuk ka nevojë për revolucion. Mjafton që disa të vërteta, jo vetëm të thuhen, por edhe të mbrohen.
 
Ne nuk mund të pranojmë që të na konsiderojnë se jemi të gjithë njësoj, sepse kjo nuk është, as e drejtë, dhe as e vërtetë. Por këtë nuk mjafton vetëm ta themi. Në radhë të parë duhet ta besojmë vetë, që pastaj të shpresojmë se mund të na ndjekin të tjerët.
 
Sa më shumë të krijohet perceptimi se jemi të gjithë njësoj, aq më e vështirë është të dalim nga kjo kllapi kombëtare
 
Na takon ne, që e dimë se jemi të ndryshëm (madje kjo na bën krenarë), që ta bëjmë diferencën. Me akte dhe me gjeste, jo thjesht me fjalë. Vetëm atëherë mund t’i themi lirisht gëzuar njëri-tjetrit, jo për forcë zakoni, por duke besuar seriozisht për një vit më të mirë se ky që lamë pas.

SHKARKO APP